Nga Behauddin GASHI/ SULMET VETËVRASËSE

13:23 23/09/202022min779
behauddin gashi

Le ta nisim me një pyetje të drejtpërdrejtë dhe po ashtu le t’i përgjigjemi:

– Sulmet vetëvrasëse, a janë edhe këto pjesë të xhihadit në rrugën e All-llahut? 

– Në mënyrë absolute: JO!

Ato nuk janë aspak forma të ligjëruara fetarisht, pra nuk janë forma të vërtetimit të besimit në Zot.

Megjithatë, me shumë dhimbje shikohet se ka edhe myslimanë (dhe pse fare të paktë) të cilët e kanë marrë sulmin vetëvrasës si akt virtuoz i cili meritoka shpërblim, duke i dhënë kryesit të këtij akti gradën e shehidit. Ata besojnë verbërisht se akte të tilla e përgatisin rrugën për ringjalljen dhe rikthimin në ligjet madhështore të Islamit…

Dihet se, ai që bie shehid – dëshmor – në rrugën e All-llahut xh.sh. ka shpërblime shumë të mëdha tek Zoti Bujar, por të fituarit e kësaj grade, nuk është aspak e lehtë dhe ka shumë kushte, të cilat duhet të kihen mirë parasysh dhe të zbatohen një për një nga ata që e kërkojnë një shpërblim të tillë madhështor. 

Profeti Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), ka thënë:

“Asnjë njeri i cili i gëzohet dhe i pret të mirat tek All-llahu, nuk do të dëshironte të kthehej në dynja pas vdekjes, edhe sikur t’i jepej atij tërë bota dhe tërë ajo që është në të. Përjashtim bën shehidi i cili do të gëzohej të kthehej edhe një herë në dynja dhe të vdiste edhe një herë për All-llahun”.   (Buhariu)

Shejh Muhammed ibn Umer ibn Salim Bazmul, ka thënë:

“Feja më ka mësuar, se i vrari në fushëbetejë nuk mund të jetë shehid, derisa t’i plotësojë kushtet e mëposhtme:

Lufta e tij të jetë për të ngritur lart Fjalën e All-llahut të Lartësuar;

Të ketë mbi vete besatim (besën e dhënë) për prijësin e tij;

Të mos ketë marrë fshehurazi diçka nga plaçka e luftës (duke mos e dorëzuar);

Të mos ketë dalë në luftë pa kënaqësinë e prindërve të tij;

Të mos ketë luftuar nën një flamur të verbër (fanatizmi, apo ëndjeje të çfarëdollojshme);

Dalja e tij në luftë, të mos përmbajë kundërvajtje fetare;

Të mos largohet nga fushëbeteja (përveç arsyeve taktike), përderisa numri i mosbesimtarëve të mos ketë arritur dyfishin e myslimanëve (a shumë më tepër);

  Të mos jetë ndarë nga xhemati (bashkësia) i myslimanëve.

Nëse e mësojmë dhe e kuptojmë mirë këtë, atëherë na bëhet tërësisht e qartë se fjala e Profetit (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!): “Shehidit i falen (gjynahet) me pikën e parë (të gjakut), bën fjalë për shehidin që ka plotësuar këto kushte dhe nuk është thjesht dikush që vritet në fushëbetejë.

Po çfarë mund të thuash për atë që e vret veten në një sulm vetëvrasës dhe jo në fushëbetejë, madje duke i marrë jetën në të njëjtën kohë edhe dhjetra, apo qindra a mijëra të pafajshmëve, duke menduar se është shehid?…

O Zot, udhëzoji të këtillët!

Shtatë veprat shkatërruese

Ebu Hurejre përcjell se Profeti Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), ka thënë:

“Largohuni nga shtatë vepra shkatërruese!

I thanë:

– O i Dërguari i All-llahut, cilat janë ato?

Ai u përgjigj:

1- Politeizmi; 

2- Magjia; 

3- Vrasja e njeriut që e ka ndaluar All-llahu, përveçse kur e kërkon e drejta; 

4- Ngrënia e kamatës; 

5- Përfitimi nga pasuria e jetimit; 

6- Braktisja e fushëbetejës; 

7- Shpifja ndaj grave të ndershme besimtare”.

Fjalë dijetarësh për sulmet vetëvrasëse

Muhammed El-Gazali, ka thënë:

“Unë nuk frikësohem prej njeriut që mendon edhe n.q.s. është i humbur, sepse ai një ditë do të kthehet tek e vërteta. Por, unë frikësohem prej njeriut që nuk mendon edhe nëse është i udhëzuar, sepse ai është sikur ajo fija e kashtës, të cilën gjithmonë e merr era”…

Dijetari i madh i Islamit, Shejkh Albani (All-llahu e mëshiroftë!), ka thënë:

“Ne themi: 

– Sulmet vetëvrasëse që ndodhin në kohën tonë, janë të gjitha të palejuara (në Sheriat), dhe të gjitha ato janë të jashtëligjshme (të ndaluara). Këto lloje (të vetëvrasjes) mund të jenë shkak për qëndrim të përhershëm në zjarrin e Xhehennemit të kryesit të tyre dhe as që mund të konsiderohen adhurim dhe afrimitet ndaj All-llahut”.   (Silsilatul el-Huda uen Nur, 760)

Shejkh Ibn Bazi (All-llahu e mëshiroftë!), njëri prej dijetarëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve, ka thënë:

“Detyrë për besimtarin është që gjatë trazirave ai të jetë me të vërtetën dhe jo me epshin e tij dhe as me të kotën”.

Gjithashtu:

“O myslimanë, përsiatni mbi Librin e Zotit tuaj (Kur’anin) dhe shpeshtojeni leximin e tij. Zbatojini urdhrat që janë në të dhe shmanguni nga ndalimet e tij. Mësojini moralet dhe veprat që Kur’ani i ka lavdëruar; nxitoni drejt tyre dhe cilësohuni me to. Dijini moralet dhe veprat që Kur’ani i ka qortuar dhe i ka kërcënuar ithtarët e tyre; kini kujdes nga to dhe shmanguni prej tyre. Këshillojeni njëri-tjetrin me një gjë të tillë dhe duroni (këmbëngulni) në të, derisa ta takoni Zotin tuaj dhe me këtë të meritoni nderin e të triumfoni me shpëtim, me lumturi e me krenari në dynja dhe në Ahiret”.

Ndërsa për shkaqet e qëndrueshmërisë përballë sprovave, Shejkh Ibn Bazi (All-llahu e mëshiroftë!), pasi ka theksuar se fjala e tij do t’i kushtohet disa cilësive të mëdha dhe të virtytshme, ka vazhduar:

Profeti (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), na tregon: 

“All-llahu thotë: “Dashuria Ime për ata që duhen për Hir Timin, është bërë e detyrueshme (e drejtë e tyre tek All-llahu). Po kështu e atyre që këshillojnë njëri-tjetrin për hir Timin dhe qëndrojnë bashkë (në tubime dijesh) për Hir Timin”.

Profeti (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), thotë: 

“Shtatë persona All-llahu do t’i fusë nën Hijen e Tij, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij: Prijësin e drejtë; atë djalosh i cili rritet në bindje ndaj All-llahut; atë burrë zemra e të cilit ka qenë e lidhur me xhaminë; dy burra të cilët janë dashur për Hir të All-llahut dhe janë ndarë për Hir të Tij; atë burrë të cilin e fton një grua me pozitë dhe bukuri (për të bërë imoralitet), ndërsa ai i thotë: “Unë kam frikë All-llahun”; atë burrë i cili jep lëmoshë dhe e fsheh atë sa që nuk e di e majta se ç’ka dhënë e djathta e tij dhe atë burrë i cili kujton All-llahun kur është vetëm dhe i lotojnë sytë nga lotët”.

Gjithashtu Profeti (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), thotë: 

“All-llahu do të thotë në ditën e Kiametit: “Ku janë ata që janë dashur për Hir të Madhështisë Sime? Këtë ditë do t’i fus ata nën hijen Time, ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes Time”“. 

Ndaj, ata që duhen për Hir të All-llahut, duhet të bashkëpunojnë në të mira e devotshmëri, ta porosisin njëri-tjetrin për të vërtetën dhe ta këshillojnë njëri-tjetrin.

Nga shkaqet e qëndrueshmërisë është gjithashtu siguria në fenë e All-llahut, llogaritja e vetvetes dhe luftimi i saj. Njeriu duhet t’i kërkojë llogari vetvetes, të kujtojë prezantimin tek All-llahu xh.sh. dhe përcjelljen tek varri i tij. Kjo gjë e ndihmon atë në qëndrueshmëri dhe vazhdueshmëri në rrugë të mbarë.

Gjithashtu duhet të lexojë sa më shumë Kur’an dhe të bëjë dhikër (ta përmendë All-llahun xh.sh.), sepse kjo e ndihmon në qëndrueshmërinë tek e vërteta dhe për vendosmërinë në fé. Kjo botë është botë sprovash dhe fitnesh, prandaj besimtari duhet të jetë i qëndrueshmëm në të vërtetën, të ecë drejt dhe të bëjë shkaqet e qëndrueshmërisë; pra të mësojë Kur’anin dhe të lexojë sa më shumë prej tij.

Të kujtojë botën tjetër, Xhennetin dhe Xhehennemin, të shoqërohet me njerëz të mirë dhe t’i largohet shoqërisë së keqe. Të gjitha këto e ndihmojnë besimtarin dhe janë shkaqe për qëndrueshmërinë përballë fitneve”.

Dhe kur Shejkh Ibn Bazi (All-llahu e mëshiroftë!) është pyetur se çfarë gjykimi ka për atë njeri që hedh veten në erë për të vrarë një grumbull njerëzish prej çifutëve, ka thënë:

“Ajo që mendoj dhe e kam theksuar disa herë është se kjo gjë nuk është e saktë, sepse konsiderohet vetëvrasje dhe All-llahu i Madhëruar ka thënë: 

“… mos e vrisni veten”!…

Kur’an: Surja En-Nisa’ (Gratë), ajeti 29

Po ashtu, nga Profeti Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), përcillet se ka thënë: 

“Ai që vret veten e tij me diçka në këtë botë, do të dënohet me të në Ditën e Kiametit”.   (Buhariu dhe Muslimi)

Ka thënë dijetari i nderuar Muhammed Ibn Salih El-Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë!):

“Përsa i përket asaj që veprojnë disa njerëz që bartin me vete aparate shpërthyese dhe me to shkojnë tek jobesimtarët dhe në momentin që gjenden midis tyre, i shpërthejnë ato, s’ka dyshim se kjo është vetëvrasje (haram i qartë). All-llahu na ruajtë nga të tilla veprime, duke qenë se All-llahu i Madhëruar thotë:

  1. “O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vrisni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, All-llahu është i Mëshirshëm me ju.
  2. Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në Zjarr. Kjo është shumë e lehtë për All-llahun”.

Kur’an: Surja En-Nisa’ (Gratë), ajetet 29-30

Prandaj, nuk i lejohet askujt që të vrasë vetveten, por duhet të kujdeset për të në mënyrën më të mirë. Dhe nuk gjykohet për atë që vret veten se ai është shehid – dëshmor”.

Gjithashtu, në një rast tjetër, kur është pyetur po për sulmet vetëvrasëse, është përgjigjur: 

Sulmet vetëvrasëse në të cilat është e sigurtë se njeriu humb në to jetën e tij, janë të ndaluara dhe nga gjynahet e mëdha, sepse Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), ka thënë:

“Ai që vret veten e tij me diçka në këtë botë, do të dënohet me të në Ditën e Kiametit”.   (Buhariu dhe Muslimi)

E nuk përjashtoj asnjë rast në këtë hadith, prandaj ky gjykim është gjithpërfshirës. Gjithashtu, qëllimi i xhihadit është mbrojtja e Islamit dhe myslimanëve, ndërsa ai që bën sulme vetëvrasëse, ka vrarë vetveten, ka shkaktuar humbjen e jetës, apo të gjymtyrëve të trupave të myslimanëve si dhe ka shkaktuar dëme tek të tjerët…”.   (Mexhmu fetaua ue resail El-Uthejmin, 25/358)

Dijetari i madh i Islamit, Shejkh Salih El-Feuzan (All-llahu e ruajtë!), thotë:

“Atyre që thonë: 

– Ata të cilët i hedhin në ajër ndërtesat, i vranë të pafajshmit dhe çfarëdo që e vepruan, e bënë për shkak të fesë!…

Ne u themi: 

– Gënjyet! Nuk është kjo si shkak i fesë, mirëpo, si shkak i injorancës së tyre ndaj fesë”!   (Hukmu Muvalat Ehlu-Shirk f. 108)

U pyet Shejkh Abdulaziz Al Esh-Shejkh – myftiu i sotëm i Arabisë Saudite – në lidhje me vetëvrasjet:

– A është vetëvrasja xhihad në rrugë të All-llahut?

Tha:

“Jo, për All-llahun! Vrasja e vetes është humbje dhe agresion. All-llahu i Madhëruar ka thënë:

“… mos e vrisni veten”!…

Kur’an: Surja En-Nisa’ (Gratë), ajeti 29

Dhe Profeti (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), ka thënë:

“Ai që bën vetëvrasje duke u hedhur nga shkrepi (shkëmbi), do të jetë pandërprerë duke u hedhur në zjarrin e Xhehennemit, ku edhe do të digjet përgjithmonë; kush pi helm dhe vdes, do ta mbajë helmin në dorë dhe do ta pijë pandërprerë në zjarr të Xhehennemit, në të cilin do të ngelë përgjithmonë; kush bën vetëvrasje me një copë hekuri, do ta mbajë atë në duar dhe do ta godasë veten pandërprerë në zjarrin e Xhehennemit, në të cilin do të mbesë përgjithmonë”.   (Transmetim unanim)

Ndërsa vetëvrasja që sot njihet edhe si akt i kërkimit të gradës së shehidit, është vetëm nga humbja që shejtani i bën njeriut. Kjo gjë nuk lejohet dhe është e ndaluar në Sheriatin islam, i cili nuk e përmban vetëvrasjen. Kjo gjë është dëm i madh, por myslimanët janë të urdhëruar të bëjnë durim dhe të shpresojnë shpërblimin e All-llahut xh.sh. për këtë”…

All-llahu i udhëzoftë dhe i forcoftë myslimanët shqiptarë dhe jo vetëm, ua ndriçoftë rrugën e bekuar drejt Xhennetit dhe i mbrojttë nga çdo lloj devijimi!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto