Situata e pandemisë drejt katastrofës: Meta zbulon letrën drejtuar Manastirliut

11:50 28/10/20206min77
ilir-meta-640x371

Presidenti Ilir Meta ka zbuluar sot një letër që i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë lidhur mes situatën e COVID-19 në Shqipëri. Në një postim në mediat sociale teksa zbulon letrën për qytetarët, Meta shkruan se “situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”.

Kreu i Shtetit shkruan se është detyruar që t’i kërkojë informacion Ministrisë pasi në vend po shtohen shumë personat e infektuar.

“Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues”, shkruan ai.

Po ashtu sipas Presidenti situata e pandemisë është përkeqësuar dhe “me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit”.

Në kërkesën për informacion, Meta kërkon të dijë nëse vendi është i përgatitur për shtimin e rasteve me COVID, nëse ka hapësira të mjaftueshme në spital dhe nëse është menduar për rritje të testimeve dhe rritje të buxhetit për mjekësinë.

LETRA E PLOTË E METËS DREJTUAR MANASTIRLIUT

Referuar informacioneve zyrtare, situata e pandemisë COVID-19 është rënduar dukshëm javët e fundit në vendin tonë. Sa më sipër, mendoj se duhet bërë një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.

Elementët themelorë, të përcaktuara qartë nga OBSH, si testimi, gjurmimi dhe trajtimi, kërkojnë natyrshëm një intensifikim të jashtëzakonshëm të masave për realizimin e plotë të tyre. Duke pasur parasysh që Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Evropë, çfarë masash janë marrë për të shtuar këtë numër? A ka ndonjë parashikim se kur dhe sa do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim?

A kemi staf mjekësor dhe mbështetës mjaftueshëm për të siguruar gjurmimin e kontakteve, veçanërisht me rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19? Çfarë përpjekjesh janë bërë për vënien në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, si në nivel testimi ashtu edhe diagnostikimi dhe mjekimi të pacientëve që mjekohen ambulatorisht?

Çfarë masash janë marrë për rimbursimin e shpenzimeve për mjekim apo kontroll të pacientëve, që mjekohen ambulatorisht, duke pasur parasysh që këto shpenzime kapin vlera shumë të larta për qytetarët shqiptarë? Për sa i takon trajtimit, vërehet qartë se të dy strukturat e përcaktuara, spitalet COVID1 dhe COVID2 janë tepër të ngarkuara.

Sa kapacitete spitalore dhe reanimatore janë vendosur në dispozicion të të sëmurëve Covid dhe sa në dispozicion të të sëmurëve të tjerë me sëmundje kronike ose jo, të cilët kanë vështirësi në marrjen e ndihmës mjekësore? A ka një plan koordinimi midis sistemit shëndetësor publik e atij privat për testimin, gjurmimin dhe kurimin sa më të mirë të pacientëve të prekur nga Covid-19?

Si është planifikuar vaksinimi stinor dhe sa është përqindja e popullsisë me risk të lartë, e vaksinuar deri në këto momente? Çfarë masash janë marrë për sigurimin e vaksinës dhe për vaksinimin e popullsisë kundër Covid-19 dhe si mendohet të kryhen fazat e këtij vaksinimi menjëherë mbas daljes së vaksinës?

A janë planifikuar në buxhetin e shtetit fonde të mjaftueshme për përballimin e pandemisë Covid-19, në rritje dhe pasojat e saj në shëndetin e popullsisë? Sa financime janë kryer deri tani, sa janë parashikuar të kryen në javët dhe muajt e ardhshëm dhe cilat janë instrumentet financiare që do të përdoren për të përballuar situatën shëndetësore që po përkeqësohet dita ditës?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto