Roskovec/ Mësuesja ndihet e fyer në mbledhje me arsimtarët dhe hedh në gjyq drejtorin, ky i fundit i heq ditët e punës pasi…

22:26 11/09/202015min81
bsc5Wu7P

Një mësuese pjesë pjesë e stafit pedagogjik të shkollës 9-vjeçare “5 Dëshmorët”, ka hedhur në gjyq drejtorin e shkollës ku punon, pasi është ndjerë e fyer në një mbledhje me mësuesit.

Për shkak të pjesëmarrjes në seancat gjyqësore, ka njoftuar drejtorin, por nëndrejtoresha e njofton se i janë mbajtur ditët e punës nga paga, për çdo herë që kishte qenë në seancë.

Mësuesja pasi ka mbledhur të gjithë dokumentacionin dhe është e bindur se ndaj saj është bërë një padrejtësi është drejtuar në emision “Stop” dhe ka bërë publik rastin e saj. Ajo shprehet se drejtori i ka mbajtur ditët e punës pa të drejtë, pasi ajo e ka informuar për çdo mungesë që ka bërë dhe arsyen që ka pasur.

Në Zyrën Vendore Arsmore Roskovec, Valbona Cjapit  i kanë thënë se ato ditë quhen të paarsyetuara, pasi nuk ka marrë leje, apo të ketë paraqitur raport mjekësor. Nga ana tjetër, në ditën e fundit  të shkollës Valbona ka marrë vlerësimin nga drejtori i shkollës, dhe në hapësirën e mungesave pa arsye, nuk ka asnjë të tillë.

“Drejtuesin e kam akuzuar për veprën penale fyerje që ka bërë ndaj meje në një mbledhje të Këshillit Pedagogjik dhe ndaj babait tim. Për çdo seancë gjyqësore e kam njoftuar drejtuesin tim. E kam pasur detyrim ligjor të paraqitem në çdo proces gjyqësor. Më është konfirmuar nga nëndrejtoresha e shkollës për mbajtjen e pagës së punës”, thotë mësuesja.

Gazetarja e emisionit “Stop” ka kërkuar një takim dhe me drejtorin e shkollës për të dëgjuar versionin e tij, i cili në fillim refuzon të bisedojë por më pas pranon.

Gazetarja: Zoti Ilir, përshëndetje!

Drejtori: Përshëndetje!

Gazetarja: Ju shqetëson Viola, gazetare nga emisioni “Stop”. Vjen dot të takohemi, të lutem? Të diskutojmë për një rast.

Drejtori: Çfarë rasti?

Gazetarja: Ta them, kur të vish këtu. Të pres këtu.

Drejtori: Po ju nuk vini dot këtu?

Gazetarja: Ku jeni ju?

Drejtori: Në shtëpi!

Gazetarja: T’ju vij në shtëpi?!

Drejtori: Po! Pse ç’a ka?

Gazetarja: Ku e keni shtëpinë ju?

Drejtori: Në një fshat këtu.

Gazetarja: Nuk afrohesh dot te shkolla?

Drejtori: Po, dhe afrohem.

Gazetarja: Të pres këtu tek shkolla.

Drejtori vendos të vijë afër shkollës dhe gazetarja e “Stop”i tregon rastin si dhe dokumentet ku ai ka kryer shkelje. Po ashtu drejtori është gjetur në shkelje, pasi ai ka qenë bashkë me mësuesen në seanca gjyqësore, por për veten e tij shprehet se nuk ka munguar dhe nuk i është hequr asnjë ditë pune.

Gazetarja: Pse ka ndodhur kjo? Pse nuk e keni justifikuar ju lejen e saj, sepse ju duhet ta bënit në zyrën arsimore? Dhe ju i keni hequr ditët e punës.

Drejtori: Tani unë nuk jam i detyruar, t’ju jap përgjigje juve, se këto zgjidhen ligjërisht.

Gazetarja: Ligjërisht këto janë konsumuar.

Drejtori: Si konsumuar?

Gazetarja: Janë konsumuar, sepse është përgjigjja e ZVA-së, janë proceset gjyqësore. Ju keni qenë në seancë gjyqësore me të?

Drejtori: Po s’kam qenë për këtë problem, pra.

Gazetarja: Po ke qenë për problem tjetër. Po a ke qenë në seancë gjyqësore me të, këto ditë, që ajo ka munguar në shkollë?

Drejtori: Po!

Gazetarja: Pse ia keni hequr ditët e punës?

Drejtori: Po s’ka ardhur në punë, pra.

Gazetarja: Ajo ju ka shkruar. Pse nuk ia keni konfirmuar?

Drejtori: Si konfirmuar?

Gazetarja: T’i konfirmonit lejen, që ka kërkuar!

Drejtori: Më vjen keq! Je dhe gazetare e Stop-it, me një televizion prestigjioz. Tani, si vjen, më kërkon llogari mua, kur mësuesi nuk vjen në punë dhe thua hidh ditët e punës?

Gazetarja: Po mësuesi nuk ka ardhur në punë, për të njëjtën arsye, që nuk ke qenë as ti në punë.

Drejtori: Kam qenë në punë unë.

Gazetarja: Ke qenë në seancë gjyqësore, zotëri.

Drejtori: Seanca gjyqësore 20 minuta ka qenë. Në orën 1, 20 minuta.

Gazetarja: Po, 20 minuta.  Pse nuk ia keni  thënë:“Jo, nuk të jap dot leje”

Drejtori: S’ka ardhur të kërkojë leje mësuesja.

Gazetarja: Ka kërkuar leje mësuesja, me mesazhe.

Drejtori: Kërkohet leje me mesazhe?

Gazetarja: Elektronikisht.

Drejtori: Kërkohet leje me mesazh? Hape ligjin dhe më thuaj mua, që mësuesi ka të drejtë të kërkojë leje me mesazh…

Gazetarja: Pse si komunikoni ju me mësuesit? Me shkresa zyrtare?

Drejtori: Po pra!  Të lutem, mësuesja është pjesë e këtij kolektivi dhe një ditë më përpara, të vijë në drejtori dhe të më paraqesë fletë-thirrjen e gjyqit, që jam nesër në gjyq edhe do më japësh leje drejtor apo jo.

Gazetarja: Ju keni qenë në seancë gjyqësore. Pse do fletë-thirrjen e gjyqit, kur ti je vetë në seancë gjyqësore me të.

Drejtori: Ç’lidhje ka kjo, pra?

Gazetarja: Si ç’lidhje ka kjo?

Drejtori: A do zbatosh rregullat e shkollës ti?

Gazetarja: Po, rregullat i ka zbatuar, duke të njoftuar një ditë më parë.

Drejtori: Mësuesi mos të vejë në gjyq fare. Unë nuk di gjë, vete mësuesja në gjyq, apo jo.

Gazetarja: Është palë paditëse. Është përgjegjësi ligjore, që e ka të detyrueshme të shkojë.

Drejtori: Më jep mua ligjin! A je gazetare?

Gazetarja: Nuk e di kodin e punës?

Drejtori: Ma jep, pra se unë nuk kam kod pune!

Gazetarja: Përderisa je drejtor i një institucioni, duhet ta dish kodin e punës!

Drejtori: Nuk është, pra. Jo nuk e di, po nuk është.

Gazetarja: Përgjegjësia ligjore është, të paraqitesh në gjyq. Vetes ia ke mbajtur ato ditë, që ke munguar?

Drejtori: Po kam qenë në punë, moj.

Gazetarja: Ju si e vërtetoni prezencën tuaj në shkollë?

Drejtori: Janë regjistrat, janë të gjitha, që është hedhur data, tema.

Gazetarja: Mirë, do m’i tregosh pak? Që ta vërtetoj edhe unë.

Drejtori: Po kush je ti, të më vërtetosh mua?

Gazetarja: Siç ia ke mbajtur asaj, duhet t’ia mbash dhe vetes!

Drejtori: Pse bën paragjykime?

Gazetarja: Nuk bëj paragjykim. Flas për një kod pune, që e njeh detyrimin ligjor

Drejtori: Ma jep pra, ma jep!

Gazetarja: E do në dorë?

Drejtori: Ma jep ta lexoj, që mësuesi, kur nuk vjen në punë, i jep ditët e punës.

Gazetarja: Nuk do të mësoj unë kodin e punës, se ti je drejtor institucioni, o zotëri!

Drejtori: Unë nuk e di!

Gazetarja: Në momentin, që ti si drejtor institucioni, komunikon në Ëhatsapp me mësuesit, ndërkohë në këtë anë, ajo duhet të sjelli shkresë?

Drejtori: Ç’a shkrese?

Gazetarja: Ti the: të më sjelli shkresë!

Drejtori: Të më marri leje, o e nderuar!

Drejtorit i është treguar dhe një shkresë e firmosur prej tij, ku ai ka thënë se mësuesja nuk ka asnjë mungesë paarsye, por sërish i janë mbajtur ditët e punës. Në këtë moment drejtori pranon gabimin dhe shprehet se do bëjë një tjetër shkresë me ndryshimet e duhura.

Gazetarja: Pse në këtë fletë ka “Përqindja e orëve mësimore të munguara pa arsye, 0” ?

Drejtori: Si pa arsye, 0?

Gazetarja: Pse nuk ka asnjë mungesë të paarsyetueshme këtu, në këtë fletë, që keni dhënë ju, që keni vulosur.

Drejtori: Kur është vulosur?

Gazetarja: Sot.

Drejtori: Ç’lidhje ka kjo?

Gazetarja: Si ç’lidhje ka? Ku janë ato mungesat, që ajo ka të paarsyetuara?

Drejtori: Ç’lidhje ka kjo njëherë?

Gazetarja: Po pse, nuk duhet të vendosen këtu ato mungesa?

Drejtori: S’vendosen mungesa këtu.

Gazetarja: Si s’vendosen mungesa këtu? Kjo fleta është vulosur nga ju. Është fusha e vlerësimit. Çfarë do të thotë kjo rubrika këtu? “Përqindja e orëve mësimore të munguara nga mësuesi, pa arsye”, asnjë nuk figuron.

Drejtori: E ka lënë 0? Do bërë aty, do llogaritur përqindja.

Gazetarja: Po si duhet bërë, ju e keni firmosur dhe e keni vulosur.

Drejtori: Po e bëj unë nesër, pra.

Gazetarja: Bie në kundërshtim me atë, që sapo po më thoni.

Drejtori: Lëre këtë!

Gazetarja: Jo, jo! Nuk e lë fare unë këtë. Kjo është një shkresë e jotja zyrtare, e lëshuar kundrejt mësuesit.

Drejtori: Unë s’thashë, që mësuesja ka munguar pa arsye. Mësuesja nuk ka ardhur në punë.

Gazetarja: Çfarë është kjo, kur nuk vjen në punë?

Drejtori: Uaa…!

Gazetarja: Çfarë quhet kjo në gjuhën tuaj zyrtare?

Drejtori: Mungon në punë.

Gazetarja: Mungon pa arsye.

Drejtori: Me arsye, pa arsye. Nuk e merr lejen, pra. Atë rrogën.

Gazetarja: Po pra, nuk merr ditën e punës. Këtu pse nuk shënohet, në këtë fushë vlerësimi?

Drejtori: Është gjë tjetër kjo, ti zonjë.

Gazetarja: Si është gjë tjetër? Është fusha e vlerësimit të mësuesit.

Drejtori: Nuk po them, që ka munguar pa arsye, nuk ka ardhur në punë.

Gazetarja: Po kjo rubrika tjetër, që s’vjen  në punë dhe i hiqen ditët e punës, si quhet?

Drejtori: Më gjej një ligj, që thotë, që s’vjen në punë dhe i hidhet dita e punës. Ma gjej ti gazetare dhe unë do të ulem në gjunjë këtu.

Gazetarja: Kjo si quhet?

Drejtori: Mos u tall me mua, se s’jam për të bërë lojëra. Ti tashi po më bën gjyqin.

Gazetarja: Nuk po tallem. Si quhet?

Drejtori: Më lër tashi!

Drejtori: Dhe unë e kam marrë të arsyeshme, po s’mund t’i jap ditën e punës, se s’ka ardhur në punë fare dhe s’i jap dot rrogën unë.

Gazetarja: Dhe kur merr leje?

Drejtori: Edhe kur merr leje, pra. Edhe kur merr leje, nuk hidhet dita e punës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto