VETËVRASJA: Nga Behauddin GASHI

12:52 24/08/202017min583
a1a7dbbe-14e2-4c8a-a42b-a8e69b68cebf

Nga Behauddin GASHI

VETËVRASJA

          Jeta, kjo mrekulli e Krijuesit, është shumë e bukur. Dhe në pamje të parë duket se çdokush e do atë, madje nëse do të pyetej edhe më i humburi se çfarë do të dëshironte më tepër, padyshim që do të përgjigjej se do të donte të mos vdiste kurrë. Por, po të shikojmë me vëmendje, do të vëmë re se diku-diku, jetës, përkitazi frikës së madhe karshi vdekjes, nuk është se i kushtohet shumë rëndësi. Dhe faktorët e një sjelljeje të këtillë mund të jenë nga më të çuditshmit. Përfundimi? Shumë shpesh dëgjojmë për akte makabre kur njeriu, kjo krijesë kaq e lartë dhe e mrekullueshme, e mirëinformuar dhe e kujdesshme, arrin që t’ia shkatërrojë jetën vetes.

Unë jam një mysliman që i takon asaj kategorie besimtarësh që nuk mund të heshtin përballë asnjë të keqeje, për më tepër kur bëhet fjalë për një të keqe që herë pas here e traumatizon tërë shoqërinë. Besimi i vërtetë është ai që udhëheq çdo shpirt të pastër e të dlirë, duke ia ndriçuar rrugën drejt më së mirës për veten dhe për gjithçka që e rrethon. E një besimtar i tillë, kur është plotësisht i qartë dhe i bindur në mëkatin që ndonjë vepër bart në vetvete, apo dhe mëkatin e atij apo asaj që kalon pranë ndonjë të keqeje dhe e kthen kokën mënjanë, a thua se nuk e vë re…, ndërkohë që mprehtësia e shikimit fizik e shpirtëror mund të jetë e një shkallë për t’u pasur zili, nuk ka se si të heshtë. Një gjumë i tillë është vrasje jo vetëm e qenësisë personale njerëzore, por e gjithë shoqërisë.

All-llahu i Lartësuar thotë:

“O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vrisni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, All-llahu është i Mëshirshëm me ju”.

Kur’an: Surja En-Nisa’ (Gratë), ajeti 29

 

Në Islam, çdo gjë që theksohet rreth krimit të vrasjes, ka të bëjë edhe me vetëvrasjen, meqë edhe ajo është privim i jetës së dikujt. Pa marrë parasysh se në çfarë mënyre bëhet vetëvrasja, aty merret jeta. Ky është një akt që i Madhi Zot e ndalon rreptësisht.

Jeta nuk është pronë e njeriut. Njeriu nuk është krijues i saj. Ajo nuk është as organ i tij e as qelizë e tij. All-llahu i Lartësuar ia ka dhënë dhuratë dhe njeriut nuk i lejohet që ta pakësojë, pra ta sulmojë apo shkatërrojë atë.

Islami kërkon prej myslimanit që me qëndrueshmëri dhe vendosmëri t’u qëndrojë vështirësive dhe asnjëherë nuk e lejon që të ikë prej jetës e të dorëzohet para ndonjë problemi, paçka madhësisë dhe intensitetit së tij. Besimtari është krijuar që të bëjë përpjekje e jo të përkulet, që të luftojë e jo të ikë. Besimi dhe morali i tij e ndalojnë të ikë nga fushëbeteja e jetës, pasi që në vetvete ka armën e pathyeshme dhe municionin e paharxhueshëm, përkatësisht imanin (besimin) e fortë dhe moralin e sigurt.

Myslimanët me besim të plotë dhe dije të qarta, e dinë mirë se vetëvrasja është e ndaluar kryekëput nga All-llahu i Madhëruar. Për këtë shkak, asnjë mysliman nuk bën vetëvrasje, sepse po ta bëjë, ai e di fort mirë se do ta ketë Xhehennemin si banesë të tij të përjetshme.

Por le të shikojmë një rast tepër interesant, i cili hedh një dritë të veçantë mbi të kuptuarit real se cili është ligji islam për ata të cilët kryejnë vetëvrasje, pavarësisht arsyeve nga më të ndryshmet që mund ta çojnë një njeri – theksoj të dobët apo të paditur nga ana fetare – drejt një akti të këtillë…

Në kohën e Profetit Muhammed, (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), në njërën prej luftrave me armiqtë e Islamit që s’linin gjë pa bërë për ta zhdukur këtë fé dhe ithtarët e saj nga faqja e dheut, gjendej mes myslimanëve një trim i rrallë që luftonte plot guxim në rrugën e All-llahut Fuqiplotë. Njerëzit filluan ta lavdërojnë, duke thënë: “Askush nga ne nuk e bën atë që bën filani”!

Por Profeti Muhammed (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), tha:

– Ai është në Zjarr!

Kjo gjë i goditi rëndë sahabët (shokët e Pofetit); si mund të dënohej me Xhehennem në botën tjetër dikush që po tregonte aq trimëri dhe guxim në rrugën e All-llahut të Lartësuar?!

Atëherë, dikush prej sahabëve, i shkoi nga pas për ta vrojtuar se çfarë do të ishte puna e tij…

Gjatë një beteje, luftëtari trim i madh u plagos keqas. Dhimbjet e plagës ishin të padurueshme dhe, më në fund, kur s’po duronte dot më, ai mblodhi të gjitha forcat, e vendosi dorezën e shpatës në tokë, majën e saj lart dhe u mbështet mbi të.

Sahabi i cili e ndoqi dhe e pa gjithçka me sytë e tij, thotë:

– Të vërtetën ka thënë i Dërguari i All-llahut, Muhammedi (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), sepse ai nuk flet sipas mendjes së vet!

(Buhariu)

 

Pikërisht, duke e ditur dhe vlerësuar këtë çështje më mirë se çdokush tjetër, Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), ua tërheq vëmendjen atyre që dëshirojnë të bëjnë vetëvrasje, duke iu thënë se me kryerjen e këtij akti, ata do të jenë larg mëshirës së Zotit xh.sh. në Xhennet dhe se do të meritojnë hidhërimin e Tij në Xhehennem.

Në këtë kontekst, ai thotë:

“Para jush një njeri është plagosur dhe, nga dhembjet e mëdha, ka marrë thikën dhe e ka prerë nyjen e dorës. Nga gjakderdhja e madhe ka vdekur. Për këtë, Zoti i Madhëruar ka thënë:

“Robi Im shpejtoi me jetën e tij dhe për këtë shkak i është ndaluar Xhenneti””!

(Transmetim unanim)

 

Nëse ndalohet Xhenneti për një plagë të padurueshme që është edhe shkaku i vetëvrasjes, madje plagë e marrë duke luftuar për Hir të Zotit dhe sipas asaj që Ai Vetë e ka ligjëruar si të lejuar dhe të domosdoshme, atëherë ç’mund të ndodhë me ata ose ato që bëjnë vetëvrasje:

 

– Si shkak i kristalizimit të bindjes se nuk ia vlen të jetohet…;

– Për idetë ose iluzionet të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo që quhet arsye për të jetuar është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur);

– Si rezultat i brengave intime, fjala vjen, i largimit apo i humbjes së “dashurisë së madhe”…;

– Prej ndonjë sëmundjeje “të pashërueshme”;

– Si shkak i varfërisë ekstreme;

– Si shkak i ndonjë borxhi;

– Për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve etj., etj..

 

Alija Izetbegoviç ka thënë:

“Kam gjetur shumë vetëvrasje të kryera në shtetet me zhvillim të lartë ekonomik, kështuqë mos u mundoni të gjeni shkaqe ekonomike për vetëvrasjet, por kthejuni rrugës së Zotit”.

Përsa i përket gjykimit të fundit, që sipas disave që bëjnë vetëvrasje e justifikon veprën e tyre, desha t’ju tregoja atë çka flitet për një nxënës të Peregrinosit – shkrimtar i pasluftës – i cili, pasi shkroi librin e tij të parë, vrau veten për të tërhequr vëmendjen mbi veprën e tij. Në fakt, vëmendja u tërhoq, por libri u gjykua i dobët…

Sa qesharake, por edhe çfarë humbje!

Le ta dëgjojnë dëshirat për vetëvrasje këtë hadith Profetik, i cili gjëmon si bubullima dhe ndriçon si vetëtima:

“Ai që bën vetëvrasje duke u hedhur nga shkrepi (shkëmbi), do të jetë pandërprerë duke u hedhur në zjarrin e Xhehennemit, ku edhe do të digjet përgjithmonë; kush pi helm dhe vdes, do ta mbajë helmin në dorë dhe do ta pijë pandërprerë në zjarr të Xhehennemit, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë; kush bën vetëvrasje me një copë hekuri, do ta mbajë atë në duar dhe do ta godasë veten pandërprerë në zjarrin e Xhehennemit, në të cilin do të mbesë përgjithmonë”.

(Transmetim unanim)

 

Padyshim, kërcënim i tmerrshëm!

Mirëpo, si thoni, a nuk është i barabartë me mirësinë që fitohet nëse e largon njeriun nga vetëvrasja?

Një shok i Profetit Muhammed, (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), i quajtur Xhabir Ibn Semra, na tregon se një njeri bëri vetëvrasje dhe se Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) nuk ia fali namazin e xhenazes.

Lumturia e vërtetë dhe qetësia shpirtërore gjenden në nënshtrimin ndaj urdhrave të Krijuesit dhe Rregulluesit të kësaj bote, All-llahut të Madhëruar:

“… Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e All-llahut”!

Kur’an: Surja Er-Ra’d (Shkrepëtima), ajeti 28

 

Nga ana tjetër, ai që i kthen shpinën Kur’anit, do të ketë një jetë të vështirë në këtë dynja, me plot surpriza të pakëndshme, ndërsa në botën tjetër e pret një dënim i tmerrshëm…

          “Kushdo që ia kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”.

Kur’an: Surja Ta-Ha, ajeti 124

 

E midis të gjithë kësaj, ajo që ma mbërthen mendimin dhe ma ngushton gjoksin, mjerisht jo rrallë, është hipokrizia e shoqërisë, është heshtja e saj e flamosur që nuk di të zgjohet, është pranimi pa kushte i çdo të keqeje, a thua se s’ka asnjë damar jete që rreh për të ujitur vazhdimësinë.

Siç dhe e kanë zakon, shqiptarët mblidhen në masë për t’u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të sprovuar me largimin nga kjo jetë të ndonjë të dashuri të tyre, pavarësisht shkakut të vdekjes. Në këtë kuadër, ata u gjenden akoma më pranë personave, i afërmi i të cilëve ka bërë vetëvrasje. Pas varrimit, i sheh që hanë edhe drekën e xhenazes. Sipas një riti standart, fillojnë e bëjnë dhe vizitat. Pasi pinë kafenë për mort, lënë nën filxhan sasinë e caktuar të lekëve – sipas takatit që kanë dhe largohen. I shikon duke u çapitur ngadalë-ngadalë, me një pamje që lëshon rreth e qark dhimbje dhe me sytë që iu vezullojnë lotëve të dëshpërimit. Por, sapo kalojnë pragun e portës, harrojnë, po, po, harrojnë se përse erdhën dhe, Zot na ruaj, ka sish që harrojnë dhe se ku do të shkojnë.

Ky programim, shpesh thjesht për rutinë, kjo monotoni sjelljeje kolektive, pa asnjë shkëndijë që mund të bëhet shkak për ndryshim, bën që të nesërmen t’i shkohet për vizitë, me po të njëjtin motiv vdekjeje – vetëvrasjen – familjarëve të dikujt që kishte ardhur për të ngushëlluar sikur ta. E jeta rrjedh, e vdekja po ashtu. Madje kjo e fundit vrapon t’i marrë, pa u njohur moshë, profesion a virtyt. Ama të ikësh, duke mohuar veten deri në pikën ku vetëvrasja bëhet ligj i pashkruar, kësaj nuk di se çfarë emri t’i vë!…

Zot, fal e mëshiro, drejto e udhëzo!

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto