
Ditën e djeshme janë ulur në bankat e shkollës të gjithë ata nxënës të cilët nuk kanë mundur të ndjekin mësimin online.
Kjo periudhë 14-ditore është parë edhe si një test nga ana e Ministrisë së Arsimit por edhe asaj të shëndetësisë, ku nxënësit ruajnë një distancë prej të paktën 1.5 metra nga njëri tjetri, teksa duhet të mbajnë edhe maska.
Mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme me nisjen e vitit shkollor në datë 14 shtator. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, që e cilëson si të vetmen mënyrë për mbrojtjen nga koronavirusi.
Në një postim në rrjetin social FB, Shahini ndan mesazhin sensibilizues të nxënësve të shkollës ”Servete Maçi” në Tiranë.
“Mbajtja e maskës është e detyrueshme, sepse kjo është e vetmja mënyrë se si ne të mbrojmë veten dhe të tjerët.
Gjithsesi, këtë më mirë e sqarojnë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë nëpërmjet kësaj videoje”, shkruan Shahini.