Qeveria mbyll shkollën e akuzuar nga Erdogan si e financuar nga gulenistët

13:51 20/09/20205min101
shkolla

Qeveria shqiptare zyrtarizoi tri ditë më parë mbylljen e “MEMORIAL INTERNATIONAL SCHOOL OF TIRANA (MIST)”, njërën prej shkollave të rrjetit arsimor, që është akuzuar nga presidenti turk Erdogan si e lidhur me organizatën FETO, të cilën Ankaraja zyrtare e ka shpallur terroriste. MIST ishte pjesë e rrjetit me 12 shkolla, në disa qytete të Shqipërisë, ku bëjnë pjesë institucione si ‘Turgut Ozal’ apo universiteti ‘Epoka’, me mbi 360 nxënës nga vende të ndryshme, apo fwmijë të shtresës së pasur të vendit, ku tarifat janë të larta për pjesën tjetër të popullsisë.

Vendimi nr. 727 i datës 16 shtator i qeverisë shqiptare që mban firmën e zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, thotë se MIST do të mbyllë veprimtaritë në të gjitha nivelet arsimore (arsim fillor, arsim i mesëm i ulët, arsim i mesëm i lartë), ndërsa është i detyruar që të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor,  që do të shërbejë për transferimin e  tij në një institucion  tjetër të arsimit parauniversitar, të mbulojnë të gjitha shpenzimet për kryerjen e  procedurave, të  kthejnë  pagesat e kryera nga prindërit.

Qeveria shfuqizoi vendimet  e marra nga qeveritë e Fatos Nanos dhe të Sali Berishës në vitet 2002-2006 për dhënien e lejeve së funksionimit të MIST në të gjitha nivelet e mësimdhënies dhe ngarkoi Ministrinë  e  Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP), si dhe  “MIST” dhe shoqërinë “Turgut Ozal Education” për zbatimin e këtij vendimi, që ka hyrë në fuqi prej tri ditësh.

Mbyllja e shkollave të shoqërisë “Turgut Ozal Education” është pjesë e rrudhjes së veprimtarisë së financuesve që akuzohen nga Turqia si të lidhur me organizatën FETO të drejtuar nga Fetullah Gulen, prej vitesh në mërgim në SHBA dhe që u akuzua nga Erdogan si frymëzues i grushtit të dështuar të  shtetit në korrik 2016.

Përpara kësaj qeveritë nënshkruan më 9 korrik 2015 një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë, që synonte fundin e organizatës FETO në Shqipëri, që ishte shpallur terroriste nga Erdogan.

Marrëveshja thoshte mes të tjerash se “palët do të bashkëpunojnë për identifikimin, zbulimin, sekuestrimin me qëllim konfiskimin dhe rikuperimin e produkteve të krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit dhe pastrimit të parave”. Turqia shprehej se në Shqipëri kishte 12 shkolla të lidhura me FETO-n, që e kishin nisur veprimtarinë përmes një shoqate të themeluar në vitin 1993 dhe që njihet për afërsinë ideologjike me kreun e FETO-s, Fethullah Gulen, e që drejtonte institucione të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm në kryeqytetin Tiranë, në qytetin e Shkodrës dhe në Durrës si dhe dy universitete. Përveç këtyre, FETO akuzohej se, nëpërmjet një shoqate të themeluar në vitin 1994 në Shqipëri kishte marrë nën kontroll edhe arsimin fetar, medresetë në Kavajë, Korçë, Berat, Elbasan e Tiranë, ku, duke privatizuar këto shkolla, që ofronin arsim falas, ka hapur kështu një biznes të ri fitimprurës në llogari të saj.

Sulmi ndaj gulenistëve është ashpërsuar vitet e fundit nga anae Turqisë, e cila i ka bërë presion qeverisë së Edi Ramës që të mbyllë të gjitha bizneset e tyre dhe të lejojë deportimin e personave të akuzuar në atdhe. Raste të tilla, si ato të deportimit në mars të shtetasit turk Harun Çelik, janë dënuar nga Parlamenti Europian si shkelje e ligjit të ekstradimeve dhe të lirive e të drejtave të njeriut, ndërsa OKB i kërkoi pa sukses llogari qeverisë shqiptare.

 

Vendimi i qeverisë shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto