
Pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka publikuar një video me rregullat që nxënësit duhet të zbatojnë në ambientet e shkollave.
Përdorimi i detyrueshëm i maskës, distancim fizik dhe ndalimi i qëndrimit në korridore janë disa prej tyre.
Lëvizja e nxënësve në klasa, laboratorë, palestra dhe nëpër korridore do të jetë përcaktuar në mënyrë të atillë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të, ndërsa rregullat për lëvizjen e nxënësve do të jenë të afishuara në ambientet e brendshme të shkollave. Qëndrimet nëpër korridore nuk janë të lejueshme, teksa gjatë lëvizjes në korridore nxënësit duhet të respektojnë dhe mbajnë largësinë minimale prej të paktën 1.5 metrash nga njëri-tjetri.
Ndërkohë, komunikimi, në rast nevoje i nxënësit me drejtuesit, sekretarinë dhe stafin mësimor do të kryhet nëpërmjet mësuesit përgjegjës të katit, duke respektuar distancimin social e fizik dhe rregullat e tjera të përcaktuara me lart.