Pranimet në master profesional dhe shkencor/ Zbardhet vendimi i Senatit, aplikimet deri në 6 nëntor, në 13 listat e fituesve

18:20 02/10/20204min122
universitete

Pavarësisht datave që kanë vendosur fakultetet, udhëzimi për pranimet në ciklin e dytë të studimeve parashikon si datë kufi 6 nëntorin, si për universitetet publike, ashtu edhe ato private. Vetëm pas një muaji, aplikantët do ta marrin vesh nëse kanë fituar.

“Brenda datave përkatëse në udhëzim (14.11.2020) IAL-të publike dhe jopublike të shpallin dhe afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, si dhe në faqet elektronike zyrtare të IAL-ve, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara”, citohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.

Por, përpara se të aplikojnë për ciklin e dytë, studentët duhet të këshillohen me mundësitë e pranimit për të zgjedhur profilin që dëshirojnë dhe iu përshtatet. Nisur nga numri i lartë i kërkesave, ashtu edhe nga numri i kuotave në dispozicion, gazeta zbardh ofertën akademike të universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, me dy profilet, shkencor dhe profesional.

Ashtu si cikli i parë i studimeve, tkurrje kuotash do të ketë edhe në ciklin e dytë master. Bëhet fjalë për 829 kuota më pak se një vit më parë. Një gjë e tillë reflektohet më shumë në studimet profesionale që rezultojnë të jenë më pak të kërkuara. Shtyrja e vitit të ri akademik për studentët e tjerë për shkak të pandemisë ka sjellë shtyrje të fillmvitit akademik edhe për ata që nisin ciklin e dytë. Kjo, pasi regjistrimet do të kryhen deri në fund të muajit.

“Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit në IAL brenda tri ditësh nga shpallja e rezultatit. IAL-të detyrohen të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues, të zhvillohet pranë sekretarive mësimore përkatëse të IAL-ve publike dhe jopublike, përkatësisht nga afati 16-26.11.2020, i vlefshëm për universitetet publike dhe jopublike”.

Ashtu si kuotat, fakultetet kanë të drejtë të caktojnë kriteret, që janë të ndryshme nga njëritjetri. Sa u takon tarifave, ndonëse është kërkuar një ulje e tyre pas disa protestash të studentëve të ciklit të dytë, Rektori i Universitetit, Artan Hoxha, ka bërë me dije se nuk do të ketë ulje.

5225 kuota pranimi në të dyja ciklet master janë parashikuara të pranohen këtë vit, prej të cilave, 3145 në master shkencor dhe 2080 në master profesional.

Por jo të gjitha janë për studentët tanë. Një numër relativisht i lartë janë në dispozicion për kandidatë nga trojet, shtetas të huaj, transferime apo kategori të veçanta. Krahasuar me vitin që lamë pas, në auditorë do të hyjnë rreth 830 të rinj më pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto