
Lodhja, vapa, dehidratimi dhe mosushqyerja, qëndrimi prej tre ditësh në radhë në mes të katër rrugëve në pritje për të kaluar pikën kufitare të Kakavijës, ka sjellë tepër acarim dhe nervozizëm tek qytetarët.
Në shenjë proteste, qytetarët u ranë borive të makinave të tyre dhe kanë apeluar për ndihmë nga qeveria që t’i jap fund kësaj situate.
Qytetarët shprehen se kanë 3 ditë në radhë, po jetojnë me molto dhe çmimet janë të shtrenjta, aq sa shumica e qytetarëve nuk kanë as mundësinë të ushqehen.
Madje disa shprehen se nuk do të vijnë më kurrë në Shqipëri deri sa t’u skadojë sërish pasaporta.
“70 % e qytetarëve kanë ardhur këtu për të bërë pasaportat. Le të sjellë qeveria 5 punëtorë në Athinë për rinovimin e tyre dhe të mos vijmë këtu 500 mijë veta dhe të qëndrojmë në radhë për ditë të tëra”, tha një qytetar.
“Mos më shkeltë më këmba kurrë në Shqipëri jo mua, por as fëmijëve të mi”, tha një tjetër qytetar i revoltuar.
“Kam tre ditë në Kakavijë, ky është mesazhi që i them kryeministrit”, tha një tjetër.
“Kemi 50 orë pa bukë e pa ujë, dhe qeveria të marrë vesh”, u shprehën qytetarët të revoltuar, me të drejtë.