Ndarja e Shqipërisë në 4 rajone, Meta kthen ligjin: Antikushtetues, ndarja në rajone arbitrare

15:12 14/08/20205min95
meta-kushtetuta-1-696x464

Presidenti i Shqipërsië Ilir Meta, ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin” duke e cilësuar si antikushtetues dhe një ligj që nuk i shërben shqiptarëve, por qeverisë.

Njoftimi i plotë i presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. Ky ligj, me përmbajtjen e miratuar, nuk mund të bëhet kurrsesi pjesë e legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.

Ligji nr. 102/2020, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, bie hapur ndesh: -me disa dispozita të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, -me parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar dhe -ligjin nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo- territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga aparati i Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij (neni 13 i Kushtetutës).

Këshillit të Ministrave përmes këtij ligji i jepet autoritet që të vendosë se cilat do të jenë 4 (katër) rajonet e zhvillimit dhe kufijtë e tyre. Por e drejta për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë, i cili mund ta bëjë këtë vetëm mbi bazën e asaj që përcakton Kushtetuta.

Një ndarje e tillë në rajone zhvillimi, kufijtë e të cilave përcaktohen sipas nenit 4, nga Këshilli i Ministrave, në mungesë konsultimi me banorët e secilës zonë, ka ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona, duke krijuar një ndarje të re, të cilën Kushtetuta nuk e njeh.

Kjo ndarje antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre.

Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë.

Ky akt, miratuar njëkohësisht me ndryshimet Kushteteuse dhe ato në Kodin  Zgjedhor, synon parapërgatitjen e forcës qeverisëse për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive politike.

Miratimi i ligjit nr. 102/2020, krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor, duke anashkaluar parashikimet dhe organet e përcaktuara nga Kushtetuta, çka tregon qartë se qëllimi i këtij ligji është në kundërshtim me rendin shoqëror demokratik në Republikën e Shqipërisë dhe krejtësisht i panevojshëm për realitetin e vendit.

Një akt i tillë, po imponohet pa asnjë konsultim, kur në dokumentacionin parlamentar deklarohet se, konsultimi është bërë në periudhën mars- maj 2020, kohë kjo kur vendi ka qenë nën efektet e aplikimit të masave të veçanta për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Nuk mund të pretendohet dhe as të pranohet se si brenda periudhës së fatkeqësisë natyrore dhe një situate të rënduar të një pandemie (për shkak të Covid-19), të konsiderosh të realizuar konsultimin e një nisme me rëndësi të tillë. -argumenton Presidenti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto