Si u zbulua nga kamerat e sigurisë i akuzuari për vrasjen e Bujar Çelës, Nuredin Dumani i dyshuar edhe për vrasjen e shokut të tij në Rrogozhinë

14:44 10/10/20209min179
Dumani

Identifikohet një nga autorët e vrasjes së Bujar Çelës, ngjarje e ndodhur në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, më 17 shtator të këtij viti.

Viktima është vëllai i Talo Çelës, i shpallur në kërkim nga Policia si një nga anëtarët e bandës së grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit dhe i dyshuar për ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia në Durrës. Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, 37-vjeçarin nga Dibra Nuredin Dumani.

Ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Sipas burimeve, mësohet se Nuredin Dumani është identifikuar nga kamerat e sigurisë teksa qëllonte me pistoletë ndaj Bujar Çelës.

Dyshohet se Dumani ishte i pari që qëlloi në drejtim të 62- vjeçarit Çela, ky i fundit ishte duke konsumuar kafenë e mëngjesit në një lokal. Dumani dyshohet edhe si vrasësi i vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e ndodhur në muajin maj të këtij viti, si edhe për një tjetër vrasje në Rrogozhinë të ndodhur së fundmi.

POLICIA

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, pas një pune intensive hetimore 20-ditore, zbuluan dhe dokumentuan me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në datën 17 shtator 2020, ku pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, Elbasan, mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Bujar Çela.

Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, një 37- vjeçar nga Dibra, Nuredin Dumani, lindur në Dibër dhe banues në Durrës. Ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit vijon puna intensive për kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si edhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

KUSH ËSHTË NUREDIN DUMANI

Nuredin Dumani është një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë dhe dy personave të tjerë.

Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Vëllezërit Haxhia, gjithmonë sipas dëshmisë së Klevis Allës, kanë deklaruar se paratë i kanë humbur në muajin janar të këtij viti, kur servisi i tyre ra pre e vjedhjes, ku i morën edhe materiale dhe nuk kishin asnjë mundësi për t’i kthyer pas. Dumani është shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.

Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.

Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.

Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.

Vrasjet,dyshohet se kanë lidhje me grabitjen e Rinasit

Katër vrasjet e ndodhura në mars dhe prill të këtij viti në Durrës dyshohet se kanë për motiv humbjen e një sasie të konsiderueshme parash, të cilat u vodhën në grabitjen e Rinasit nga Talo Çela dhe Admir Murataj e bashkëpunëtorët e tyre.

Mësohet se Talo Çela ka lënë një sasi të madhe parash nga ato të vjedhurat në ruajtje te vëllezërit Haxhia. Sipas dëshmisë së Klevis Allës, që mban statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Çela ka pasur një konflikt me viktimat, të cilëve u kishte lënë në ruajtje shumën e parave që nuk ia kishin kthyer.

Burime pranë Prokurorisë së Durrësit bënë të ditur se vëllezërit Haxhia pretendonin se shuma e parave ishte grabitur në servisin e tyre, pas një vjedhjeje që kishte ndodhur në janar të këtij viti.

Por me sa duket, një alibi të tillë nuk e ka besuar Talo Çela, i cili, edhe pse në arrati, ka filluar të bashkëpunojë me Nuredin Dumanin, Klevis Allën dhe Altin Ndocin, duke kryer vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.

Ndërkohë, disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata të katërt kanë vrarë edhe dy persona në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn, ku ende nuk dihet me saktësi se cili ka qenë motivi i këtij krimi.

Por dyshohet se këta të fundit kishin dijeni për vjedhjen e servisit të dy vëllezërve Haxhia, madje Talo Çela dyshonte se vëllezërit Haxhia kishin futur Shkozën dhe Avdiajn të vidhnin paratë që të justifikonin mungesën e tyre.

37-vjeçari, i dyshuar edhe për vrasjen e shokut të tij në Rrogozhinë

Sipas informacioneve të Policisë së Elbasanit, Nuredin Dumani dyshohet se është i implikuar edhe në vrasjen e shtetasit Klevis Kapllani, me të cilin kishte njohje të hershme dhe shoqëroheshin bashkë.

Gjithashtu mësohet se Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj, dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga Policia për ngjarjet kriminale, ata shoqëroheshin bashkë në publik.

Burime nga Policia bënë të ditur se Kapllani ka qenë i dënuar dy herë në Itali, si shpërndarës droge. Por tashmë Nuredin Dumani rezulton i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Durrësit, pasi akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktimash, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli, ngjarje të ndodhura në muajin mars dhe maj të këtij viti.

Për këtë ngjarje në kërkim është dhe Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *