Rëndësia e edukimit dhe formimi profesional në Shqipëri / Pse sot, këtu dhe tani?

11:44 09/11/202010min74
WhatsApp-Image-2020-11-07-at-16.21.32

“Edukimi është arma më e fortë me të cilën mund të ndryshosh botën” – Mandela.

Sa nga ne i ka qëlluar që t’i shërbehet kafja e mëngjesit nga profesionist i një fushe tjetër për nga edukimi? Të gjithëve besoj!

E gjithashtu po të gjithë kemi rastisur të shërbehemi nga personel që me gjithë dëshirën e mirë për të punuar, sërish nuk kanë pasur idenë më të vogël të asaj çfarë po bëjnë.

Si emërues të përbashkët të situatave më lart gjejmë shpeshherë mungesën e një formimi të mirëfilltë profesional.

Nëse vonesa jonë për të investuar dhe fokusuar në këtë drejtim, ka ardhur si rezultat i një paragjykimi të hershëm që kemi si shoqëri “moderne”, kjo është e vështirë për t’u përcaktuar me saktësi.

Por “më mirë vonë se kurrë” thotë populli!

Në një treg pune që po ndryshon, përshtatet, tkurret dhe zgjerohet me shpejtësinë e dritës dhe monedhës, të rinjtë jo gjithmonë e gjejnë veten pjesë integrale të tij.

Në më shumë se dy dekada, punësimi dhe aftësimi vazhdon të jetë kryefjalë e diskutimeve të përditshme, por dhe më të rëndësishme.

Kjo është e kuptueshme përsa kohë formimi dhe punësimi ekuivalentojnë të ardhmen.

Të ndodhur në udhëkryqe, të rinjtë jo pak herë bëjnë zgjedhjen e së ardhmes në inerci e sipër, nganjëherë të diktuar nga prindërit e herë të tjera të ndikuar nga pritshmëritë e shoqërisë.

Por në fund të ditës, e vetmja thirrje të cilës duhet t’i përgjigjemi është detyrimi që kemi ndaj vetes, prirjeve, ëndrrave dhe të ardhmes tonë.

Normalisht duhet pasur parasysh dhe mënyra se si me inteligjencë këta të fundit mund të përshtaten për të na hapur një rrugë në tregun e punës dhe për të na siguruar një të ardhme.

E thënë si ide dhe filozofi e gjitha ngjan politikisht korrekte, por duke dashur t’i shmangemi semantikave të tepërta, le ta zbërthejmë në fakte dhe numra.

Sot që flasim kemi të bëjmë me shifra të frikshme të papunësisë.

Instat paraqet raportin ku për tremujorin e dytë të 2020-tës, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,9 %, që në numër pasqyron 166,026 të papunë për moshat 15- 64 vjeç, nga të cilës 71,538 i përkasin moshës 15- 29 vjeç.

Duke dashur të fokusohemi më në detaj për nivelin e papunësisë së të rinjve, tek Raporti Kombëtar, i publikuar në Gusht të këtij viti nga CRCA/ECPAT hasim një nivel më alarmant të papunësisë. Tek ky raport paraqitet se niveli i papunësisë tek të rinjt 15- 29 vjeç ishte 21.5% për vitin 2019.

I njëjti raport risjell në vëmendje dhe studimin e vjetshëm të zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ku sipas shifrave të të cilit thuhet se “…përgjatë vitit 2018, papunësia e të rinjve arriti në masën 32.8% duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në Europë për përqindjen më të lartë të të rinjve të papunë, të pa arsimuar dhe pa trajnuar, duke ja kaluar edhe Moldavisë si vendi më i varfër i Europës.”

Problemi thellohet më shumë po t’i referohemi raportit të vitit të kaluar “Rinia në Shqipëri 2019”[4], realizuar sërisht nga CRCA dhe ANYN, ku shifrat që ofroi Anketa Kombëtare flisnin për : “Rreth 73% e të rinjve që raportonin Papunësinë si një prej problematikave më kritike për ta, e ndjekur nga varfëria (52%), të ardhurat e ulëta (48%), korrupsioni (43%) dhe mungesa e mbështetjes institucionale për të rinjtë (40%).”

E megjithëkëtë, niveli i të arsimuarve dhe tendenca gjithnjë në rritje për të marrë një diplomë, teorikisht duhet të na kishte sjellë deri më tani tjetër pamje në shifrat që pamë më lart.

Të dy këta komponent në fakt duhet të ishin në korrelacion të drejtë me njëri- tjetrin; sa më i lartë niveli i të arsimuarve, aq më i lartë niveli të punësuarve.

Por mesa duket, po ecin në drejtime të kundërta gjithnjë e më shumë, nga viti në vit.

Çfarë po bëjmë gabim? Çfarë nuk po funksionon në këtë marrëdhënie që duhet të ishte simbiotike?

Të evidentuarit të problemit pa sjellë një zgjidhje në tryezë është një luks që nuk mund t’ia lejojmë vetes. Po edhe nëse duam, nuk na e lejon dot koha në të cilën po jetojmë.

Me kaq shumë ndryshime dhe përshtatje që po ndodhin rreth nesh është koha të veprojmë shpejt dhe me mençuri, duke u përqendruar në atë çfarë realisht kemi në dorë.

Nga njëra anë, kemi industri që kanë kaq shumë potencial në Shqipëri për të lulëzuar dhe kaq shumë nevojë për punonjës të kualifikuar, të rinj profesional të cilët kanë marrë formimin e duhur dhe specifik.

E nga ana tjetër Shqipëri ka aq shumë të rinj, të etur për t’u formësuar në mënyrë korrekte dhe profesionale, e që presin të punësohen për të dhenë kontributin e tyre në tjetërsimin e realitetit të shifrave më lart.

Po sikur t’i takojmë bashkë këta dy anë të të njëjtin ekuacion?

Sikur industrinë dhe bizneset e Turizmit në Shqipëri, ku përshijmë Hotelerinë, Guzhinën , Eventet e Shërbimin në pëgjithësi, t’i takojmë me këta të rinj, të cilët formimi i duhur i ka penguar të jenë faktor ndryshues i situatës sot.

Sikur punët më të kërkuara dhe paguara, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë, që i përkasin fushës së Teknologjisë së Informacionit, siç janë Zhvilluesit Software, Zhvilluesit Ueb, Administratorët e Databazave, etj, t’i prezantojmë me të rinjtë e talentuar shqiptar, të cilët kanë harxhuar kohë deri tani në përpjekje disa-vjeçare duke tentuar të mësojnë praktikën, të kufizuar nga kornizat e një libri të vetëm.

E ata më mirë se ne e dinë që nuk kodohet dot në fletë libri.

Për këtë zgjidhje, Akademia Momentum në Tiranë, po bën pjesën që i takon për të sjellë këtë ndryshim, po ti çfarë po pret? Fillo tani https://www.akademiamomentum.al/

Se megjithëse hodhëm sytë në shifrat e 2018 dhe 2019, duhet të kemi parasysh që 2020- ta nuk ka mbaruar akoma.

Është në dorën tonë të tjetërsojmë numrat, të ndryshojmë realitetin e të përmbysim rezultatin.

Nga Arisela Hebovija

(Sektori i Burimeve Njerëzore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *