
Ish-deputeti i LSI Vangjel Tavo, kërkon që SPAK të hetojë për emergjencën humanitare që ndodhi në pikën kufitare të Kakavijës.
Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon SPAK-ut që të hetojë emergjencën humanitare që ndodhi në pikën kufitare të Kakavijës para disa ditëve.
Ish-deputeti i kësaj force politike, Vangjel Tavo, përmes një postimi në Facebook, shkruan se po të mos ishte media dhe gazetarët që pasqyruan skenat dramatike në Kakavijë qeveria as që do i prishte pushimet e saj.
Postimi i Tavos në Facebook
SPAK të hetojë menjëherë autorët e dramës njerëzore të Kakavijës.
Po të mos ishte media dhe gazetarët që pasqyruan skenat dramatike në Kakavijë qeveria as që do i prishte pushimet e saj!
Qeveria i trajtoi shtetasit e saj si bijë të mohuar, duke i zhvatur me 120 euro për tampon, duke i lënë të painformuar mbi rregullat e kalimit të kufirit, duke mos u siguruar as kujdes shëndetesor apo ushqimor, e madje më keq, duke ua vënë fajin shtetasve të vet për rrdhën e gjatë, duke rrezikuar jetën e tyre, e duke lejuar të krijohen situata siç ishte humbja e jetës së një 10 vjeçari.
Dhe pas së gjithë kësaj drame kryeministri doli e mashtroi paturpërisht me fotografi të viteve më parë e duke i shitur ato si të tanishmet. Ishte një gazetare që shpëtoi jetën e foshnjes 11 muajshe në këtë video.
Kjo qeveri nuk subvencionon tamponet e emigrantëve në kufi. 500 euro duhet të paguajë një familje prej 4 vetash për tampone në mënyrë që të kalojë kufirin. Ndërkohë që shtetet ku ata shkojnë ua bëjnë falas. Kjo qeveri jo vetëm që nuk kujdest por edhe po i zhvat shtetasit e vet.
U njoftua që më 5 gusht për kushtet e kalimit të kufirit e nuk bëri asnjë lëvizje por shkoi me pushime.
SPAK të hetojë menjëherë autorët e dramës njerëzore të Kakavijës.