Mesi te Interit? Zaneti: Nuk mund të bënim ofertë…

00:18 10/09/20203min99
zaneti-mesi

Lionel Mesi, për Interin, ka mbetur gjithmonë një ëndërr. Edhe kur argjentinasi bëri publike gjatë javëve të kaluara dëshirën për t’u larguar nga Barcelona (pas thuajse 20 vitesh qëndrimi në klubin të cilit iu bashkua kur ishte vetëm 13 vjeç) dhe për të provuar një aventurë të re.

Zikaltrit, në fakt, mendohet të mos kenë aktualisht mjetet e duhura ekonomike për të kryer një operacion kaq të kushtueshëm (paga e argjentinasit u afrohet 50 milionëve), siç ka konfirmuar edhe vetë ish-kapiteni dhe sot zv.presidenti Havier Zaneti në një intervistë të lëshuar për “TycSports”:

“Nuk mund ta merrnim. Kemi folur shumë gjatë për efektet negative të pandemisë, pa harruar faktin që merkatoja jonë kalon përmes situatash ku duhet fillimisht të shesim e më pas të blemë për të respektuar ‘Fair Play-n Financiar’, që është diçka shumë e rëndësishme dhe duhet mbajtur gjithmonë në konsideratë. Strategjia jonë për momentin bazohet te shitjet dhe shkëmbimet, si për shumë klube të tjerë”.

zaneti

ARSYET – Zgjedhja e Leos për të qëndruar në Katalonjë, sipas Zanetit, është diktuar pa dyshim edhe nga arsye ambientale dhe mbi të gjitha familjare. “Mesi mund të luajë mirë kudo që të shkojë, është një fenomen. Barcelona është shtëpia e tij, është e drejtë që të qëndrojë për gjithçka ai nënkupton për këtë skuadër dhe anasjelltas.

Duke qëndruar në atë klub, do të ketë të njëjtat përgjegjësi dhe presione. Të luash në një klub të madh nuk është asnjëherë e lehtë. Çështjet ekonomike janë dytësore: kur flitet për familje, fëmijë, ekzistojnë dinamika delikate kundër të cilave nuk është e mundur të shkosh”, ka përfunduar Zaneti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto