
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim zgjodhi Shkodrën për të dhënë disa mesazhe të forta për politikën shqiptare.
Kim u bëri apel shqiptarëve që bëhen bashkë dhe të lënë mënjanë përplasjet kur vjen puna për të gjëra të rëndësishme për Shqipërinë.
Ambasadorja e SHBA, u shpreh nga Shkodra se do të mbështesë palët politike që të ulen në tryezën e Këshillit Politik për të dialoguar mes tyre.
“Është e rëndësishme pjesëmarrja politike dhe është e rëndësisë që udhëheqësit të lënë anash ndasitë politike e për tu bashkuar bashkë drejt një objektivi. Unë do të luaj një rol në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Është një lajm shumë i mirë që palët politike si jashtë dhe brenda parlamentit do të bien dakord për tu ulur sërish. Jam e sigurt që në fund do të mund të arrijnë një kompromis” – tha Kim.
Ambasadorja amerikane ka përshëndetur arrestimet e fundit me urdhër të SPAK në radhët e gjyqësorit, përkatësisht gjyqtaren e Apelit Korçë Mimoza Margjeka, avokatin Skënder Demiraj dhe bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara.
“Është një gjë e mirë dhe ka ardhur koha që SPAK të jetë plotësisht funksional. Disa po përpiqen ti pengojnë në punën e tyre madje do të intimidojnë gjykatësit dhe prokurorët por ka ardhur koha tu qëndrojnë fort këtyre personave” tha diplomatja amerikane.