Nga Behauddin GASHI. KUSH E KA FAJIN?

19:25 08/09/202017min366
behauddin gashi

Të mendosh, të kuptosh dhe të jetosh me bindjen e vërtetuar me vepra se urdhrat e dhëna nga i Madhi Zot, që njeriu të ndjekë rrugën e mirësisë së besimit që udhëheq për në Xhennet dhe jo atë të pabesimit që fton për në Xhehennem, si dhe liria e dhuruar nga ana e Madhërisë së Tij, që njeriu të zgjedhë i lirë dhe i pa detyruar as edhe në aspektin më të vogël mënyrën e rrugëtimit të tij jetësor në këtë botë sprove, është gjëja më e çmuar e njeriut, do të thotë se ke kuptuar filozofinë më të thellë dhe më të ndritshme të jetës. Mirëpo, fatkeqësisht, kjo çështje s’ka të njëjtat kahje vlerësimi…

Dikush i vjen përqark, si një element i orbitës që s’ka fuqi të dalë mbi rrethin e ngurtë që e detyron të bëjë lëvizjet rrethore të sakta dhe pa pasur asnjë mundësi devijimi drejt bërthamës, paçka kohës së gjatë, që nga njëra anë nxit, kurse nga ana tjetër shpesh duket sikur s’do të mbarojë kurrë për të na krijuar një qasje reale hyrëse dhe afrimi.

Një tjetër i rri brenda, por pa pasur fuqi madje, as të hedhë sytë jashtë, edhe pse mundësitë janë të panumërta dhe që lejojnë në mënyrë koherente kapërcimet marramendëse të zemrave të dlira e shpirtrave të lirë drejt njohjeve që forcojnë bazën nga ku edhe merret fuqia për të lëvizur e nisur drejt së panjohurës që pret për t’u eksploruar e mësuar.

Qëllon që ndonjëri dhe i ikën sikur t’i ikë dreqit, në një kohë që pikërisht është duke bërë të kundërtën, mjerisht pa e kuptuar aspak, të kundërtën e urryer dhe tejet të ligë, ku dreqi i mallkuar e ka marrë krejt qenien e tij dhe nëpërmjet sjelljeve e veprave të paskrupullta antinjerëzore e antijetë, tek e fundit, po i bëhet shkak që të ndërtojë një banesë të frikshme në Xhehennem. Dhe këtu ironia merr krahë e  fluturon, teksa ky i gjorë lumturuar mendon se dyert e Xhennetit mezi po e presin ardhjen e tij, me gradën e shehidit dhe të të dashurit të Zotit që ka sakrifikuar edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën, në emër të Madhërisë së Tij.

Por, ekziston edhe një tjetër njeri: i veçantë, i cili ecën i qetë, krenar, besimtar i vërtetë, i hapur, i sinqertë, paqtues, reformator, katalizator i së mirës, duke u bërë burim, nxitje, apo shembull i thirrjes dhe i të jetuarit me dashurinë ndaj lirisë, të asaj lirie të dhuruar nga All-llahu Fuqiplotë dhe që gjithkujt i jep vlerën dhe kuptimin e vërtetë të krijimit:

“Njeriu, krijesa më e lartë, më e dalluar,

e krijuar, All-llahun për të adhuruar”!

Si çdo i ri shqiptar i rritur në kohën e diktaturës, në një klimë ateiste të paparë e padëgjuar ndonjëherë, ku liria e gjithkahshme ishte vetëm një ëndërr e rrallë, bashkë me urinë fizike si shkak i të ushqyerit varfër dhe që nuk përmbushte as normat apo standartet më minimale jetësore, kam përjetuar edhe etjen e pafundme për ushqim shpirtëror. Kjo kërkesë vinte si shkak i privimit nga liria ndaj kulturës dhe besimit fetar, që çdo qenie njerëzore, fundja, e ka të dhuruar që në embrion. Por, pos kësaj, s’mund ta mohoj faktin që u rrita paksa ndryshe nga shumica relative e bashkëmoshatarëve të mi, sepse që në fëmijërinë e hershme m’u mëkua në përqindjen më të madhe edukuese, nga gjyshja, me aq sa ishte mundësia në atë kohë e të fshehurit ndaj ligjit, besimi dhe dashuria ndaj Zotit si edhe dashuria ndaj njerëzimit, ndaj çdo krijese; urtësia për të mos i bërë keq askujt, madje as edhe një mize; bindja se herët a vonë, kush bën keq, e gjen…

Vijmë sot, në ditët kur të duket sikur koha ndalet, sikur tik-taku i zemrës shuhet, sikur shikimi ngrin dhe dëgjimi shurdhohet nga shpërthimet e tmerrshme, nga bombat apo kilogramët që përveç lëndëve plasëse, mbajnë brenda miksime të papërshkrueshme shekujsh intolerance, injorance dhe çmendurie dhimbjesh dhe urrejtjesh.

Një ditë, ajo që më bëri ta humb krejt toruan, të shtang e të vdes së gjalli nga dhimbja e pafjalë, ishte kur pashë në lajme bustin e një 13-vjeçari që, i veshur me një këmishë me eksplozivë, qëndronte i ngrirë si statujë dhe krejt i hutuar. Dukej më shumë sikur pyeste veten se ç’donte aty, i rrethuar nga dhjetëra forca speciale policie. Sa më tepër i shikoje fytyrën, kuptoje, se nga njëra anë ajo ndriste nga pastërtia e krijimit dhe pafajësia e moshës, me ata sytë e trembur dhe shikimin e perënduar që kërkonte të kishte aty pranë nënën dhe babain, motrën apo vëllain, të cilët kush e di se ku mund të ishin në atë çast, apo që, mjerisht, mund edhe të ishin të vdekur…, kurse nga ana tjetër nxinte kobshëm dhe për një sy të stërvitur, pakuptimshëm, duke përcjellur errësirën e mëkatit të sakrifikimit në emër të Zotit, por që në fakt është vetëm sakrifikim në emër të humbjes dhe shkatërrimit, në emër të terrorizmit, që ka patur guximin të manipulojë dhe përdorë madje edhe një shpirt të këtillë, kaq të njomë, që në atë kohë duhet të ishte në shkollë mes shokësh e shoqesh, duke mësuar e lodruar dhe jo aty…

Në sytë e mi ai ishte thjesht një fëmijë për të cilin regjistrimi i veprave tek i Madhi Zot, për shkak të moshës së vogël, s’ka filluar akoma…

Ndërkohë që spikeri vazhdoi me një kronikë tjetër, u ktheva nga djemtë e mi. Ishin përlotur. Djali i vogël të cilin pak vite e ndajnë nga mosha me të ashtuquajturin “terrorist”, më tha:

– O babi, çfarë bëhet kështu?!…

I madhi heshtte, por e dalloja qartë zemërimin e përligjur që i dilte nga shpirti dhe i reflektonte në tërë qenien e tij, tashmë burrërore. Bashkëshortja, si tip tepër i ndjeshëm që është, u ngashërye gjatë. Dhe u lutëm për të, u lutëm për të gjithë ata bij nënash që ishin përdorur dhe bërë të këtillë, pa kuptuar…

Sa më shumë i shikon sytë e fëmijëve dhe sa më thellë futesh në botën e tyre, aq më shumë e kupton se sa e pastër, sa e bukur dhe sa e mirë është dlirësia e krijimit. Jeta është krijuar e pastër dhe e bukur, por djajtë e njerëzve dhe të xhindëve synojnë shkatërrimin e gjithçkaje të bukur dhe njollosjen e gjithçkaje të mirë…

Një dijetar egjiptian, Muhammed Esh-Sha’ravi – All-llahu e mëshiroftë! – tregon:

“Po debatoja me një djalë të ri ekstremist dhe e pyeta:

– Shpërthimi i një klubi nate në një vend islam është hallall (i lejuar) apo haram (i ndaluar)?!

Ai u përgjigj:

– Sigurisht hallall, vrasja e tyre lejohet!…

I thashë:

– Nëse ti i vret ata teksa i bëjnë gjynah All-llahut, ku do të jetë fundi i tyre?

Djali u përgjigj:

– Në Zjarr, natyrisht!

I thashë:

– Ku dëshiron Shejtani që t’i çojë ata?

U përgjigj:

– Sigurisht drejt Zjarrit!

I thashë:

– Atëherë, ti dhe shejtani paskeni të njëjtin synim, që është dërgimi i njerëzve në Zjarr…

E i përmenda atij njërën prej historive të Profetit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), kur xhenazja e dikujt që s’kishte pranuar Islamin kaloi para tij dhe ai u ngrit në këmbë…

Sahabët i thanë:

– Çfarë të bëri të ngrihesh në këmbë, o i Dërguari i All-llahut?!

Tha:

– Një shpirt që më shpëtoi dhe shkoi në Zjarr…

I thashë:

– Shikoje dallimin mes jush dhe Profetit (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), i cili nxitonte për t’i udhëzuar njerëzit dhe për t’i shpëtuar nga Zjarri. Ndërsa ju, çfarë bëni?…

Ti me shokët e tu jeni në një luginë dhe i dashuri ynë, Muhammedi (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), është në një luginë tjetër”!…

 

I dashur lexues, e dashura lexuese!

Po i shkruaj këto dhe s’e di, por kam një ndjesi të çuditshme, të veçantë, duart më dridhen dhe shpirti më rënkon, paçka se përmbahem, loti, më buron…

Tërë qenia m’është e përqëndruar tek mendësi të këtilla kaq larg fesë sonë të mrekullueshme, Islamit, të cilat në një mënyrë tepër çnjerëzore vetëm shejtanit i shërbejnë, vetëm vuajtjes dhe mallkimit, vetëm çnderimit dhe shkatërrimit.

Të këtillë individë s’duan t’ia dinë. Ata nuk kanë fare mëshirë për myslimanin. Atëherë, si mund të ketë vend në shpirtin e tyre të tharë nga çdo ndjenjë njerëzore mëshira ndaj ateistit apo jomyslimanit si qenie të Zotit që kanë nevojë për këshillën, urtësinë, dashurinë dhe mirësinë tonë islame?

Si na ka mësuar ne Profeti Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!)?

“Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet”!

(Buhariu)

Përse Zoti e solli Profetin Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!), si dënim apo si mëshirë për njerëzimin?…

Si mëshirë, padyshim!

Po kur ballafaqohemi me të tilla raste, kush e ka fajin, Islami?

Jo, kurrë!

          All-llahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhammed), veçse si mëshirë për botët”.

Kur’an: Surja El-Enbija’ (Pejgamberët), ajeti 107

              “… Në të vërtetë, nga robërit e Tij, All-llahut i frikësohen vetëm dijetarët, (që e dinë se) All-llahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës”.

Kur’an: Surja El-Fatir (Filluesi i Krijimit), ajeti 28

“… Fjala e All-llahut është më e lartësuara. All-llahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”.

Kur’an: Surja Teube (Pendimi), ajeti 40

Hasan El-Basriu (All-llahu e mëshiroftë!), ka thënë:

          ”Vlera e individit është e fshehur nën gjuhën dhe majën e lapsit të tij. Ajo shfaqet nëpërmjet fjalës dhe shkrimit”.

Dhe janë pikërisht fjalët dhe shkrimet ato që na kthejnë pas në kohë, në kohën kur kemi nisur të belbëzojmë fjalët e para, të shkruajmë “grrepçat” e parë dhe më pas, kemi filluar të ambientohemi me këtë univers kaq të madh që na rrethon dhe pjesë e së cilit jemi, univers që çdo çast e më shumë, vit pas viti e dekadë pas dekade, grish për t’u njohur e kuptuar, për t’u eksploruar e promovuar…

Fëmijëria, eh fëmijëria!

Shpesh na duket sikur s’e kemi përjetuar fare, sikur një dorë e padukshme na ka marrë heshtazi dhe na ka sjellë këtu ku jemi, duke shijuar jetën si burra dhe gra, si qenie njerëzore që jo rrallë – mjerisht – duan e duan, shpeshherë dhe pa motiv, atë që kurrë s’e kuptuan, apo dhe shijuan…

Shpesh na duket sikur s’kemi qenë ne ata që kemi luajtur, apo bredhur aq shumë; sikur s’kemi qenë ne ata që me nga një copë bukë në dorë s’kemi lënë qoshkë pa shkelur; sikur s’kemi qenë ne ata që qanim plot zjarr dhe aty për aty qeshnim me gjithë shpirt, me ata sytë që na ndrisnin akoma nga lotët; sikur s’kemi qenë ne ata që kemi bërë sa e sa sherre dhe më pas kemi vazhduar lojën me po të njëjtit që përpara pak çastesh mendonim se i kishim armiqtë më të mëdhenj! E kjo logjikë vazhdon e vazhdon, gati pa njohur mbarim…

Më thoni, a s’është diçka e tillë një nga format marramendëse të mrekullisë së krijimit dhe vazhdimit, të mëshirës e mirëkuptimit, të faljes dhe sqarimit?

Unë në këtë mënyrë e shoh dhe mendoj se kam plotësisht të drejtë. Por a mund të ketë tek-tuk ndonjë kundërshtim? S’e vë në dyshim!

Liria, për të vepruar dhe zgjedhja e drejtimit, për të rrugëtuar, janë personale. Dhe aty fillon e merr jetë, përgjegjësia…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto