Drejtori i bordit të Institutit për Siguri dhe Integrim nga Prishtina, Arbër Vokrri, tha për Radion Evropa e Lirë se është vështirë të dihet numri i kosovarëve në Siri.

“Sipas të dhënave tona, janë më pak se 100 persona, madje mund të jenë mes 60 dhe 80 personave. Statistika ngatërrohen për shkak se në këtë numër llogariten edhe fëmijët që kanë lindur nga martesat e përziera[martesat e grave nga Kosova pas vdekjes së burrit të parë]. Njëri prind mund të jetë shqiptar e tjetri mund të jetë nga Kaukazi apo diku tjetër, dhe mandej nuk mund të ketë saktësi përfundimtare të të dhënave”, tha Vokrri.

Po ashtu, ai thotë se integrimi i personave të kthyer vazhdon të jetë një sfidë për institucionet e Kosovës dhe se problemi më i madh në këtë rrafsh është mungesa e buxhetit.

“Institucionet janë informuar, do të thotë kanë mbledhur mjaftueshëm të dhëna për fenomenin, për motivet e shkuarjes së qytetarëve atje, qëndrimin dhe gjendjen në terren dhe kanë përpiluar një strategji që mund të themi se është e mirë, sikur të implementohet në tërësi. Do të thotë përgjigjja institucionale është në rregull, por problemi është të pamjaftueshmëria e buxhetit”, shpjegon Vokrri.

Ramadan Shkodra, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se BIK-u nuk ka të dhëna të sakta se sa mund të jetë numri i kosovarëve në Siri.

“Ne kemi ndihmuar në riintegrim dhe deradikalizim, pastaj kemi ndihmuar me pako ushqimore, ndihma sociale e këshilla dhe çështje të tjera që kanë qenë në kuadër të strategjisë nacionale për këtë punë”, thotë Shkodra.

Vokrri thotë se pavarësisht mungesës së mjeteve buxhetore nga shteti, riintegrimin e personave të kthyer nga Siria në Kosovë e ka vështirësuar ndërhyrja jokompetente e shoqërisë civile dhe disa mediave. Ai nuk ka përmendur se për cilat organizata apo media bëhet fjalë.

“[Ato] e kanë rritur tej mase problemin, duke shkaktuar frikë e pasiguri në mesin e familjarëve të këtyre personave, për të cilët po flasim. Edhe pas kësaj ka rezultuar me një lloj hezitimi që ata të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Në një të ardhme të afërt mendoj se këtu duhet të jetë vëmendja te korrigjimi i ndërhyrjes së shoqërisë civile”, thekson Vokrri.

Departamenti Amerikan i Shtetit, më 20 qershor të këtij viti ka publikuar raportin vjetor për terrorizmin në botë. Aty për Kosovën thuhet se vendi vazhdoi të luftojë kërcënimin e terrorizmit përmes bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

“Megjithëse qeveria ka një Divizion Parandalimi dhe Riintegrimi në Ministrinë e Brendshme, burime dhe aftësi të kufizuara, vazhdojnë të pengojnë aftësinë e qeverisë për të siguruar shërbimet dhe ndihmën e nevojshme”, thuhet në raport.

Së fundmi, katër fëmijë dhe një grua u kthyen këtë javë në Shqipëri nga kampi al-Hol i Sirisë, ku kanë qëndruar për rreth dy vjet.

Kampi al-Hol drejtohet nga kurdët dhe aty mbahen të burgosur që dikur kanë qenë pjesë e grupit militant, Shtetit Islamik, ose familjarë të tyre.

Kosova është anëtare e Koalicionit Global për të Luftuar ISIS-in.