Zbardhet skema / Si u njoh vëllai i trafikantit me burrin e gjyqtares, roli i avokatit dhe pronarit të hotelit ku u takuan

09:36 10/09/20204min91
unnamed-8

Arben Cara është burri i gjyqtares Mimoza Margjeka, një nga tre personat e arrestuar për rastin e korrupsionit që SPAK zbuloi ditën e djeshme.

Ata akuzohen se në këmbim të 6 mijë eurove ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Cara është përgjegjës i Departamentit të Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ai akuzohet për korrupsion pasiv.

Por si funksionoi skema e korrupsionit?

Nejton Bali banues në Sauk, që ishte vëllai i të arrestuarit Orion Bali, të cilin po tentonte që ta nxirrte nga burgu pas akuzave për trafik emigrantësh, së bashku me avokatin Skënder Demiraj dhe Klaudjo Zhillën nga Korça takuan dhe i dhanë shumën prej 6 mijë eurosh burrit të gjyqtares.

Hoteli ku i dhanë shumën burrit të gjyqtares është në pronësi të Klaudjo Zhillës.

Pasi mori shumën prej 6 mijë euro gjyqtarja e ndryshoi vendimin për Orion Balin duke e nxjerrë nga qelia kundrejt garancisë pasurore 500.000 lekë.

Por si u arrit te ndërmjetësimi?

Policia thotë se te burri i gjyqtares, vëllai i të arrestuarit arriti përmes avokatit Skënder Demiraj, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.

Ndërsa pronari i hotelit, Klaudjo Zhilla, po sipas policisë mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në garanci pasurore, masë e cila ishte vendosur nga Gjykata e Apelit.

Kush është gjyqtarja e arrestuar? 

Mimoza Margjeka gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë tani do të përballet me akuzën për ‘korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë’.

Emri i Margjekës nuk është i panjohur, pasi në kohën kur ajo ishte pjesë e gjykatës së Durrësit vendosi që të mos i jepte mandatin e krye-bashkiakes socialistet Valbona Sako, e cila doli nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto