Njihuni me tre shqiptaro-amerikanët që humbën jetën në sulmin e 11 shtatorit

11:58 11/09/20204min288
auto_auto_21430438_1615370911861156_2692093383006593454_n15050483611599811823-760x450-1 (1)

Në mbarë botën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot përkujtohen rreth 3 mijë viktimat e 19 vjetëve më parë, kur dy Kullat Binjake u shkatërruan nga dy aeroplanë të përdorur si kamikazë nga terroristët e “Al Qaida”-s.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore, e njohur në gjuhën popullore si “Kullat Binjake”.

Ata humbën jetën në sulmin terrorist dhe përkujtohen çdo vit bashkë me viktimat e tjera të asaj tragjedie.Në Manhatan organizohet si për çdo vit një ceremoni përkujtimore për mijëra viktimat e 11 shtatorit. Edhe familjarët e tri viktimave si çdo ritual mortor vjetor presin e përcjellin njerëz dhe vizitojnë memorialët e anëtarëve të familjeve të tyre, që humbën jetën më 11 shtator 2001.

Simon Dedvukaj ishte më i riu nga të tre shqiptarët që humbën jetën në Manhatan. 26-vjeçari Dedvukaj punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si përgjegjës i punonjësve të mirëmbajtjes së Kullave Binjake.

Tashmë në New York është edhe fondacioni “Simon M. Dedvukaj” , ku qëllimi i këtij fondacioni është në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj për të bërë zgjedhjen e duhur në jetë, për t’i shërbyer jo vetëm vetes, por edhe familjeve dhe komunitetit ku ata jetojnë.

Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, punonte në njërën prej Kullave Binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë. 60-vjeçari kishte qenë në katin e 105-të kur i kishte telefonuar të birit, Vincent, për t’i dhënë lamtumirën dhe për t’i thënë se tani “ai do të ishte në duart e Zotit”.

65-vjeçari Mon Gjonbalaj, shqiptar nga Kosova, punonte prej 30 vjetësh si portier në njërën prej Kullave Binjake.

Gjonbalaj e donte shumë punën dhe refuzonte të dilte në pension, megjithëse e kishte mbushur moshën. Në telefonatën e fundit nga kati i 86-të i Kullës Binjake numër dy amaneti i tij kishte qenë që fëmijët e tij të bëheshin të fortë dhe ta mbanin familjen të lidhur ngushtë.

Mbi 3 mijë njerëz humbën jetën kur rrëmbyesit përplasën katër aeroplanë mbi kullat binjake në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania. Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin shtetas të më tepër së 70 vendeve dhe në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanët./Zëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto