Për herë të parë në Shqipëri, një vatër kampionash sjell risi në sportin vendas

09:25 27/09/202121min105
Return_of_Sports (1)

Edhe pse kur përmendim fjalën “sport” mendojmë menjëherë futbollin, në fakt në këtë kategori ka larmishmëri të madhe. Shumë sporte ndoshta mbeten pak në hije, të paktën deri në momentin që prej tyre dalin KAMPIONA. Më tej, kujtohemi që sporti nuk është një term aq i ngushtë dhe mund të jetë i prekshëm nga të gjithë ne. I tillë është edhe rasti në fjalë, ku dy të rinj tashmë i kanë hapur dyert e pafundme të mundësive brezave të rinj në një sport krejt të veçantë.


Gjithçka nisi nga Erjon Bregu, i lindur dhe rritur në Sarandë nga një familje ushtarakësh. Si shumë shqiptarë, edhe Erjoni pasi mbaroi arsimin e mesëm, emigroi në Greqi. Ai arriti suksesin brenda pak kohësh në Athinë, ku hapi edhe një biznes, megjithatë në 2011 vendosi të rikthehet në vendlindje. E pikërisht këtu, në një takim me shokun e tij Dorian Lapaj i cili sapo ishte kthyer nga Anglia, lindi edhe projekti i tyre. Dy djemtë krijuan fillimisht shoqatën sportive jo fitim-prurëse, me President Dorian Lapaj dhe sekretar të përgjithshëm Erjon Bregun. Njëkohësisht ata hapën edhe Akademinë e parë në Shqipëri të artit marcial Jiu-Jitsu. Në një periudhë mjaft të shkurtër kohore, Jiu-Jitsu u bë kryefjala e eventeve sportive në Sarandë, ku çdo vit organizohet edhe Kampionati Kombëtar “Jiu-Jistu Albania Open” me pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare. Eventet dhe bashkëpunimet e ndryshme sportive të kësaj akademie janë të shumta.


Për vite me radhë, nën instruksionet e Dorian Lapaj, Erjon Bregu përgatitet intensivisht në këtë sport, duke arritur të fitojë edhe Medaljen e Artë në 15 Gusht 2021, në “BJJ Summer Camp Albania 2021”. Erjoni arrin të gradohet kështu me “Brez i Zi”.Tashmë Erjoni ka edhe gradën e Profesorit dhe jep mësim në klasat e të rriturve dhe të vegjëlve në Akademinë BJJ Sarandë. Ai është gjithashtu edhe pjesë e jurisë dhe arbitrimit në Kampionatin Kombëtar “BJJ Albania Open” që organizohet çdo vit në Shqipëri.“BJJ Sarandë” është shkolla e parë Brazilian Jiu-Jistu në trevat Shqiptare, e themeluar në vitin 2003 në Sarandë me prof.Dorian Lapaj i cili është i pari shqiptar me “Brezin e Zi” dhe me mbi 20 vite eksperiencë në këtë fushë.  Dorian Lapaj, me origjinë nga Lumi i Vlorës, konkretisht Vranisht, ka përfunduar Shkollën Ushtarake Skënderbej dhe arsimin e lartë e ka kryer në “Naval Academy Vlorë” ku ka marrë gradën Oficer dhe emërimin “Komandant Kater Silurues” në bazën e Durrësit.

Në vitin 2000 Doriani emigroi në Angli, ku ushqeu akoma më tepër pasionin e tij për sport. Ai u ushtrua në Muay-Thai, Kickbox dhe MMA, fusha në të cilat ka realizuar edhe ndeshje profesionale. Megjithatë, preferenca e Dorianit ishte Brazilian Jiu-Jitsu, një sport që ka nisur 5000 vite më parë. Sporti i cili ka origjinën nga India, Malet e Tibetit, zuri themel në Japoni. Jiu-Jitsu përkthehet “Gentle Art”.  Dorian Lapaj filloi të praktikonte këtë sport me prof.Ben Poppleton, i cili është anglezi i parë i graduar me Brezin e Zi nga Carlos Gracie JR, njëkohësisht president i IBJJF (Federatës Ndërkombëtare të Brazilian Jiu-Jitsu).Prof.Dorian Lapaj nuk u mjaftua vetëm me kaq, por më vonë u trajnuar në Akademinë e Gracie Barra në Nottingyham me prof.Victor Estima, një tjetër sportist i graduar “Brez i Zi” nga Carlos Gracie JR. Doriani është stërvitur gjithashtu me kapmiona ndërkombëtarë si Roger Gracie Braulio Estima, Lucio “Lagato”, Octavio Souza, etj.


Trajnimi disa vjeçar intensiv solli për Dorianin medalje të shumta ari, argjendi dhe bronzi në kampionatet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë. Gradën “Brez i Zi” Doriani e mori pas shumë vitesh punë nga kampioni i botës Victor Estima, njëkohësisht drejtor i GB Europe. Pasi mori gradën e profesorit, Doriani themeloi shoqatën sportive “Dorian Lapaj Brazilian Jiu-Jitsu” ku vetë ishte kryetar shoqate dhe Erjon Bregu ishte sekretar i përgjithshëm. Kjo shoqatë arriti për pak kohë të merrte emrin Akademi, duke u kthyer në të parën Akademi Brazilian Jiu-Jitsu në Shqipëri, me bazën sigurisht në Sarandë.

Tashmë, kjo shkollë e vogël e krijuar me iniciativën e dy djemve të rinj, është kthyer në një Akademi dhe është simbol për të gjithë sportistët, prej të cilës kanë dalë edhe shumë kampiona. Prof.Dorian Lapaj vijon të organizojë kampionatin “Brazilian Jiu-Jitsu Saranda Open” dhe kampionatin më prestigjoz në Shqipëri “Jiu Jitsu Albania Open”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *