Si u ‘grabit’ dosja e Nanos në Romë, Braho rrëfen prapaskenat: Kush ishin qarqet e interesuara për të dënuar ish-kryeministrin!

15:13 04/12/202023min119
Fatos-Nano-Spartak-Braho-Prapaskenat-400x267

Në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, deputeti socialist Spartak Braho i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme arrestimit dhe dënimit të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, në vitin 1993 nën akuzën e korrupsionit. Braho rrëfen takimin e tij me Nanon, ditën e parë të arrestimit në një nga qelitë e Burgut 313 në Tiranë.

Sipas Brahos, Blerim Çela, në atë kohë kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Alush Dragoshi, prokurori i përgjithshëm kishin ngritur një akuzë të dobët ndaj Fatos Nano që siç e vërtetoi dhe koha, por dhe dokumentet e ardhura nga Prokuroria italiane, ishin të paplota dhe të falsifikuar duke e cilësuar një dënim politik.

Me detaje, në këtë pjesë të librit, Spartak Braho tregon kontaktet e tij me prokurorët italianë që ndiqnin të njëjtën akuzë korrupsioni për zyrtarët italianë që ishin marrë me sjelljen e ndihmave humanitare në Shqipërinë e vitit 1991. Duke cituar prokurorin italian Vitorio Barbieri, i cili i është shprehur se “ka një bashkëpunim transadriatik mes qarqeve të caktuara në Itali dhe në Shqipëri që u intereson ta dënojnë Nanon…”.

“Në favor të të tretëve, kur të tretët ende nuk janë dënuar…!?”, Braho shprehet se dënimi i Nanos ishte tërësisht politik nga Presidenti i kohës, Sali Berisha.

 

 

SPARTAK BRAHO

SHËNIME NGA BURGU, ARRESTOHET FATOS NANO

Sot, 30 korrik 1993, ora 12, teksa ndodhej i thirrur në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, Fatos Nanos, Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, iu komunikua arrestimi. Ishte një arrestim i pritshëm, por i përgatitur keq nga Blerim Çela, Alush Dragoshi, urdhëruar nga Sali Berisha dhe ambasadori Rajërson. Fatos Nano e priti me qetësi dhe po me qetësi deklaroi se ky është një arrestim politik i kryetarit të opozitës dhe me shpoti iu drejtua Prokurorit që i lexoi urdhrin e arrestit dhe të tjerëve që ndodheshin të pranishëm: “Do të takohemi shpejt, kur unë të jem Kryeministër” dhe qeshi me ironinë e tij të zakonshme. Duarlidhur, ai u fut në fugon dhe u përcoll në drejtim të Burgut 313.

Kryesia e Partisë Socialistë, pas kësaj ngjarje urdhëroi të gjithë anëtarësinë dhe militantët e saj që pasdite, ora 17, të mblidheshin dhe të zhvillonin me urgjencë një miting në fushën pranë stadiumit Dinamo.

Nënkryetari i partisë, prof. Servet Pëllumbi, më thirri në zyrë dhe më porositi që të përpiqesha të hyja në kontakte që të merrja informacion lidhur me gjendjen e “të burgosurit të ri”.

Me shumë peripeci dhe duke qenë se isha i njohur në ambientet e burgut dhe të Policisë, duke paraqitur dhe kartën e avokatit, hyra në Burgun 313 dhe arrita të komunikoj më Fatos Nanon. “E mo Tako, erdhe?! Thuaj Xhinës të më sjellë disa rroba”, më tha. Ndjehej jo keq dhe shpërndante humor me rojet. I dhashë një paketë cigare dhe ai në shkëmbim ndau me mua një çokollatë “Mars”, duke belbëzuar me zë të ulët se “nuk kam ndonjë gjë tjetër. Porositë i kemi biseduar dhe ia kemi lënë shokut Servet dhe shokut Gramoz.” Vazhdon….Dhe pasi shkeli syrin belbëzoi me zë të ulët: “Më sill një radio dore sa më parë”.

SI U “GRABIT” DOSJA NANO NË ROMË

Në 30 korrik të vitit 1993 Nano u arrestua dhe në vijim pas një gjyqi farsë të zhvilluar në Tiranë u dënua me 12 vjet burgim për shpërdorim detyre dhe vjedhje në favor të të tretëve. Në prill të ’95-ës jam gjendur përsëri në Bari, ku kam takuar Xhuzepe Perniolën, i ngarkuar për sjelljen e ndihmave italiane në Shqipëri. Në këtë kohë, siç edhe më tregoi, edhe ndaj tij po zhvillohej një proces gjyqësor nga Prokuroria italiane.

Kërkova të takohesha me avokatin e tij për t’u sqaruar më hollësisht dhe ai erdhi pas dy ditësh në Bari dhe me shpjegoi se procesi ndaj shpërdorimit të ndihmave në Shqipëri po shkonte drejt mbylljes. Mbaj mend se në atë kohë në rrugët e Barit kam takuar edhe një student shqiptar, i gjatë dhe thatosh, i cili studionte për Shkenca Politike dhe me tha se quhej Mentor Nazarko. Biseduam shkurt, por e pashë se në sytë e tij kuriozë nuk arrita ta shquaj plotësisht dëshirën për t’u njohur me arsyen e qenies sime në Bari.

U nisa për në Romë, së bashku me një mikun tim emigrant, E. Bakiasi, i cili më shoqëroi gjatë tërë kohës. Pasi vendosa kontakt me zyrën e prokurorëve Vitorio Barbieri dhe Rafaele Montaldi, pas disa minutash sekretarja e zyrës së prokurorit, më njoftoi se të nesërmen pasdite prokurori më priste në zyrë. Po atë pasdite u lidha me Rexhina Nanon, gruan e Fatosit dhe më pas me Fatmir Kumbaron. I shpjegova arsyen e vajtjes në Romë dhe nëse duhet të vazhdoja të ndiqja kontaktin me dy prokurorët italianë. Rexhina u përgjigj “po, po, por me shumë kujdes, merr kontaktin e parë dhe siguro që të presin, në qoftë se arrijnë edhe avokatët e tjerë të çështjes Nano, Përparim Sanxhaku dhe Agim Tirana.”

Njëkohësisht, më vuri në dijeni që aty në Romë banonte edhe motra e Fatosit, Mimoza, me të cilën duhej të merrja menjëherë kontakte. Të nesërmen në orën 12.00 jam paraqitur në Prokurorinë e Romës bashkë me motrën e Fatosit, ku na priti veç Barbieri dhe ndihmësi i tij, Rafaele Montaldi. Në bisedë me prokurorët e paraqita problemin në aspektin juridik dhe më pas në atë politik, duke shpjeguar se përse e djathta e Shqipërisë kishte burgosur liderin e së majtës dhe Kryetarin e Partisë Socialiste.

Barbieri më kërkoi vendimin e gjyqit, të cilin nuk e kisha me vete, por u thashë se do ta sillja të nesërmen. Lamë një tjetër takim dhe menjëherë telefonova Rexhinën për t’i kërkuar vendimin e gjyqit. Ditën e takimit të dytë ajo më faksoi dokumentin në fjalë dhe të falat e Fatosit, i cili kërkonte që unë të institucionalizoja marrëdhëniet me prokurorët në Romë dhe të bëja të mundur që të paraqitej në takimin e ardhshëm edhe avokati Përparim Sanxhaku. Pasi i dorëzova vendimin e gjykatës shqiptare, Barbieri më pyeti se përse ishte dënuar Nano.

Unë iu përgjigja se ai ishte dënuar për shpërdorim detyre dhe vjedhje në favor të të tretëve, afërsisht diku 7 milionë dollarë. “Po kush janë të tretët”, më pyeti prokurori. “Ministrat tuaj”, i thashë. Ai uli kokën dhe qeshi nën vete dhe shkurtimisht tha: “ka një bashkëpunim transadriatik mes qarqeve të caktuara në Itali dhe në Shqipëri që u intereson ta dënojnë Nanon…”. “Në favor të të tretëve, kur të tretët ende nuk janë dënuar…”, e mbylli bisedën rokurori italian. I kërkova që të më vinte në dispozicion të gjithë dokumentacionin që kishte në dispozicion, kur unë të rikthehesha në 1 korrik bashkë me avokat P. Sanxhakun.

Bashkë me avokat Përparim Sanxhakun u kthyem në Romë në fillim të korrikut, ku kishim fiksuar një takim me prokurorin italian. Në takim ai na theksoi se tashmë ishte arkivuar procesi hetimor mes zyrtarëve italianë dhe kur i kërkuam një kopje të këtij vendimi na tha se nuk mund ta marrim ende pa kaluar 15 ditë që vendimi të merrte formën e prerë. Përfituam nga rasti në ato 15 ditë t’i kalonim me ca miq të mi emigrantë në Romë, Bilbil dhe Mirket Kotorri, të cilët banonin në rrethinat e Romës. Aty janë ende edhe sot!

Pritëm në shtëpitë e tyre deri sa kaluan 15 ditë dhe në këtë kohë sekretarja e Barbierit, siç e kishim lënë, na vuri në dispozicion të gjithë dokumentacionin, një mal i madh me materiale origjinale, rreth 3000 fletë, nga të cilat ne do të përzgjidhnim ato që na interesonin. Sanxhaku pas disa ditësh u kthye, ndërsa unë me ndihmën e motrës së Fatosit e nisnim punën në 8.00 në mëngjes dhe rrinim mbi 7 orë deri në orën 15.00 të pasdites për të përzgjedhur materialet. Kemi nxjerrë rreth 1000 fletë dokumente prej tyre, që na interesonin e që e nxirrnin Nanon të pafajshëm. –

Për t’i marrë këto dokumente na duhej t’i fotokopjonim, por kushtonte rreth 300 lireta fotokopja e një faqeje, e kështu shkonte shumë. Atëherë, një miku të Fatosit, i quajtur Rafaele Fella i kërkuam ndihmë për të përgatitur materialin. Kështu përfundoi misioni për t’i marrë dokumentet, por akoma më e vështirë ishte për t’i sjellë ato në Tiranë. Preferova të mos udhëtoja me avion, por të merrja tragetin nga Durrësi, sepse mendova që kështu mund të ishte më e lehtë.

U ktheva në Bari dhe aty kam takuar rastësisht Fadil Canajn, që ndodhej prej dy vjetësh i punësuar diku në strukturat e Policisë italiane, të cilit i dhashë një kopje të dokumenteve për t’i ruajtur për çdo rast. Trageti arriti rreth orës 21:00 në Durrës dhe unë prita në fund të pasagjerëve me një çantë në dorë, pasi mendova të dal i fundit. E ndërsa prisja radhën për të dalë, në dritaret e “La Vikingës”, pashë djalin tim Arbër që vinte vërdallë duke më kërkuar mua nga jashtë. Ia dhashë çantën nga dritarja dhe i thashë “vrapo”. Në ambientet e Policisë së Portit më njoftuan se më priste Bahri Hoxha, shefi i Policisë. Më ftoi me mirësjellje dhe më pyeti se ku paske qenë kështu?! I thashë se isha diku në Itali dhe për t’i mbushur mendjen i tregova një libër autobiografik të D’Alemës. “Po ky nuk më intereson” tha, “është i juaji”. “Më intereson mua” i thashë dhe dola nga zyra. Në hyrje të portit më prisnin ime shoqe Anida, Rexhina Nano dhe Përparim Sanxhaku. Misioni kishte mbaruar me sukses!

Të gjithë këto dokumente vërtetonin falsifikimet që ishin bërë në procesin gjyqësor ndaj Nanos. Në dosjen e hetimeve në Gjykatë qëllimisht ishin 300 fletë, të përkthyera shumë keq. Dokumentet vërtetonin se procesi “Nano” dhe gjyqi ndaj tij ishte bërë me materiale të falsifikuara dhe jo të plota, se dy zyrtarët italianë që ishin hetuar, pasi Nano “kishte vjedhur në favor të tyre”, kishin marrë pafajësi. Nano kishte qenë për afro pesë vjet vetëm i burgosuri politik i regjimit të Berishës. Këto dokumente të “rrëmbyera” në Prokurorinë italiane u përdorën më pas për rishikimin e “çështjes Nano”, në bazë të të cilave dhe nga rigjykimi Fatos Nano u shpall i pafajshëm.

BURGOSJA E FATOS NANOS KA MOTIVE POLITIKE, POR NË THELB ZGJIDHJA ËSHTË JURIDIKE

Ka afro tri javë që opinioni shqiptar është tronditur nga ngjarja e rëndë që mjetet e shtypit opozitar, liderë e politikanë të ndryshëm e kanë etiketuar si krim politik të tipit fashist. U vra në Shkodër një militant i PAD-së, Gjovalin Çekini. Po të ecim mbrapa në kohë, jo më shumë por gjashtë muaj, në 18 qershor 1993, po në Shkodër u parapërgatit një krim tjetër politik, në qendër të të cilit ishte Fatos Nano, por që fatmirësisht ai e shmangu, ndërkohë që gjatë fushatës elektorale të 22 marsit 1992, ai u godit direkt nga mitingashët e PD-së dy herë me dinamit. Por, po të vijmë më pas, vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër shënojnë prologun e krimeve politike.

Nuk është rastësi që të gjitha rastet e krimeve të mësipërme, por edhe të dhjetëra krimeve të tjerë që nga koha e murosjes së Rozafës e deri te vrasja e Oso Kukës, Çerciz Topullit, Perlat Rexhepit, Vasil Shantos etj, është zgjedhur Shkodra, qyteti kufitar verior i Shqipërisë, qyteti i emancipimit kulturor të kombit shqiptar, nyje ku janë përplasur shumë interesa të brendshme e të jashtme, sa ekonomike aq dhe politike e religjioze. “T’i themi ndal krimit politik”, është thirrja për të cilën kanë bërë apel këto ditë forcat e vërteta progresiste politike. Me forcë e kërkon këtë apel PS-ja, PAD-ja UNIKOMB-i, PSD-ja, PBDNJ-ja, ndërkohë që PD-ja ka heshtur dhe liderë të veçantë të saj partiakë e pushtetarë akuzohen si skenaristë të krimeve politike, të alibive që krijon.

Por, a janë të vërteta këto akuza dhe a është i vërtetë ky përfundim? Do të thosha se për mendimin tim, çelësi i këtij përfundimi, sqarimi i tij qëndron te zbërthimi i krimit politik të 2 prillit 1991. Regjisorët e autorët ende të pa denoncuar publikisht të vrasjeve të 2 prillit janë njëkohësisht regjisorët e autorët e krimeve politike të denoncuara, por të pazbuluara ende. Një gjë shquhet qartë që tani: Objekti që synon të godasë krimin politik, fokusi i tij. Forcat e vërteta demokratike dhe elementë të caktuar progresivë janë vënë në objektin e goditjes së krimit politik. Në këtë aspekt më e shfaqura, më e hapura, më e demaskuara është burgosja e Fatos Nanos.

Aktualisht dhe realisht Fatos Nano dhe nëpërmjet tij, Partia Socialiste është vënë në fokusin e skenarëve të krimit politik. Arrestimi i tij është pjesa më e dukshme e këtij fokusi. Por si dhe pse u arrestua Fatos Nano? Kush e burgosi atë dhe çfarë synohet duke goditur Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste? Këto pyetje ka kohë që kanë marrë përgjigje. Rrallë se gjen në Shqipëri tani njerëz që nuk e kuptojnë se Fatos Nano është i burgosur për t’u eliminuar si kundërshtar politik, se ai mbahet peng me akuza banale e veprimet antiligjore të kryera ndaj tij, por dhe të tjerëve si Neritan Ceka, Aleksandër Frangaj e Martin Leka, etj. Mendimi opozitar në përgjithësi ka kompromentuar “shtetin ligjor të së drejtës” sloganin e respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut në Shqipëri.

Është pikërisht kjo arsyeja që reagimi ka nisur i fortë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithkush “çështjen Nano” e ka vlerësuar si çështje politike, si krim politik që i bëhet dhe fizikisht një politikani të shquar, liderit të opozitës shqiptare. A nuk janë 23 deputetët përfaqësues të katër partive parlamentare, nga 6 që ka parlamenti shqiptar ata që u shprehën hapur për këtë fakt dhe që kërkuan lirimin e Fatos Nanos menjëherë? “Greqia e ka atakuar regjimin në fuqi (PD-në) për shkak të ndjekjes së Nanos. Arrestimi i Fatos Nanos është çështje politike”, deklaroi A. Xohaxopulos, Sekretari i Përgjithshëm i PASOK-ut në intervistën e tij të 18 janarit te “Zëri i Popullit”.

Ndërkohë, M.Martinez u shpreh qartë në takimin me delegacionin tonë të kryesuar nga Eduard Selami, i cili nuk duhet të harrojë sugjerimin e Martinezit se Europa të pranon në gjirin e saj jo për rezultatet “e larta” në zhvillimin e ekonomisë së tregut, po për rezultatet e arritjet reale në respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut. Pa u tretur jehona e intervistës së tij, 26 eurodeputetë (nga 12 të nevojshëm) kërkuan mocion rezolutë, për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe që siç del nga përmbajtja e saj ajo ka në qendër hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri, të klimës së rënduar politike, “çështjen Nano” etj.

Janë të gjitha gjasat dhe Partia Socialiste është e bindur për këtë, se edhe Komiteti i Unionit Ndërparlamentar i mbledhur më datë 24-27 janar në Gjenevë “për shqyrtimin e “çështjes Nano”, do të vlerësojë gjithashtu se arrestimi dhe burgosja e Fatos Nanos është çështje politike etj. Ky është vlerësimi i situatës politike në Shqipëri që i bën Europa dhe personalitetet më në zë të saj. A do të thotë më Presidenti Berisha “që unë s’di gjë të ketë ndërhyrë njeri për çështjen Nano”, apo Arbnori në deklarimin e tij mohues se “nuk i takon parlamentit të shqyrtojë kërkesën e 23 deputetëve për lirimin e Nanos, por drejtësisë”?

Po akuzat fyese e nxitëse të Eduard Selamit “se Nano është hajdut e i korruptuar”, çfarë do t’u mbetet? Të gjitha deklarimet e mësipërme të politikanëve që drejtojnë Shqipërinë, janë zhvleftësuar e po zhvleftësohen më shpejt se sa mendohej. Si forcë e organizuar dhe e pjekur politike me mbështetje të gjerë mbarë popullore, me reputacion ndërkombëtar e në aleancë me forcat e tjera progresive politike, PS-ja do të dijë jo vetëm t’u ruhet kurtheve, por edhe t’i denoncojë e t’i demaskojë./panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto