Vrasja e kushërinjve në Shkodër, babait i autorit: Nuk e mbolla unë drogën, dija vetëm vendin. Ja sa bimë kanabisi i gjeti policia në parcelë

14:21 10/10/20204min318
danjel-pepaj-dhe-rrok-pepaj-ok

Policia e Shkodrës ka arrestuar shtetasin Rrok Pepaj, babai i Danjel Pepajt, autorit të dyshuar për vrasjen e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj.

Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, mësohet se shtetasi Rrok Pepaj është arrestuar për veprën penale të bashkëpunimit të kultivimit të bimëve narkotike. Rrok Pepaj është personi që ka çuar policinë te parcelat e drogës, ku më pas në afërsi janë gjetur edhe trupat e pajetë.

Në këtë mënyrë Policia e ka arrestuar në flagrancë, për shkak se Rrok Pepaj kishte dijeni për vendndodhjen e parcelave të drogës ku u gjetën 29 bimë narkotike kanabis. Policia ka negociuar me shtetasin Rrok Pepaj, por ky i fundit fillimisht ka nguruar që t’i çojë te parcela.

Dy ditë më parë në fshatin Vrith ka mbërritur drejtori i Policisë Vendore të Shkodrës, Niko Brahimaj, i cili sipas burimeve ka biseduar vetë me shtetasin Rrok Pepaj duke e bindur t’i dërgonte efektivët tek parcela e drogës.

Pasi Rrok Pepaj ka pranuar, atëherë forca të shumta policie e kanë shoqëruar në mënyrë që të ishte i sigurt dhe të mos kishte asnjë problem. Në këtë mënyrë në orët e paradites Policia është nisur bashkë me babain e Danjel Pepaj drejt parcelave dhe pas afro dy orësh rrugëtim në këmbë kanë arritur tek parcela ku u konstatuan 29 rrënjë bimë narkotike.

Ndërkohë, në afërsi të parcelës janë gjetur edhe dy trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Transportimi i trupave të pajetë është bërë me barela druri, të cilat janë bërë nga banorët me mjete rrethanore.

Pasi kanë mbërritur në qendër të fshatit Vrith, trupat e pajetë janë vendosur në ambulancë dhe më pas janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Ndërkohë, fillimisht shtetasi Rrok Pepaj është shoqëruar në mjediset e komisariatit të Policisë së Shkodrës dhe më pas është bërë arrestimi i tij si bashkëpunëtor në kultivimin e kanabis-it duke qenë se është vërtetuar se ka pasur dijeni për parcelat.

Megjithatë, Rrok Pepaj ka mohuar se është pjesë e kultivimit dhe se thjesht ka pasur vetëm informacion se ku ndodheshin parcelat me kanabis.

Ndërkohë, situata pas kësaj ngjarjeje të rëndë vijon të jetë e tensionuar. Sipas burimeve, familja Çutaj ia ka bërë të ditur babait të autorit të dyshuar për t’u ngujuar përpara se ai të arrestohej nga Policia.

Kërkimet për trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj zgjatën 5 ditë derisa u arrit që të gjenden pas bashkëpunimit nga ana e babait të autorit të dyshuar.

Deri në ato momente ka qenë e vështirë gjetja e trupave të pajetë për shkak të terrenit të thyer malor, por edhe hapësirës së madhe.

Një pjesë e konsiderueshme e parcelës me kanabis ishte e djegur, pasi dyshohet se Danjel Pepaj, pasi ka qëlluar Vilson Çutajn dhe Klement Pepaj, i ka vënë flakën parcelës dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto