Mbajtja e detyrueshme e maskave, shpërthen Brisida Shehaj: Vendim absurd, nuk e fshehin dot më dështimin!

14:25 12/10/20207min143
Brisida-Shehaj

Të enjten e 8 tetorit, Kryeministri i vendit dhe Ministrja e Shëndetësisë dolën në një komunikim publik për të njoftuar shqiptarët se maska tashmë bëhet e detyrueshme në ambiente të mbyllura e të hapura. Përjashtim nga ky rregull përbëjnë vetëm baret dhe restorantet.

Përgjatë fundjavës, ekspertët shpjeguan me fakte e logjikë, sqaruan opinionin, se përse ky vendim i menjëhershëm, arbitrar e jo organik në raport me masat ekzistuese nuk mund të jetë efektiv e në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, por zërat e tyre nuk u konsideruan nga vendim-marrësit.

Në interesin e kësaj filozofie qeverisjeje është të hedhë një gur dhe të gjithë ta ndjekin pas, për të mos u marrë me radhën e pafundme të problemeve reale të shqiptarëve nga varfëria, mungesa e sigurisë, kriza ekonomike, borxhet me breza, shpopullimi, izolimi, etj, etj, etj.

Paradoksalisht, nëse sot klikon në faqen online të ministrisë së shëndetësisë, protokollet nuk kanë ndryshuar, që nga koha kur sipas kryeministrit, maska nuk duhej vendosur në ambiente të hapura.

Paradoksalisht, lokalet, baret, restorantet e qendrat tregtare janë ambientet më të riskuara, por këto janë të paprekshme, për to masat nuk vlejnë e aq më pak maskat, sepse trazohen “miqtë” e pushtetit.

Por shqetësimi më i madh nuk buron nga paradokset, që janë simptoma e vijueshme e “virusit” rilindës, por mungesa e një fature financiare nga ana e kreut të qeverisë, që me lehtësinë e papërballueshme të Facebook-ut dhe batutave çon drejt greminës një vend.

Sa do t’u kushtojë shqiptarëve kjo marrëzi e radhës, që nuk i del fundi? Pak ditë më parë, Banka Botërore (meqenëse citojmë të huaj si më të besueshëm edhe pse realiteti që shohim me sytë tanë është edhe më keq) publikoi një raport ku theksohej se 41% e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Pra gati gjysma e popullsisë jeton me më pak se 600 lekë në ditë.

Sipas statistikave zyrtare, 66 mijë familje marrin ndihmë sociale e cila nuk i kalon 10 mijë lekë në muaj. Por kjo ndihmë më shumë nuk jepet, kriteret e vendosura janë skandaloze. Më konkretisht, nëse në shtëpi ke një televizor, apo një frigorifer (që zakonisht janë të dhuruara nga shoqata bamirëse e në më të shumtën e rasteve përfundojnë si dollap) nuk e përfiton ndihmën ekonomike.

Thënë këtë, le t’i rikthehemi arsyes kryesore të këtij shkrimi. Maska më e thjeshtë, ajo kirurgjikale kushton 80 lekë. Me llogari të thjeshtë, një familjeje me 4 persona, që e ndërron këtë maskë çdo ditë do t’i duhen 9600 lekë në muaj. Pra 41% e shqiptarëve ndodhen totalisht në pamundësi financiare për të përballuar vendimin e Kryeministrit.

Pensionistët totalisht në pamundësi. Punonjësit me paga minimale totalisht në pamundësi. Dhe në vështirësi serioze ata me paga të ulëta e mesatare. Atëherë lind pyetja…për çfarë arsyeje e mori këtë vendim kryeministri, vendim sa jo efektiv sipas ekspertëve për mbrojtjen nga covid-19, aq edhe të papërballueshëm financiarisht për shumicën e shqiptarëve?

Për të vendosur ca gjoba, që me gjasë do të falen në mars? Siç fali të marsit në tetor? Për të mbushur buxhetin, pas zbrazjes nga falja e gjobave të marsit? Për të rënduar faturën e dritave, duke qeverisur vetëm nëpërmjet ndëshkimit të më të pafuqishmëve e më të varfërve?

E vërteta klithëse është se kjo lloj mase nuk ndihmon e mbron askënd dhe nuk arrin të edukojë një publik të tërë për rrezikshmërinë ndaj Covid-19. Protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë e thotë qartë se maskën më të lirë, atë kururgjikale minimalisht duhet ta ndërrojmë 3 herë në ditë, që të jetë efektive për mbrojtjen nga Covid-i.

Pra vetëm shpenzimi mujor do arrijë gati 30 mijë lekë. Si përfundim, ne nuk do të ruhemi nga covid-19, por nga gjoba dhe kjo do të detyrojë shumicën e shqiptarëve të mbajnë një maskë sa për t’ja “hedhur” një gjobe të majme nga ana e qeverisë, duke sëmurur veten për t’u dukur se zbatojmë rregullat.

Atëherë kujt i shërben ky vendim absurd i qeverisë? Qytetarit jo, shëndetit të tij aq më pak, përhapjes së pandemisë jo…nuk do shumë mend për t’u kuptuar se përtej shashkës së radhës për të hequr vëmendjen nga skandalet e panumërta, Rilindja me një gur shënjestron edhe zogun tjetër, të majmë “mikun” e radhës me një tender shumë milionësh.

T’u fusësh duart në xhep shqiptarëve, për të mbushur “thasët” e një grushti njerëzish është e rëndë, por t’u rrezikosh shëndetin për të ngopur të pangopshmit është kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto