Popullsia/ Një deputet më pak në Dibër, Tirana shkon në 35. Ja skema, si bëhet përllogaritja e numrit të të zgjedhurve për çdo qark

17:38 14/09/20208min73
kqz-2-1

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare banorët e qarkut Dibër do të kenë një deputet më pak.

Ndërsa kryeqyteti, ku është përqendruar edhe numri më i lartë i shqiptarëve, do të ketë një deputet më shumë, duke shkuar nga 34 deputet në 35.

Ky ndryshim vjen për shkak se në regjistrat e gjendjes civile është vënë re një rënie e popullatës në këtë qark dhe rritja ka shkuar në kryeqytet dhe në rrethinat e Tiranës. Për këtë arsye, në përllogaritjen e re të numrit të deputetëve që do të zgjidhen nga çdo qark Dibra nuk do të ketë më 6 përfaqësues në Parlament, por 5.

Në Dibër aktualisht PS-ja dhe PDja kanë nga dy deputetë, ndërsa LSI-ja dhe PDIUja nga një të zgjedhur.

Mandati që i hiqet qarkut verilindor do t’i shtohet qarkut të Tiranës, duke e bërë atë me 35 ligjvënës. Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë me dije për gazetën “Panorama” se në qarqet e tjera nuk ka lëvizje mandatesh, pasi uljet apo rritjet e numrit të popullsisë nuk janë aq të mëdha sa për të ndikuar te shpërndarja e deputetëve.

PËRLLOGARITJA

Përllogaritja e numrit të mandateve për çdo qark bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa herë që ka zgjedhje të përgjithshme. Kështu, KQZ-ja merr informacionin nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Kjo e fundit jep numrin total të shqiptarëve të regjistruar në Gjendjen Civile ku përfshihen të gjitha kategoritë: fëmijët, adoleshentët, të rriturit dhe të moshuarit. Numri total i shqiptarëve të regjistruar në Gjendjen Civile përpjesëtohet me 140, që përbën numrin e deputetëve në Parlamentin Shqiptar. Nga kjo përllogaritje del numri mesatar i qytetarëve që duhet të përfaqësojë një deputet.

Ndërkohë, bashkëngjitur me numrin total të shqiptarëve të regjistruar në Shqipëri, Gjendja Civile i dërgon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe numrin e banorëve të regjistruar për çdo qark. Për të nxjerrë numrin e mandateve të deputetëve që zgjidhen në një qark, meqë sistemi zgjedhor shqiptar është proporcional rajonal, KQZ-ja përpjesëton numrin total të banorëve të qarkut me numrin mesatar që del nga përpjesëtimi i shqiptarëve të regjistruar me 140.

Kjo përbën numrin e mandateve që dalin të plota, më pas KQZ-ja bën edhe një llogaritje tjetër me mbetjet për çdo qark. Kryesisht kur numri pas presjes së përpjesëtimit të numrit të banorëve të qarkut me numrin mesatar del mbi 5, atëherë qarku merr një mandat shtesë. Sipas nenit 27 të Kodit Zgjedhor në fuqi, kjo përllogaritje bëhet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 muaj para zgjedhjeve.

“Zonat e administrimit zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Jo më vonë se 10 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon të dhënat KQZ-së, të ndara sipas njësive të qeverisjes vendore.

KQZ-ja jo më vonë se 5 muaj para datës së zgjedhjeve mund të ndryshojë kufijtë e ZAZ-së, sipas kërkesave të këtij neni, vetëm nëse ka ndryshim të kritereve për caktimin e tyre sipas pikave 2, 3 dhe 4 të këtij neni”, përcaktohet në nenin nr. 27 të Kodit Zgjedhor.

ZGJEDHJET E ARDHSHME

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit tashmë janë në fuqi prej disa javësh. Në këtë marrëveshje me prani edhe të ndërkombëtarëve u ra dakord që të ndryshohej periudha zgjedhore.

“Përmbajtja e nenit 8 ndryshohet si më poshtë: Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 9 të këtij ligji”, thuhet në nenin 4 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që tashmë kanë hyrë në fuqi. Në bazë edhe të këtij përcaktimi në Kodin Zgjedhor, Presidenti Meta vendoi disa ditë më parë për datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Do të jetë pikërisht e diela e 25 prillit të ardhshëm data kur palët do të përballen në zgjedhje, maxhoranca në kërkim të mandatit të tretë dhe opozita duke kërkuar përmbysjen dhe marrjen e pushtetit, të cilin e la në 2013-ën.

Kjo ishte një datë e mesme, duke u nisur nga kërkesat e palëve, kur PD-ja dhe opozita e bashkuar kishin kërkuar të dielën e parë që lejon afati në Kod, ndërsa maxhoranca kishte kërkuar 9 majin si data e Europës, për të simbolizuar një palë zgjedhje që mund ta çojnë Shqipërinë më pranë Unionit Europian.

NUMRI I DEPUTETËVE PËR QARK

Qarku Berat 7 mandate
Qarku Dibër 6 mandate
në 2021 i hiqet 1 mandat
mbetet me 5 mandate
Qarku Durrës 14 mandate
Qarku Elbasan 14 mandate
Qarku Fier 16 mandate
Qarku Gjirokastër 5 mandate
Qarku Korçë 11 mandate
Qarku Kukës 3 mandate
Qarku Lezhë 7 mandate
Qarku Shkodër 11 mandate
Qarku Tiranë 34 mandate,
në 2021 i shtohet një mandat, bëhet me 35 mandate
Qarku Vlorë 12 mandate

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto