
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar për zgjedhjet e 25 prillit 9 subjekte politike ndërsa ka lënë jashtë regjistrimit partinë e Punës ose siç njihet ndryshe partia Komuniste.
Njoftimi:
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi seancë publike në mbështetje të paragrafit 2 nenit 19, dhe shkonjës “n”, paragrafi 1, të nenit 19, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, për shqyrtimin dhe miratimin e akteve në kompetencë të tij.
Komisioneri shqyrtoi projektvendimet për kërkesat për regjistrim si subjekte zgjedhore për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, të 13 partive politike dhe 2 komiteteteve nismëtare.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioneri vendosi të regjistrojë si subjekte zgjedhore 9 parti politike dhe 2 komitete nismëtare:
Partia Shqiptare Atdheu;
Partia Pajtimit Kombëtar;
Partia Ligj dhe Drejtësi;
Partia Fryma e Re Demokratike;
Partia Qytetare Shqiptare;
Partia Uniteti Kombëtar;
Partia Aleanca Kuq e Zi;
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve;
Partia Aleanca Popullore;
Komitetin nismëtar që do të organizojë punën për paraqitjen e z. Kreshnik Merxhani si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore qarku Gjirokastër.;
Komitetin nismëtar që do të organizojë punën për paraqitjen e z. Bledar Dika si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore qarku Tiranë.
Komisioneri pas shqyrtimit të dokumentacionit vendosi të mos regjistrojë si subjekte zgjedhore partinë Centriste Mirëqenies Popullore Shqiptare, partinë e Punës së Shqipërisë, partinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë si dhe mos pranimin e kërkesës së z. Xhavit Zhuzhi për regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Emigracioni Shqiptar.
Gjithashtu, vendosi akreditimin e 18 vëzhguesve afatgjatë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për vëzhgimin e zgjedhjeve të datës 25 prill 2021.
Shqyrtimi i projektvendimit “Për caktimin e Zonës së Administrimit Zgjedhor, nr. 38, në bashkinë e Tiranës, si njësinë administrative për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave” u shty për në mbledhjen e ardhshme.