Raporti i DASH për investimet/ Meta: I kam kërkuar SPAK-ut të hetojë PPP-të dhe tenderat, ende nuk është bërë asgjë

14:31 10/09/20207min74
meta-kushtetuta-1 (1)

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH për klimën e investimeve në Shqipëri.

Kreu i shtetit e cilëson raportin si tronditës teksa shprehet se procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.

Gjithashtu Meta thekson se i ka bërë thirrje SPAK-ut që të nisë hetimet për PPP-të dhe tenderat abuzivë, por nuk ka marrë përgjigjie nga ky institucion

Reagimi i Presidentit Meta:

Shqipëria perceptohet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit si vendi me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ku klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë.
Sipas konkluzioneve tronditëse të DASH “investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesi. Të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë sepse titulli i qartë është i vështirë për t’u fituar. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës”.
Ky raport vjen në një kohë kur shoqatat e biznesit, Dhomat e Tregëtisë, përfshi dhe atë Amerikane, kanë ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit dhe të investimeve.
Edhe Banka Botërore në raportin e saj të Doing Business ka ngritur me shqetësim rritjen e barrës fiskale dhe ndryshimet e shpeshta në aktet ligjore dhe nënligjore.
Ndërsa Fondi Monetar më herët ka ngritur me shqetësim rrezikun nga rritja e numrit dhe të kostos së PPP-ve, si dhe rritjen e borxhit publik si pasojë e tyre.
Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato.
Në këtë klime mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj, kur PPP-të dhe tenderat janë përqëndruar vetëm në një grusht oligarkësh, në kushtet e tentativave për amnisti fiskale korruptive, si dhe të mungesës së transparencës në sistemin e prokurimeve, është domosdoshmëri kthimi i ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
I kam bërë thirrje publike prej muajsh Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste.
Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim!
Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto