Tensionet në Mesdheun Lindor/ Macron ashpërson tonet ndaj Erdoganit, përgjigjet Turqia: Po vë në rrezik…

20:12 10/09/20204min107
Macron-Erdogan

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u kërkoi udhëheqësve të tjerë evropianë të enjten të reagojnë ndaj qeverisë turke dhe atyre që ai i quajti provokime “të papranueshme” ndërsa Turqia kërkon të zgjerojë burimet e saj të energjisë dhe ndikimin në Mesdheun lindor.

Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian që kufizohen me Detin Mesdhe po mbajnë një samit emergjent në Korsikë mes frikës së një konflikti të hapur me Turqinë që rrjedh nga rritja e tensioneve mbi kërkimet e naftës dhe gazit në det të hapur. Krerët turq kanë sulmuar Francën dhe BE-në se po mban anën e Greqisë dhe Qipros në mosmarrëveshje.

“Turqia nuk është më një partner në këtë rajon,” u tha Macron gazetarëve përpara samitit. “Ne, evropianët duhet të jemi të qartë dhe të vendosur” me qeverinë e Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, në lidhje me “sjelljen e saj të papranueshme”, tha ai.

Macron nuk sqaroi se çfarë veprimesh specifike dëshiron që vendet evropiane të ndërmarrin, por tha se ata duhet të vendosin “vijat e kuqe” me Turqinë dhe të përpiqen të rifillojnë dialogun.

“Ne duhet të jetojmë në paqe,” tha udhëheqësi francez.

“Qëllimi ynë është të shmangim të gjitha përshkallëzimet, por shmangia e përshkallëzimit nuk do të thotë pasivitet ose pranim,” shtoi ai. “Turqisë i mbetet të qartësojë qëllimet e saj”, shtoi Macron.

Anijet turke vazhdojnë të kërkojnë gaz në ujërat ku Greqia dhe Qiproja pretendojnë të drejta ekskluzive ekonomike.

Franca po kryen patrulla ushtarake në rajon në një shfaqje të mbështetjes për Greqinë dhe Qipron dhe BE-ja po mendon për sanksione të reja kundër Turqisë.

Të ndarë nga diskutimet diplomatike, zyrtarët ushtarakë turq dhe grek u takuan ditën e sotme në selinë e NATO-s, si pjesë e takimeve që synojnë uljen e rrezikut të konfliktit të armatosur. Greqia dhe Turqia janë të dyja anëtare të NATO-s.

Ministria e Jashtme e Turqisë reagoi ndaj deklaratës së Macron duke e konsideruar si “arrogante” dhe në përputhje me “reflekset e vjetra koloniale”. Ministria akuzoi presidentin francez për rritjen e tensioneve dhe vënien në rrezik të “interesave më të mëdha” të Evropës.

” Nuk i takon Macron të përcaktojë juridiksionin detar të ndonjë vendi në Mesdhe ose diku tjetër,” tha ministria turke në një deklaratë.

Macron kërkon “të japë mësime duke folur me reflekset e tij të vjetra koloniale”, shtoi deklarata.

Zëdhënësi i partisë në pushtet të Turqisë kritikoi “gjuhën kërcënuese” të Macron.

“Ne kemi probleme me mendjet koloniale si tuajat, Z. Macron,” tha zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Omer Çelik, në Twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto