Rezultatet paraprake të zgjedhjeve tregojnë për garë të ngushtë ndërmjet Gjukanoviqit dhe opozitës pro-ruse

12:22 31/08/20204min86
Zgjedhje-Mali-i-Zi-1

Bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32.54 për qind të votave.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75 për qind të qytetarëve.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë” më 5.57 për qind, Socialdemokratët më 4.09 për qind, Partia e Boshnjakëve më 3.81 për qind, Partia Social-Demokrate më 3.14 për qind, Lista Shqiptare më 1.61 për qind dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” më 1.16 për qind.

Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun.

Pas gati tri dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti pro-perëndimor i këtij vendi, Millo Gjukanoviq, përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje.

Shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare që i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus.

Rreth katër orë pas mbylljes së vendvotimeve, Gjukanoviq iu drejtua mbështetësve në Podgoricë, duke thënë se partia e tij do t’i pranojë rezultatet zgjedhore, porse do të presë rezultatin përfundimtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Dallimi midis dy forcave që kanë marrë vendet e para në zgjedhje është aq i vogël, saqë një votë në përbërjen e ardhshme parlamentare mund të sjellë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

“Do të presim të shohim se kush do ta ketë atë votën e 41-të”, tha Gjukanoviq, për të shtuar se partia e tij do të mbetet luftëtare e palëkundur për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Tri koalicionet opozitare në Mal të Zi: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga gjithsej 81.

Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende.

Në mesin e tyre janë: subjekti i deritashëm në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate.

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe numri përfundimtar i ulëseve parlamentare mbeten të pasigurt ende, sepse, sipas drejtorit të CEMI-t (Qendra për Monitorim), Zllatko Vujoviq, nuk janë numëruar të gjitha votët dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.

Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto