Nga amnistia te kalçeto dhe kuzhinieri mysliman, ja cilat janë kërkesat e të dënuarve në burgun e Peqinit (Tabela)

17:41 13/10/20209min114
burgu-1

Të dënuarit që vuajnë dënimin në Burgun e Peqinit i janë drejtuar me një shkresë drejtorit të ri të burgut, Kamber Hoxhës, duke i parashtruar një sërë kërkesash.

Kërkesat e të dënuarve paraqesin tri lloje karakteresh, atë legjislativ, ekonomik dhe administrativ. Të burgosurit thonë se duan të ndryshohet masa e burgimit të përjetshëm, e cila sipas tyre, duhet të bëhet me 20 vite burg, ndërsa kërkojnë që të dënuarit në Burgun e Sigurisë së Lartë që kanë vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit të dërgohen në një burg të zakonshëm.

Të burgosurit kërkojnë që të shtohen numrat celularë dhe minutat për të bërë më shumë telefonata, si dhe ofrimin e ushqimeve me të njëjtin çmim sa tregu. Ndërkohë, në karakterin administrativ, të burgosurit kërkojnë të hapen klasa mësimore, kalçeto dhe një ambient për tharjen e rrobave.

Po ashtu, të dënuarit kërkojnë nga drejtori Kamber Hoxha, që në kuzhinën e institucionit të punësohen persona myslimanë dhe të krishterë. Kjo për faktin se besimtarët myslimanë nuk mund të konsumojnë çfarëdolloj ushqimi, më së shumti produktet e mishit.

GREVA E URISË

Të dënuarit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin qëndruan në grevë urie për disa ditë me radhë. Rreth 150 të dënuar në këtë burg refuzuan ushqimin në shenjë revolte ndaj rregullave të vendosura në institucion.

Të dënuarit e parë që kanë nisur këtë revoltë, nga burimet brenda në burg, kanë qenë Arbjon Aliko dhe Genci Balla. Të dy këta të dënuar kanë refuzuar të ushqehen, si pasojë e aplikimit të regjimit “41-biss”.

Aliko dhe Balla mbahen secili në qeli të veçuara, ndërsa prej dy javësh ata kanë nisur grevën e urisë brenda në IEVP. Kjo nismë e tyre është mbështetur edhe nga disa të dënuar të tjerë, të cilët vuajnë dënimin e tyre në sektorin e sigurisë së lartë, brenda Burgut Peqin.

Në këtë sektor, thanë burimet, mbahen të dënuarit e ashtuquajtur “VIP”, si pasojë e krimeve të rënda që ata kanë kryer dhe dënimeve të rënda të dhëna nga gjykatat.

Por si nisi greva e urisë brenda në burgun e sigurisë së lartë? Kujtojmë që Arbjon Aliko ka qenë pjesë e grupit që kundërshtuan me armë duke i marrë jetën efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në Lazarat disa vite më parë.

Ai u fut në regjimin e posaçëm “41- biss”, së bashku me Genci Ballën, i dënuar nga drejtësia shqiptare për rekrutim të besimtarëve për qëllime terroriste, i njohur si imami i vetëshpallur i “Unazës së re”.

Fillimisht, Genci Balla është transportuar në Spitalin e Burgut, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua si pasojë e moskonsumimit të ushqimit.

Pas tij u transportua në spital edhe Arbjon Aliko. Gjendja e tyre tashmë është e stabilizuar, por që nuk heqin dorë nga revolta e nisur prej ditësh.

Të dënuarit në këtë burg pak ditë më parë i dërguan një peticion Presidentit Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit, z. Ruçi, Kryeministrit Rama dhe ministres së Drejtësisë me disa kërkesa, ku kryesoret ishin për amnisti, rishikim të dënimeve dhe heqjen e dënimit të përjetshëm. Deri në marrjen e një përgjigjeje, ata u shprehën se nuk do ta ndërpresin grevën

ÇFARË KËRKOJNË TË DËNUARIT

Më shumë se 100 të dënuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, pak ditë më parë i dërguan një letër Presidentit të Republikës, Ilir Metës, Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonajt, ndërsa përmes peticionit kërkojnë amnisti dhe rishikim të dënimeve, pasi sipas tyre, kanë qenë dënime maksimale të dhënë nga drejtësia shqiptare.

Sipas të dënuarve, fajtor është shteti për çdo vrasje apo krim dhe kërkojnë që dënimet të përgjysmohen dhe të hiqen ato të përjetshmet, duke i konvertuar në 20 vite. Pas veprimeve të të dënuarve, një grup pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nisi hetimin për të zbuluar se kush është personi që inicioni revoltën në burg.

KËRKESAT E TË DËNUARVE

1. Karakteri legjislativ

a) Ndryshimi i burgimit të përjetshëm dhe përcaktimi deri në 20 vite burgim b) Njohja e vuajtjes së dënimit për lirim me kush nga 3/4 në 3/5 e dënimit të vuajtur c) Ndryshimi i sigurisë së burgut, nga siguri e lartë në të zakonshëm, për ata që kanë plotësuar 2/3 e dënimit d) Amnisti e përgjithshme

2. Karakteri ekonomik

a) Çështja e ushqimit në institucion, cilësia dhe sasia b) Çështja e kartave të telefonit me kompaninë “Mobitel” dhe shtimi i numrave për të bërë sa më shumë telefonata dhe për më shumë minuta në përmbajtjen e kartave telefonike nga kompania c) Në lidhje me listën e çmimeve të njësisë tregtare të IEVP-së të jenë të njëjtat me çmimin e tregut, pasi kanë diferencë, p. sh., kafja ekspres në njësinë tregtare është më e shtrenjtë se çmimi i tregut

3. Karakteri administrativ

a) Të hiqet regjimi i mbikëqyrjes së veçantë për të dënuarit që kapen me celularë b) Në lidhje me propozimin në gjykatë me objekt ulje dënimi nga Komisioni i Vlerësimit të IEVP-së, mos të shkohet në rrëzim për pjesën e pranimit apo jo të veprës penale c) Në lidhje me punësimin e të burgosurve pretendojnë që të punësohen në kuzhinë dhe myslimanë dhe të krishterë d) Në lidhje me ndriçimin, për fikjen e dritave në dhoma natën e) Të hapen klasat për karakter edukativ f) Të hapet kalçeto g) Të krijohet një ambient për tharjen e rrobave.

“41-BISS” është regjimi i posaçëm që Ministria e Drejtësisë ka vënë në zbatim kohët e fundit në burgje, i cili nxiti të dënuarit të ngriheshin në revolta duke kundërshtuar kështu edhe rregullat në institucion.

Ditët e fundit gjendja është stabilizuar, ndërsa të dënuarit presin përgjigje lidhur me kërkesat e parashtruara në institucion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto