“U ndanë nga jeta dy artistë të veçantë”/ Albin Kurti jep lajmet e hidhura për mbarë kombin shqiptar (FOTO)

09:36 23/02/20216min49

RIP-900x640-1-696x495-2-2-2-1-1-1-2-2

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për ndarjen nga jeta të poetit Lefter Çipa dhe këngëtarit Zef Kakoca, të cilët ndërruan jetën në 18 dhe 20 shkurt.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti shkruan se të dy këta artistë do t’i mungojnë Kosovës.

Postimi i plotë:

Këto ditë pat lajme të hidhura për dashamirët e muzikës sonë folklorike. Më 18 shkurt u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare flamuri i Bregut e i Labërisë, poeti nga Piluri, Lefter Çipa, e më 20 shkurt është shuar në moshën 62 vjeçare edhe poeti e këngëtari i shquar, promovuesi i kulturës e i folkut arbëresh, Zef Kakoca (Giuseppe Cacozza). Dy atdhetarë të mëdhenj, dy kulme të një forme shprehëse e cila shkon kah nënshtresat më të thella të gjuhës e qenies sonë, duke nxjerrë prej lashtësisë fjalën dhe këngën e rrënjëve e duke i aktualizuar ato për një publik të gjerë e bashkëkohor. Lefter Çipa, ky autor i mijëra këngëve e poezive, që mes shumë çmimeve të tjera mbante dhe çmimin “Nder i Kombit” prej Republikës së Shqipërisë, ka folur e do t’u flasë edhe brezave të ardhshëm me gojën e polifonisë së Bregut, ku Piluri i tij rri si rrufepritës para detit të stuhishëm apo si verandë soditëse para detit dashuror. Gjatë fushatës teksa udhëtonim nëpër aktivitete, dëgjova dy aktivistë që po këndonin si nëpër dhëmbë e me zë të ulët këngën “Tundu bejkë”. Sigurisht ata nuk e dinin se ajo këngë, që njihet si popullore, është me tekst të Lefter Çipës. Por s’ka dert, me rëndësi është se edhe rinia e Kosovës po i mëson e i mban gjallë ato këngë të polifonisë himariote.

Ky është shpërblimi për Lefter Çipën e paharrueshëm i cili shkruante: “Më besoni, për Kosovën / Dhe të vritem do të ngjallem”. Në festivale e konkurse, sidomos në atë të Gjirokastrës, mbase Lefter Çipa do të jetë takuar me Giuseppe Cacozza-n, ose siç prezantohej vetë ai, me Zef Kakocën. Mjeshtri nga Arbëria, i lindur në Shën Mitër (San Demetrio Corone) ka qenë i laureuar me urdhrin “Naim Frashëri” prej Republikës së Shqipërisë, e në Napoli me çmimin prestigjioz “Premio Mediterraneo d’arte e creativita”. Mbledhës e përpunues i këngëve arbëreshe, Kakoca shkruante edhe vetë poezi e muzikë për to. Veç kësaj, shkruante dhe drama e prozë, e ishte aktiv në publicistikë, në çështje të ndryshme shoqërore e kombëtare. Botues i revistës së parë online arbërisht, të famshmes Arbitalia, Kakoca ka qenë i angazhuar shumë edhe për çështjen e Kosovës. “Sot jemi gjithë me tia, o Kosovë” shkruante ai në vitet e vështira të luftës, e më vonë ai ka qenë ndër veprimtarët arbëreshë që kanë kërkuar pranë qeverisë italiane të bëhet trysni për lirimin e të burgosurve nga burgjet e Serbisë, ndër të cilët isha edhe unë. Në një poezi të tijën ai shprehte dëshirën që “shpirti të fiuturonjë ajër arbëresh”. Me një dëshirë të tillë bashkohem edhe unë, teksa shkruaj ngushëllimet e mia për familjarët, dashamirët e publikun e gjerë, i cili ka humbur dy njerëz të gjallë, por jo dy poetët, shpirti i të cilëve do të vazhdojë të marrë frymë, labërisht e arbërisht, sepse jeton te ne e te kombi ynë që nuk shuhet. I paharruar qoftë Lefter Çipa i Pilurit e i gjithë shqiptarëve. I paharruar qoftë Zef Kakoca i Shën Mitrit e i gjithë shqiptarëve.

“U ndanë nga jeta dy artistë të veçantë”/