“Nuk mund të bisedohet vetëm për temat të cilat i dëshiron njëra palë, e të mos diskutohet edhe për temat që paraqet pala tjetër”, ka thënë një burim diplomatik në Bruksel.

Në Kosovë, në javën e kaluar u krijua debat mes liderëve politikë nëse duhet që për temën e Asociacionit të diskutohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. Në anën tjetër, në BE pohojnë se Kosova, pasi ka nënshkruar marrëveshje për themelimin e Asociacionit, tani duhet të dalë edhe me propozim se si ta zbatojë atë.

Por, i pyetur se a do të pranojnë që kjo të realizohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, ku Gjykata gjeti se Marrëveshja për themelimin e Asociacionit në 23 pika të saja ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, shefi i delegacionit të Serbisë, Marko Gjuriq kishte deklaruar se “e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese nuk duhet të ketë rol në këtë” dhe këtë përfshirje të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e kishte vlerësuar si tentim për të penguar zbatimin e kësaj pjese të marrëveshjes.

Në BE thonë se vazhdojnë të punojnë në përpjekjet për të organizuar edhe takimin në fjalë në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, javën që vjen.