Vetingu shkarkoi Arben Frashërin, gazetari Hoxha tregon jetën e policit: Nuk ra dëshmorë nga plumbat, e “vrau” sistemi

12:56 03/10/202011min61
Arber Frasheri

Vettingu në polici, është një nga shumë “arritjet” për të cilat qeveria shqiptare “rreh gjoksin”.

Por nëse gjyqtarë e prokurorë të veshur në mantelin e zi me një çekiç në dorë, mund të vendosin që ta kalosh jetën prapa hekurave, pasi provat nën tavolinë janë shumë të forta dhe përsëri vettingu në drejtësi duket i dobët para tyre, diçka e rrallë po ndodh me vettingun në polici.

Një ditë më parë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, vendosi të shkarkojë nga detyra Arben Frashërin, i cili mbante detyrën e drejtuesit të SHÇBA-së rajonale Fier-Berat, pasi nuk mund të justifikonte paratë e fituara në emigracion.

Arben Frashëri me një karrierë 35 –vjeçare, ka shërbyer në rradhët e policisë dhe ka marrë pjesë në shumë aksione kundër bandave dhe kriminelëve shqiptare ku edhe mund të humbte jetën.

Për shkarkimin e Frashërit, ka reaguar edhe gazetari Artan Hoxha përmes një postimi të gjatë në rrjetin social FB.

Hoxha e përshkruan profilin e Frashërit, si një person të thjesht, pa luks e tregon disa nga aksionet e vështira në të cilat ka qënë pjesë, teksa shkruan:

Arben Frashëri, sot pas 35 vitesh karrierë, nuk ra dëshmorë nga plumbat e krimit, si kolegu dhe miku i tij, por ra viktimë e një sistemi të korruptuar deri në palcë..

Reagimi i plotë:

Më 8 gusht 2003, ndërsa breshëritë e kallashnikovëve të skuadrës ceremoniale të Policisë së Shtetit, po i jepnin lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut”, Kolonel Gani Malushi, me sytë e mbushur me lotë, i drejtohem kolegut të tij, Arben Frashëri.

“Beni, bëj kujdes!

Nuk do mund ta përballoja dhe varrimin tënd në këtë mënyrë”.

Ndërsa i hidhja doren në sup Benit, bashkëluftëtarit dhe mikut të Gani Malushit, nê memorje më kaluan kujtimet në vitet e mbrapshta 1997-1998 në Beratin e zhuritur nga betejat e bandave. Kur Ganiu dhe Beni, në drejtimin e komisariatit të Beratit, kryen me dhjetëra aksione kundër disa nga bandave dhe kriminelëve me gjakatarë të 1997-ës.

Në gushtin e nxehtë të 1999-ës, serish të dy zbarkuan në Tropojën e përzhitur nga atentatet me mina të telekomanduara dhe serialin e vrasjeve që nuk ndalonte prej vitesh.

Në Bajram Curri, Benin e kishin dërguar si një nga specialistët më të mirë, për të hetuar dhe rihapur dosjet e serialit gjakatar të vrasjeve në Tropojë.

Arben Frashërin, sa herë shkoja ne Tropojë, e gjeja të veshur me uniformë ushtarake kamoflazhi dhe me jelek antiplumb.

Me këtë veshje, Beni më tepër se ustai që qepte hetimet dhe dosjet, dukej si një drejtues i forcave speciale, që priste nga çasti në çast të hidhej në betejë.

Në atë kohë, ai përdorte fuoristradën e blinduar, tip Magnium, që kryeministri Majko, ia kishte dërguar drejtuesve të komisariatit në Tropojë, si shenjë mbështetje për ta, në detyrën e vështirë që kishin marrë përsipër.

Në ato ditë të vështira, kam udhëtuar nëpër zonat e nxehta me mjetin e blinduar që e drejtonte Beni.

Kemi ngrënë bukë bashkë, në mencën e varfër të komisariatit të Bajram Currit, sepse më lirë se aty nuk kishim ku tjetër të hanim.

Jemi larë bashkë në degën e lumit Valbonë, Bistricë, se në komisariat nuk kishte ujë.

Kam fjetur në krevatin tip marinari, në zyrën e Benit, brenda në komisariat, për të mos rënë preh e kërcënimeve.

Ndërsa sillja ndërmend keto kujtime, aty në lamtumirën e fundit të Gani Malushit, i kërkova dhe njëhere gati me lutje Benit.

“Ruaju Beni. Nuk kemi nevojë për Dëshmorët në varreza, por për heronjtë e gjallë, që të sigurojnë jetët tona dhe të familjeve tona…”

Dhe nga ajo kohë, Beni mbijetoi për familjen e tij dhe për ne, duke i shërbyer atdheut, si hetues në prokurorinë e krimeve të rënda, dhe në Policinë e Shtetit.

Deri sa sot paradite, një oficer me graden e lartë “Drejtues”, me 35 vite karrierë në Policinë e Shtetit, me vetëm një apartament modest banimi, si çdo shqiptarë i thjeshtë, mori “shpërblimin” për të gjithë sakrificën dhe jetën e tij, duke u flakur tej radhëve të Policisë nga një farë komision vetingu, sepse nuk kishte mbajtur faturë për punën e tij si emigrant gjate 3 viteve në Greqi…

Sot, Policia e Shtetit dhe shqiptarët, humbën një oficerë model.

Arben Frashëri, sot pas 35 vitesh karrierë, nuk ra dëshmorë nga plumbat e krimit, si kolegu dhe miku i tij, por ra viktimë e një sistemi të korruptuar deri në palcë..

Kurajo Beni, hundën mund të ta thyejnë, por kokën nuk ta ulin dot…

Në foto:

1)-Kjo foto qëndron në shtëpinë e Dëshmorit të Atdheut Gani Malushi, dalë me oficerët drejtues të komisariatit Tropojë 1999. Personi me uniforme kamoflazhi eshte Arben Frasheri.

2)-Arben Frasheri para komisionit të vetingut.

3)-Arkivoli me trupin e Kolonel Gani Malushit.

4)-Skuadra ceremoniale e Policise duke i dhënë lamtumiren e fundit Gani Malushit me bresheri kallashnikovesh në varrezat e Sharrës 8 gusht 2003…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *