Zbulohet skandali i radhës i Klodian Zotos/ Rama refuzon të përgjigjet

23:18 06/10/20204min2431
91054915_161113558395400_2476226346120904704_n

Kryeministri Edi Rama refuzoi t’i përgjigjet gazetarëve lidhur me skandalin e publikuar në media, se Klodian Zoto ka përfituar miliona euro nga buxheti i shtetit për të ndërtuar inceneratorët e Tiranës dhe Fierit, por deri më tani nuk ka kryer asnjë investim.

Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Rama hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke ia kaluar institucioneve të tjera.

Megjithatë, po duke folur për të njëjtën pyetje, Rama dha një tjetër përgjigje kontradiktore pasi mbrojti koncesionin e inceneratorëve duke thënë se ai është një investim që e kryen privati me paratë e veta, ndërsa shteti ia paguan më vonë.

Mirëpo rasti në fjalë është e kundërta e asaj që deklaron kryeministri Rama, pasi taksapaguesit shqiptar i kanë paguar gjatë vitit 2018 dhe 2019 miliona euro për ndërtimin e inceneratorëve të Tiranës dhe Fierit, por Klodian Zoto dhe kompania e tij nuk kanë kryer asnjë investim.

Revista Monitor ka zbuluar shifrat që Klodian Zoto ka përfituar nga buxheti i shtetit për ndërtimin e inceneratorëve të Tiranës dhe të Fierit, por që ende nuk ka kryer asnjë investim për ndërtimin e tyre.

Gjatë vitit 2018 dhe 2019, Klodian Zoto është paguar përkatësisht nga 977 milionë lekë nga buxheti i shtetit për të kryer investimin për ndërtimin e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës, ku pjesa kryesore e investimit duhej të bëhej nga fondet e kompanisë, parashikuar kjo në kontratë.

Vlera faktike e investimit kapital për vitin 2018 ka qene vetëm 20 për qind e vlerës së planifikuar në planin e biznesit. Ndërsa vlera e investimit kapital për vitin 2019 ka shënuar 526,2 milionë lekë ose vetëm 10 për qind e planit në kontratë.

Sipas kontratës kompania Integrated Energy duhet të investonte në vitin 2019 rreth 5,9 miliardë lekë, nga të cilat më shumë se 5 miliardë lekë duhet të ishin nga fondet e kompanisë dhe afërsisht 1 miliardë lekë pagesa nga buxheti. Por kompania nuk ka arritur të azhurnojë në investime as pagesën e marrë nga buxheti i shtetit.

Për periudhën 2018-2019, sipas kontratës duhet të ishin investuar 11,4 miliardë lekë, por janë investuar vetëm 1,6 miliardë lekë ose rreth 12 përqind e planit. Klodian Zoto ka përfituar 47 milionë euro nga buxheti i shtetit deri më tani, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur parregullsi të mëdha lidhur me pagesat e thesarit për kompaninë  e Klodian Zotos, e cila deri më tani ka marrë koncesionin e ndërtimit të tre inceneratorëve në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *