
Lajmet nga Argjentina dhe Spanja se Mesi ka kërkuar të largohet nga Barcelona pas përplasjeve me presidentin Bartomeu ka ngritur në këmbë tifozët katalanas. Mbrëmjen e djeshme, disa prej tyre janë grumbulluar përpara selisë së klubit blaugrana duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Bartomeu,i cili akuzohet si fajtori kryesor për krizën e rëndë që po kalon klubi dhe skuadra.
“Mesi nuk mund të largohet nga Barcelona”, thërrisnin tifozët përpara selisë së klubit.
Dështimi katastrofik në Ligën e Kampioneve me rezultatin 8-2 nxori në shesh të gjitha problemet e Barcelonës duke filluar nga merkatoja e dështuar, shpenzimet marramendëse, mosmarrëveshjet me ish-trajnerin Kike Setien dhe bordin drejtues e presidentin Bartomeu.
Me ardhjen e trajnerit të ri Ronald Kuman, përflitet se garda e “senatorëve” të Barcelonës do të spastrohet për t’i hapur rrugën një projekti të ri, por Lionel Mesi konsiderohet “Zoti te Barcelona” dhe largimi i tij konsiderohet një tradhëti nga ana e klubit për tifozët.
Suarez, Rakitiç, Vidal, Mesi, Pike janë shënjestruar si “lojtarët e padëshiruar” te Barcelona.
Tashmë, nuk mund të mendohet për bashkëjetesë midis Bartomeut dhe Mesit, është çështje “ose njëri, ose tjetri”.