
Pak ditë më parë, Presidenti rus Vladimir Putin prezantoi vaksinën ruse anti-COVID, për të cilën tha se nuk kishte asnjë rrezik dhe ishte testuar edhe te vetë vajza e Presidentit.
Kjo vaksinë ka ngjallur shumë debate, pasi shtetet e tjera nuk besojnë që vaksina të jetë testuar siç duhet.
Ndërkohë, edhe mjeku drejtues i sëmundjeve respiratore në Rusi, Alexander Chuchalin, ka dhënë dorëheqjen për shkak të shkeljeve të mëdha të etikës mjekësore që u bënë përmes vaksinës së re ruse.
Chuchalin ka akuzuar dy mjekët kryesorë që janë përfshirë në studim, duke thënë se nxituan në prodhimin e vaksinës.
Më tej, ai përmendi emrin e profesorit, Alexander Gintsburg, drejtor i Qendrës së Kërkimeve ‘Gamaleya’ për Epidemiologji dhe Mikrobiologji dhe profesorin, Sergey Borisevich, kolonel mjekësor dhe virolog i lartë i ushtrisë ruse, të cilët ishin akademikët kryesorë që ndihmuan në zhvillimin e vaksinës.
“A i keni kaluar të gjitha rrugët e nevojshme të aprovuara nga legjislacioni i Federatës Ruse dhe bashkësia shkencore ndërkombëtare? Jo! Kjo punë nuk është bërë siç duhet. Kështu që, një nga parimet etike të mjekësisë është shkelur rëndë”- është shprehur Chuchalin para se të largohej nga detyra.