“Nuk do të jetë e lehtë”, Manastirliu mesazh para hapjes së shkollave. Apeli për mësuesit, prindërit e nxënësit

10:59 12/09/20205min126
manastirliu-1024x576

Në prag të hapjes së shkollave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit duke i siguruar që strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të përballuar këtë sfidë.

“Periudha që po afron nuk do të jetë e lehtë dhe përveç forcimit të kapaciteteve të sistemit shëndetësor, për të cilat kemi marrë masa në planin e Vjeshtë-Dimrit, kërkon gjithashtu angazhimin e të gjithë qytetarëve, veçanërisht çdo prindi, për rolin e rëndësishëm që duhet të luajë secili prej nesh, për të frenuar përhapjen e Covid19. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmeri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar”, tha Manastirliu.

Në mesazhin e saj, Ministrja Manastirliu bën apel për respektimin e rregullave të vendosura nga nxënësit dhe mësuesit, si e vetmja mënyrë për të frenuar sa më shumë përhapjen e infeksionit.
“Duhet të mësohemi me maskën. Për çdo shqetësim, duhet të kontaktoni koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Të kontribuojmë të gjithë për shkolla më të sigurta, për shëndetin e fëmijëve tanë, të mësuesve dhe të gjithë komunitetit!”, apelon Manastirliu.

Në mesazhin e saj Manastirliu u drejtohet prindërve për të marrë përgjegjësinë që ju takon në këtë moment të rëndësishëm.

“Bëhuni bashkëpunëtorët e parë me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë. Rihapja e shkollave është momenti më i mirë për të treguar se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve janë kaq të rëndësishme për ne, ndaj s’duhet të lejojmë asgjë të na cënojë shëndetin dhe përparimin e fëmijëve dhe shoqërisë tonë”, apelon Manastirliu

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/242042390477834/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *