Nga BEHAUDDIN GASHI, NJË PORTË GJITHMONË E HAPUR…

17:04 31/08/202033min330

a1a7dbbe-14e2-4c8a-a42b-a8e69b68cebf

Ishte fillimi i vitit 2007.

Atë paradite të ftohtë dimri, mbasi mbarova së lexuari disa faqe nga Kur’ani i Shenjtë, mendova të shkoj e ta fal namazin e drekës tek xhamia e Nazireshës. Zakonisht, për mua dhe për një pjesë të mirë të myslimanëve të tjerë, ishte bërë zakon që pjesën dërrmuese të namazeve farze t’i falnim tek xhamia “Mbret”, në qendër të qytetit të Elbasanit, brenda lagjes “Kala”. Por kishte dhe raste, si ky i kësaj dite, kur secili prej nesh, veçmas ose me të tjerë, shkonte dhe falej nëpër xhamitë e tjera, për të shtuar sevapet, siç shpreheshim shpesh ne, si dhe për t’u takuar me vëllezërit me të cilët takoheshim rrallë, si shkak i punëve që mund të kishim apo edhe i pamundësisë, kushtëzuar kjo prej distancave tepër të largëta të lagjeve të ndryshme nëpër të cilat banojmë.

Shtëpia ime është diku në pjesën veriore të qytetit, ndërsa xhamia e Nazireshës është pikërisht në jug të tij, gati në pjesën më fundore, ngjitur me unazën, e cila shërben si një nyje shumë e fuqishme për ta lidhur Elbasanin me qytetet e tjera të Shqipërisë juglindore dhe jugperëndimore. Kështu që falë distancës së gjatë dhe nën një diell që ndriste fort, por që s’kishte fuqi ta mbyste thëllimin e acartë që zbriste grykës së lumit Shkumbin dhe shpërndahej më pas në çdo qelizë të qytetit, unë e shijova pa masë atë udhëtim, i cili zgjati afërsisht tridhjetë minuta, diç më shumë, a diç më pak.

Kur arrita, pashë që kishte plot besimtarë të cilët prisnin të thërritej ezani. Disa shkonin, disa të tjerë dilnin nga avdes’hanja me fytyrën dhe duart e lagura prej nga ku i kullonte uji i avdesit të sapomarrë, i cili, tek bulëzonte ndritshëm si mijëra margaritarë, sikur i bënte karshillëk të ftohtit dhe i thoshte: “S’ke ç’më bën, mua më ngroh forca e besimit”! Diku bisedohej për një temë që ua kishte tërhequr vëmendjen, pak më tutje qeshnin me ndonjë vëlla që njihej si shakaxhi i madh. Një grup prej tyre dëgjonin plot kërshëri dikënd që si shkak i diturisë së marrë ndër vite, kishte fituar autoritetin e dhënies së këshillës fetare. Me pak fjalë, një rutinë e përditshme në oborrin e xhamisë, ku secili në një mënyrë apo tjetër mundohej të bëhej pjesë e asaj përditshmërie që mbillte në zemra e shpirtra dashurinë për Zotin dhe besimin e pastër Islam si dhe afronte besimtarët me njëri-tjetrin dhe me gjithçka që i rrethon.

Mendova t’i bashkëngjitesha një grupi në të cilin po bisedohej plot zell për një temë mjaft delikate. Iu afrova dhe pasi u dhashë selam vëllezërve, prita të dëgjoja se çfarë po thonin saktësisht. Po flisnin për një bashkëqytetar tonin – një djalë me emër – siç quhet zakonisht dhe që e kishin arrestuar. Shumica e tyre mbronte mendimin se ai dhe plot të tjerë e kanë merituar atë që i ka gjetur dhe, si kriminelë që janë, aty duhet të kalben, në burg. Dikush dëgjohej që fliste i mllefosur:

“Kollaj kur kanë vjedhur, vrarë, rrahur të tjerët, shitur drogë, përdhunuar”!

I dëgjova sa i dëgjova dhe më pas ndërhyra. U fola gjatë dhe plot argumente, u thashë se çdokush mund të gabojë, madje dhe shumë rëndë, nëse nuk e njeh Zotin xh.sh., por ne duhet të jemi të mëshirshëm. Mëshira as nuk blihet, as nuk shitet, ajo është e ngulitur në thellësinë e zemrave të pastra. Islami është mëshirë, vetë Profeti Muhammed (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), na ka këshilluar të jemi të tillë, ku mëshira të jetë primare; mbi të gjitha, i Madhi Zot në të panumërta forma na këshillon, na nxit e na urdhëron për të qenë të butë, të mëshirshëm, të kërkojmë falje si dhe na garanton se Ai do ta falë të penduarin…

          “… Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek All-llahu të penduar, që të arrini shpëtim”!

Kur’an: Surja En-Nur (Drita), ajeti 31

         

“Të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë…”.

Kur’an: Surja Hud (Pejgamberi Hud), ajeti 3

 

          “O ju që keni besuar! Kthehuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj…”.

Kur’an: Surja Et-Tahrim (Ndalimi), ajeti 8

 

Kur dikush bëhet mysliman, Zoti ia fal të gjitha mëkatet e mëparshme…

          “Një njeri i quajtur Amër erdhi tek i Dërguari Muhammed (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) dhe tha: “Më jep dorën e djathtë të të jap besën për besnikëri”. I Dërguari i zgjati dorën e djathtë, mirëpo Amri e tërhoqi dorën. Profeti e pyeti: “Ç’ndodhi me ty, o Amër”? “Kam një kusht”! – tha Amri. “Cili është kushti yt”? – i tha Profeti. “Të më falen të gjitha gjynahet”! Atëherë Profeti i tha: “A nuk e di se hyrja në Islam i fshin të gjitha gjynahet e mëparshme””?

(Muslimi dhe Ahmedi)

 

          Pas hyrjes në Islam, personi do të shpërblehet për veprat e tij të mira apo të këqija, ashtu siç shpjegohet në këtë hadith:

          “Zoti juaj i Madhëruar është i Mëshirshëm. N.q.s. dikush ka ndërmend të bëjë një vepër të mirë, por nuk e bën atë, atij do t’i shkruhet një vepër e mirë; nëse ai e bën atë do t’i shkruhen dhjetë, deri në shtatëqind apo më shumë herë. Nëse dikush ka ndërmend të kryejë një vepër të keqe, por nuk e bën, atij do t’i regjistrohet një vepër e mirë; n.q.s. ai e bën atë, do t’i shkruhet një vepër e keqe ose Zoti do t’ia falë”.

(Muslimi dhe Ahmedi)

 

          “Moti (shumë kohë) para jush, ka qenë një njeri i cili ka vrarë 99 vetë. Ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë dhe e udhëzuan te një rahib (një njeri i devotshëm që banonte në shkretëtirë – çifut). Shkon te rahibi dhe i thotë se i ka vrarë 99 veta, andaj e pyet se a ka teube (pendim që sjell mëshirë të All-llahut dhe falje) për të. Rahibi i thotë se për të nuk ka teube. Ky e vret edhe rahibin dhe me të i plotëson 100 vetë të vrarë prej dorës së tij. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë. E udhëzuan te një dijetar. Ky, pasi e gjen dijetarin, i tregon se i ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka teube për të… Dijetari i mençur i thotë që po, për ty ka teube, por është shumë larg dhe e vështirë (për të shkuar atje). Atëherë vrasësi e pyet përsëri se sa është largësia ndërmjet tij dhe teubes (vendit të pendimit). Dijetari i përgjigjet:

          – Shko në atë dhe atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-llahun. Adhuroje edhe ti All-llahun me ta dhe mos u kthe më kurrë në vendin tënd, se është vend i keq!

          Vrasësi niset për në vendin ku adhurohej shumë All-llahu, por kur arrin në mesin e rrugës, i vjen vdekja. Atëherë lind grindja mes engjëjve të mëshirës dhe engjëjve të dënimit. Engjëjt e mëshirës, thanë:

          – Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet që ka bërë, me zemër të drejtuar kah All-llahu i Madhërishëm.

          Kurse engjëjt e dënimit, thanë:

          – Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë!

          Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut dhe këta e marrin si gjykatës për të gjykuar se cilëve prej tyre u takon ai. Ky u thotë:

          – Mateni distancën në mes dy vendeve, vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve e, më afër cilit vend të jetë, atij vendi edhe i takon.

          Engjëjt e matën distancën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte (vendit të pendimit e adhurimit), kësisoj e rrëmbyen engjëjt e mëshirës”.

(Buhariu dhe Muslimi)

 

          “Vërtet, All-llahu i Madhërishëm e mban të shtrirë Dorën gjatë natës, për të pranuar pendimin për mëkatet e kryera gjatë ditës, dhe e shtrin Dorën gjatë ditës, për të pranuar pendimin për mëkatet e kryera gjatë natës, dhe kjo derisa të lindë dielli nga perëndimi”.

(Muslimi)

 

          “Kush pendohet përpara se të lindë dielli kah perëndimi, All-llahu do ta falë”.   

(Muslimi)

 

          “Vërtet All-llahu i Gjithëfuqishëm e pranon pendimin e robit të Vet deri në gargarën e tij (deri në frymën e tij të fundit)“.

(Muslimi)

 

Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), ka thënë:

“Kush nuk i mëshiron njerëzit, All-llahu i Lartësuar nuk do ta mëshirojë”.

(Muslimi)

          “Sikur njeriu të kishte një luginë me ar, do të dëshironte t’i ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngopë), përveç dheut. Ata që bëjne teube (pendohen) All-llahu xh.sh. ua pranon teuben (pendimin) e tyre”.     

(Buhariu dhe Muslimi)

 

          “Kush dëshmon se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut të vetëm e të pa ortak, se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij, Isai (Jezusi) është robi dhe i Dërguari i Tij dhe Fjala e Tij (Bëhu) të cilën ia ka drejtuar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) prej Tij, dhe se Xhenneti është i vërtetë e Zjarri (Xhehennemi) është i vërtetë, All-llahu e fut në Xhennet, sido që të ketë punuar”.

(Buhariu dhe Muslimi)

 

“Me të vërtetë All-llahu ia ka ndaluar Zjarrit që të përfshijë atë që thotë “La ilahe il-lall-llah”, duke pasur për qëllim me të Fytyrën e All-llahut”.

(Buhariu dhe Muslimi)

 

          “Përgëzohuni dhe përgëzoni ata që do të vijnë pas jush, se kush dëshmon “La ilahe il-lall-llah” se nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut, me sinqeritet të plotë, do të hyjë në Xhennet”.

(Imam Ahmedi, Taberaniu dhe e ka bërë të saktë

Shejkh Albani)

 

Një ditë Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), pasi lexoi këto dy ajete:

          “O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, Je Falës dhe Mëshirëplotë”.

Kur’an: Surja Ibrahim (Pejgamberi Ibrahim), ajeti 36

 

          “Nëse Ti i dënon ata, robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti”.

Kur’an: Surja El-Ma’ideh (Sofra e shtruar), ajeti 118

 

qau aq shumë, sa All-llahu e dërgoi Xhibrilin (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) që ta pyesë Muhammedin se çfarë po e bën të qajë, ndërkohë që All-llahu e di fare mirë pse po qan…

          Zbriti Xhibrili dhe i tha:

          – O i Dërguari i All-llahut, çfarë të ka bërë të qash?

          Tha:

          “Ummeti im, ummeti im, o Xhibril”!…

          Xhibrili u ngrit tek All-llahu dhe i tha:

          – Po qan për ummetin e vet, ndërsa All-llahu e di…

          Atëherë All-llahu i tha Xhibrilit:

          – Zbrit tek Muhammedi dhe thuaji:

          “Ne do të të bëjmë të kënaqur me ummetin tënd”!

(Muslimi)

 

– Vëllezërit e mi, – vazhdova, – dëgjojini me vëmendje edhe këto këshilla se sa motivuese që janë, pasi dihet se gjithkush gabon…

“Mos lejo asnjëherë që mëkatet e tua të të largojnë nga All-llahu i Lartësuar. Sado i madh të jetë mëkati në kohën që shkoi, jepe maksimumin që të jesh i nënshtruar (i bindur – ndaj Zotit) në orët në vijim. Mos thuaj asnjëherë: “Kam turp të qëndroj para Zotit, isha i pabindur ndaj Tij më parë”! Kjo ndjenjë turpi është e sajuar nga shejtani”.

Shejkh Muhammed Seid Ramadan El-Buti

(Mëshira e All-llahut qoftë mbi të)

 

Pas një pauze të shkurtër, vazhdova përsëri:

– Mendoni pak edhe se si mund të jenë rritur, në çfarë mjedisi. Të mos harrojmë, se ata njerëz janë bashkëatdhetarët tanë dhe kanë nevojë për ne, kanë nevojë për duatë (lutjet) tona, që Zoti t’i falë, t’i mëshirojë, t’i udhëzojë dhe t’i kthejë sa më shpejt pranë familjeve të tyre; të mos harrojmë se sjellja jonë është ajo që vendos…

“Vërtet, në mesin tuaj ka të tillë që i largojnë njerëzit nga feja (me sjelljen e tyre të shëmtuar)“.

(Buhariu dhe Muslimi)

 

          – Është detyra jonë, – ngrita zërin, – që të japim kontributin tonë të sinqertë, në mënyrë që ata që gjenden pas hekurave të burgut, të pendohen sinqerisht për veprat e kryera, të kuptojnë se shoqëria njerëzore ka nevojë për ligje e rregulla që duhen vlerësuar e respektuar dhe veçanërisht ata që janë me përkatësi islame, të fillojnë të falen e të agjërojnë, t’i rregullojnë raportet me Krijuesin e tyre, All-llahun Fuqiplotë, pastaj me të gjitha krijesat, duke ecur natyrshëm dhe të sigurtë në rrugën e bukur e të pastër të besimit, në rrugën e të bërit besimtarë të mirë. Shtëpitë e All-llahut – xhamitë – portat e pendimit dhe të kthyerit nga Zoti xh.sh., janë të hapura për të gjithë, edhe për ata që dallgët e jetës mund t’i kenë degdisur burgjeve të pafat, ku njeriu qan me lot të nxehtë për humbjen e lirisë dhe të begatisë së jetës së lirë, pranë familjarëve e miqve…

Diskutuam gjatë dhe secili prej tyre jepte argumentet e veta në lidhje me këtë kategori shoqërore e cila, me të vërtetë, në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në vendin tonë, nuk është e paktë. Një çast u mërzita shumë me dikë, një bashkëmoshatar timin i cili njihej si njeri paksa i ngushtë në shpirt, i ngutshëm dhe që, menjëherë, sapo erdhi e iu bashkua bisedës, filloi të flasë papushim. Një çast, kur tha diçka që për etikë nuk mundem ta shkruaj këtu, duke e përmbajtur me zor zemërimin, i kërkova që të mos fliste më, sepse ishte totalisht gabim në çdo fjalë që nxirrte e mendim që përcillte, për më tepër, mund të ndikonte negativisht tek të rinjtë që sapo kishin pranuar Islamin dhe kishin filluar të vinin në xhami. Ai e dinte seriozitetin e fjalës sime kur ishte në pyetje diçka shumë serioze dhe kështu biseda u mbyll.

U mbyll aty, por jo tek unë!

Ndërkohë që myezini filloi të thërrasë ezanin dhe, edhe pse i inatosur në kulm nga disa mendje të dobëta dhe shpirtra të vegjël tek të cilët përkitazi faktit që mund të kishin kohë që vinin në xhami, akoma s’ishin fshirë disa mentalitete të xhahilijetit (injorancës së pabesimit), unë fillova të lutesha. U luta për ata që ishin privuar nga liria – të dënuarit me burg – dhe për familjarët e tyre, u luta për bashkëkombasit e mi, u luta për udhëzim dhe ndihmë për të gjithë njerëzimin.

Dhe kështu filloi…

 

 

 

THEMELIMI I K.R.NJ-së

 

 

 

Në muajin Prill të vitit 2007, me cilësinë e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Hatib pranë Myftinisë së Rrethit të Elbasanit, me autorizim nga Ministria e Drejtësisë, fillova të udhëheq faljen e Xhumasë dhe të Bajrameve në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, një Burg i Sigurisë së Lartë.

Më pas, xhuma pas xhumaje e, muaj pas muaji, duke parë gjendjen e të dënuarve, nevojat e tyre, problemet me të cilat përballeshin si dhe dëshirën e tyre të madhe për t’iu përkushtuar besimit të Zotit e kthimit në rrugën e drejtë, mendova të ngre një Qendër e cila do të kishte si qëllim final pikërisht kthimin e tyre në rrugën e Zotit të Lartësuar dhe respektimin e ligjit, me pak fjalë, rehabilitimin e tyre në pozitat e krijesave të pastra e të vërteta njerëzore.

Kështu, duke iu referuar ligjeve ndërkombëtare për drejtimin e burgjeve nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut si dhe pas konsultave të shumta me miq e dashamirës nga sfera të ndryshme të shoqërisë, profesionistë të fushave të ndryshme ligjore, myslimanë e të krishterë, veçanërisht nga Ministria e Drejtësisë dhe e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, themelova Qendrën “KORREKTIM DHE REHABILITIM NJERËZOR – K.R.NJ”, me Vendim Nr. 455 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 01.04.2008.

Më pas, për efekte ligjore, me Vendim të Kryesisë dhe të vetë Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar të asaj kohe, mikut të nderuar që tashmë është bërë për rahmet, haxhi Selim MUÇAJ, i marrë në mbledhjen e radhës në datë 23 Prill 2008, me numër protokolli 119, u emërova edhe si Imam – Hatib – Vaiz në burgun e sigurisë së lartë – I.E.V.P Peqin.

Po ashtu, me dëshirën e madhe për të shtrirë e zgjeruar aktivitetin e Qendrës “KORREKTIM DHE REHABILITIM NJERËZOR – K.R.NJ” në tërë I.E.V.P-të e Republikës së Shqipërisë, si Drejtor Ekzekutiv i kësaj qendre, më datë 18.03.2009, nënshkrova Akt-Marrëveshjen me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve i asaj kohe, z. Gazment DIBRA.

Që nga ai moment e deri më sot, Qendra “KORREKTIM DHE REHABILITIM NJERËZOR – K.R.NJ” ka vazhduar punën e saj korrekte në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve si dhe në përmbushje të të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në nenet 3; 10/2; 15/2; 17/2; 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe legjislacionit “Për trajtimin e të dënuarve në Republikën e Shqipërisë”…

 

 

 

Liria e Besimit nëpër burgje

 

 

 

Ashtu si edhe ne, të lirët, edhe të burgosurit janë qenie njerëzore…

Heqja e lirisë nuk duhet të përfshijë mohimin e së drejtës për të kryer ritet fetare të një besimi.

Në “Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, neni 18″, thuhet:

“Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet si dhe lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm apo bashkërisht, si në publik ashtu edhe privatisht, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve”.

 

Në këtë kontekst, si vazhdimësi logjike e asaj që po dua të përcjell – dhe pse tepër shkurt – le të shikojmë një qasje të mrekullueshme të Z. Hon Jack Straw (Ish ministër britanik përgjegjës për burgjet):

          “… Unë besoj se mënyra si i trajtojnë shoqëritë ata të cilëve u është hequr liria, është provë vendimtare e përkushtimit ndaj të drejtave të njeriut. Në botë ekzistojnë një numër i madh traktatesh dhe standardesh ndërkombëtare për drejtimin e shërbimeve në burgje. Britania mbështet zbatimin universal të këtyre marrëveshjeve…”.

 

Ndërsa Presidenti Nelson Mandela, duke folur para personelit të burgut në Afrikën e Jugut në vitin 1998, ia vë vulën përfundimisht:

“Burgjet e sigurta janë themelore për të shndërruar sistemin e drejtësisë në një armë efektive kundër krimit. Kur të burgosurit – të dënuar apo që presin dënimin – i janë besuar burgut për kujdes, ata si dhe publiku duhet ta dinë se ata do të rrinë aty deri sa të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore…

          Kontributi që burgjet tona mund të japin për kufizimin e përhershëm të shkallës së krimit në vend, varet edhe nga mënyra me të cilën i trajtojnë të burgosurit. Rëndësia që ka profesionalizmi apo respektimi i të drejtave të njeriut është shumë më e madhe se sa mund të theksojmë ne”.

         

          Liria e besimit fetar dhe për të mbikëqyrur kërkesat e atij besimi është një e drejtë njerëzore universale dhe zbatohet për të gjithë të burgosurit, njësoj si edhe për personat e lirë. Rregulloret e burgut duhet të përfshijnë të drejtën e përfaqësuesve fetarë të kualifikuar për të vizituar burgjet rregullisht dhe për të takuar të burgosurit. Të gjithë të burgosurve të cilët duan të ushtrojnë ritet e tyre fetare, duhet t’u sigurohen mjetet e nevojshme. Kjo mund të përfshijë të drejtën për t’u lutur privatisht në kohën e caktuar, për të kryer rite të ndryshme të larjes ose për të veshur artikuj të veçantë veshjeje.

Dispozitat e mbështetura me ligj, duhet të zbatohen për të gjitha grupet e njohura fetare dhe nuk duhet të kufizohen në besimet kryesore të çdo vendi. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet nevojave fetare të të burgosurve nga grupet e pakicave. Po ashtu, është e rëndësishme të sigurohet që të burgosurit që nuk i përkasin asnjë grupi fetar ose që nuk dëshirojnë të praktikojnë një besim, të mos detyrohen ta bëjnë këtë gjë. Të burgosurit nuk duhet të kenë privilegje shtesë ose të lejohen të jetojnë në kushte më të mira për shkak të pranimit ose të praktikimit të një drejtimi fetar.

Nga përvoja ime e deritanishme, i mëshoj shumë tezës se koncepti i të drejtave të njeriut nuk është thjesht një tjetër temë që i duhet shtuar kurrikulumit të trajnimeve të ndryshme që mund të bëhen për këtë qëllim. Në fakt, ai është pjesë integrale e menaxhimit të mirë të burgut.

          E Lus All-llahun e Gjithëmëshirshëm që të mos ketë diskriminim në asnjë vend të botës e në veçanti në Shqipërinë tonë të dashur dhe në të gjitha trojet shqipfolëse!

          Amin! Amin! Amin!

 

 

Nga Behauddin GASHI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto