Ligji për Metrologjinë ka nivel të lartë antikushtetutshmërie, SPAK të hetojë nismën e qeverisë / Presidenti Meta ka kthyer ligjin për rishqyrtin në Kuvend

10:16 09/11/202070min84
Ilir-Meta

Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtin në Kuvend ligjin për Metrologjinë që Kuvendi e ka miratuar me shumicë votash më 15 tetor. Meta thekson se ky ligj ka nivel të lartë antikushtetutshmërie dhe i është drejtuar me një thirrje SPAK që të hetojë nismën e qeverisë dhe arsyet e autorëve që e kanë shtyrë Kuvendin të shqyrtojë.

Ai konstaton se përmbajtja e ligjit reflekton qartë se fenomeni i korrupsionit legjislativ ka përfshirë edhe këtë nismë ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Si përfundim ai jep tre arsye kryesore se pse vendosi ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj duke i renditur:

1- Sanksionon konkurrencën e pandershme dhe rrezikun e shtimit të praktikave korruptive;

 

 

2- Ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; dhe

3- Është shembulli se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

DEKRETI I PRESIDENTIT ILIR META

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI

 

D E K R E T

ARSYET E KTHIMIT

TË LIGJIT NR. 126/2020 “PËR METROLOGJINË”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 15 tetor 2020 ka miratuar ligjin nr. 126/2020 “Për metrologjinë”. Ky ligj me shkresën me nr. 2681 prot., datë 20.10.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Sipas dokumentacionit parlamentar, rezulton se ligji është nismë e Këshillit të Ministrave dhe është parashikuar në Planin Kombëtar të Integrimit Europian, si dhe në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve për t’u miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin përkatës të Bashkimit Europian.

Projektligji është shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë nga Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si komision përgjegjës me relator deputetin Ilir Beqaj, ndërkohë që në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi për këtë ligj është shprehur dhe  Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut me relatore Elena Xhina dhe Komisioni Parlamentar për Integrimin Europian.

Po t`i referohemi praktikës parlamentare[1], dhe konkretisht relacionit shoqërues të ligjit, miratimi i një ligji me këtë përmbajtje shpjegohet, ndër të tjera, si nevojë në drejtim të përmirësimit të praktikave për funksionimin e një tregu:

  • të sigurtë;
  • të lirë e konkurrues;
  • me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve;
  • përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, duke ju garantuar nëpërmjet intrumenteve matës ligjërisht të kontrolluar në treg, jo vetëm një ekonomi të konkurrencës së ndershme, por edhe mbrojten e interesave të tyre ekonomikë.

Pavarësisht këtyre qëllimeve të deklaruara, nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr. 126/2020, objekt shqyrtimi në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kuadrin ligjor ekzistues në fuqi, rezulton se ligji nr. 126/2020 “Për metrologjinë”, është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”.

Ky ligj, siç dhe do të shpjegohet në vijim, në disa dispozita të tij krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t`i realizojnë ato. Këto dispozita që do të analizohen në vijim e bëjnë praktikisht edhe pjesën tjetër të ligjit nr. 126/2020, të papranueshëm për dekretim me shpallje.

Për gjithë arsyet të cilat do të parashtrohen në vijim, si President i Republikës, në mbështetje të nenit 85, pika 1, kam vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”.

  1. Shklejet që përmban ligji nr. 126/2020 dhe si i hapet rruga përmes parashikimeve ligjore, praktikave abuzive.

Ky ligj, i cili ka për objekt përmirësimin e kuadrit rregullator për veprimtaritë në metrologjinë shkencore, sistemin e njësisë së matjes, standardet e matjes, bazat për të siguruar gjurmueshmërinë e matjes, kontrollin metrologjik ligjor të instrumenteve matëse dhe rregullat për organizimin e funksionimin e sistemit kombëtar metrologjik në Republikën e Shqipërisë, në fakt, në tërësi të tij përfshin parashikime që bëjnë të mundur lehtësimin sa më shumë të procedurës që një shërbim publik që është dhe duhet të ngelet përgjegjësi e organeve publike për t`u ushtruar, të kryhet nga subjekte private,

  • pa një procedurë të qartë dhe të mirëpërcaktuar ligjore të përgjegjësisë;
  • pa kritere ligjore konkurrueshmërie; dhe ç’ka është akoma më e rëndë,
  • duke mbyllur me vetëdije çdo hapësirë për kontrollin dhe monitorimit nga shteti të mënyrës se si ky shërbim publik i deleguar për t`u ofruar/ushtruar nga një subjekt privat, po realizohet në praktikë.

Konkretisht:

  1. Ky ligj, që në dispozitën e përkufizimeve, e koncepton veprimtarinë e rregullimit dhe kontrollit të sistemit të njësisë së matjes, si një veprimtari që do të duhet të kryhet nga subjektet private, vetëm duke u pajisur me një “autorizim”, dhënia e të cilit mbetet në vlerësimin e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë.
  • Që në nenin 3, në pikën 24, të dispozitës së përkufizimeve, ligjvënësi është kujdesur të përkufizojë faktin se: “Autorizim” është një nga format e dhënies së të drejtës për të kryer verifikim të instrumenteve matëse në sferën e detyrueshme subjekteve private, vendase ose të huaja, që kryejnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë.”

 

  • Ligji, në tërësinë e tij, po veçanërisht referuar dispozitave të neneve 3, pika 24, 5 (shkronjat c, ç, d, dh), 8 (shkronjat g, h, i), 15, 22, 26, 27, 28, 29, 33, 34, 39, 40, 41, 42, 43, 48, e koncepton këtë lloj autorizimi për kryerjen e funksioneve me përgjegjësi shtetërore nga subjektet private, si një veprimtari që nuk jepet me koncesion, me partneritet publik privat, dhe për të cilën nuk lidhet një kontratë administrative për delegimin e ushtrimit të një shërbimi, por thjesht ushtrohet përkundrejt autorizimit!

Kësisoj, shmanget tërësisht procedura ligjore në fuqi për lidhjen e kontratave administrative, qoftë të natyrës koncesionare apo partneritetit publik privat, nga konkurrimi/përzgjedhja deri tek negocimi, nënshkrimi dhe monitorimi i mënyrës së ushtrimit të funksionit/shërbimit të deleguar.

Pra të gjitha procedurat e parashikuara në legjislacionin ekzistues të partneritetit publik privat apo të rregullave të tjera që normojnë konkurrencën e lirë, të ndershme e transparente për marrjen e së drejtës për realizimin e një shërbimi publik, anashkalohen përmes këtij ligji.

  • Ndërsa një strukturë e tërë shtetërore, si Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM), që duhet të kishte pikërisht për funksion dhe mision kontrollin metrologjik ligjor të instrumenteve matëse, me këtë ligj do të ketë si detyrë dhe kompetencë kryesore të sajën, autorizimin e personave juridikë privatë për verifikimin e instrumenteve matëse apo për riparimin e tyre.

Ky konkluzion arrihet pasi, në ligjin nr. 126/2020 është përcaktuar se, vetë si institucion (DPM) këtë detyrë mund ta ushtrojë vetëm kur për kryerjen e tyre nuk ka autorizuar ofrimin e këtyre shërbimeve nga ana e personave juridikë privatë (neni 8, shkronjat “g)”, “h)”, “i)”, të ligjit nr. 126/2020). Ndërkohë që, rregulli i përgjithshëm që përcakton ligji, është ai i autorizimit të subjekteve private, pa asnjë përkufizim ligjor në kritere, kushte, apo procedura të detyrueshme që duhen ndjekur.

Ky terren që synohet të krijohet, në mënyrë të parregulluar përmes ligjit, krijon bindjen se tashmë qeveria si propozuese e nismës, por dhe Kuvendi i Shqipërisë, duket sikur e kanë shumë të qartë se cilët janë operatorët aktualë në treg të interesuar që do të mund ta ofronin këtë shërbim dhe që qeveria përmes institucioneve në varësi të saj, do t`ua kalojë pa konkurrim këtë shërbim publik!

 

  • Madje në dispozitiat vijuese të ligjit, të paktën për metrologjinë ligjore, përcaktohet se kjo e drejtë ushtrohet ekskluzivisht nga subjektet private. Sjellim në vëmendjen tuaj përcaktimin e nenit 22, pika 2, të ligjit, që sanksionon qartë se:

 

“Me përjashtim të shërbimit të kontrollit ligjor, nëpërmjet verifikimit të të gjitha instrumenteve matëse, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, kryerja e të cilit bëhet ekskluzivisht nga një person juridik privat, i autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, shërbimet e tjera të verifikimit të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, e cila mund t’ua delegojë këtë shërbim personave juridikë privatë, sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit 39 të këtij ligji.”

 

Mbikëqyrja e tregut dhe inspektimi metrologjik janë funksione shtetërore që garantojnë saktësinë e instrumenteve matës. Lënia në dorë të subjekteve private, në mënyrë të pakontrolluar, siç përcaktohet në dispozitat e tjera të ligjit të poshtevidentuara, cenon direkt këtë funksion publik, i cili në mënyrë të pashmangshme do të sjell hapësira për abuzime që sjellin si pasojë dëmtimin e interesave të qytetarëve dhe të interesit publik.

 

  1. Duke u shmangur procedura ligjore për dhënien e punës/shërbimit publik për t`u ushtruar nga një subjekt privat, gjithashtu shkelen të gjitha parashikimet kushtetuese dhe ligjore dhe që do të shkaktojnë pasoja, të tilla si:

 

  • Të mos garantohet liria e pjesëmarrjes së subjekteve private në garën për të ofruar këtë shërbim/punë publike të deleguar nga organi shtetëror.

 

  • cenohet rëndë dhe direkt interesi financiar shtetëror, pasi nuk përcaktohet më detyrimi për një marrëveshje me interes financiar, të lidhur me shkrim ndërmjet autoritetit publik kontraktues dhe një ose më shumë operatorëve ekonomikë, objekti i së cilës është kryerja e punimeve, ku shpërblimi për punimet a shërbimet që duhet të kryhen/sigurohen përbëhet nga e drejta për të shfrytëzuar veprat/shërbimet që janë objekt i kontratës ose nga kjo e drejtë së bashku me pagesën.

 

  • Autorizime të tilla, pa një procedurë të përcaktuar qartë në ligj (por që do t`i lihet një ministri në dorë ta përcaktojë) rrezikojnë të jepen,

 

  • në mungesë të theksuar të transparencës;
  • të rrisin premisat për diskriminim të subjekteve private;
  • të mungojë proporcionaliteti, efikasiteti, trajtimi i barabartë, reciprociteti dhe siguria ligjore;

 

kur tashmë kriteret dhe procedurat për autorizimin e personave juridikë për (i) kryerjen e veprimtarive në metrologjinë ligjore dhe (ii) për autorizimin e personave juridikë dhe fizikë për kryerjen e shërbimit të riparimit të instrumenteve matëse, si dhe (iii) për monitorimin e aktivitetit/performancës së tyre, që duhet të ishin të përcaktuara në ligj, do të normohen në nivelin e një rregulloreje të miratuar nga ministri përgjegjës për ekonominë (neni 39, pika 4, e ligjit nr. 126/2020).

 

  • Shmangen tërësisht parashikimet e ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, që për dhënien e një shërbimi publik me koncesion apo partneritet publik privat, kërkojnë të paktën përgatitjen e studimeve të fizibilitetit, normojnë qartë hap pas hapi dokumentet e nevojshme dhe vetë procedurën konkurruese, fazën e negocimit të kushteve, të drejtave e detyrimeve, si dhe kriteret e vlerësimit.

 

  • Shmanget tërësisht procedura e monitorimit të ushtrimit të këtij aktiviteti.

 

  • Lihet hapësirë e gjërë për përcaktimin me subjektivizëm të tarifave të shërbimeve të ofruara nga subjekti privat, kur ky lloj shërbimi është i detyrueshëm me ligj dhe kërkon që tarifat të përcaktohen në mënyrë të tillë që të mos kthehen në kosto të tepërt për përdoruesit fundorë të shërbimit.

 

  • Nuk garantohen të drejtat e organit publik në rastet e shkeljeve të kushteve dhe kritereve që kanë çuar në dhënien e autorizimit, apo dhe abuzimit me autorizimin, ndërkohë që nëse mes palëve do të parashikohej lidhja e kontratës administraitve, shkelja e kushteve të kontratës do të çonte në penalitete për subjektin privat.

 

Sipas parashikimeve të ligjit nr. 126/2020, edhe nëse subjekti privat kryen shkelje, dënimi më i rëndë i mundshëm është heqja apo anulimi i autorizimit, referuar neneve 42 dhe 43, të ligjit nr. 126/2020.

 

Ndërkohë që organi publik, në këtë formë të delegimit të kryerjes së shërbimeve publike përmes subjektit privat, nuk ka as edhe një mekanizëm të vetëm ligjor në dorë për të rekuperuar dëmin e shkaktuar ndaj financave të shtetit dhe subjekteve të tjerë privatë dhe që mund të kërkohet në formën e dëmshpërblimit, por do të jetë vetë dhe direkt përgjegjës për mbulimin e këtij dëmi potencial.

 

  • Ligji nr. 126/2020 “Për metrologjinë”, jo vetëm bie ndesh, por shmang tërësisht detyrimet e përcaktuara në ligjin nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i cili në nenin 26, të tij ka përcaktuar qartë se:

 

“[…] 2. Detyrat e caktuara administrative, lidhur me ofrimin e shërbimeve publike, mund t’u delegohen edhe personave privatë, fitimprurës ose jofitimprurës.

  1. Delegimi, sipas këtij neni, nuk përfshin transferimin e përgjegjësisë për detyrën e deleguar.
  2. Një detyrë administrative mund të delegohet në qoftë se plotësohen së bashku këto kushte:
  3. a) realizimi i detyrës nga palët e treta justifikohet ekonomikisht;
  4. b) delegimi nuk dëmton cilësinë e shërbimit publik që kryhet nëpërmjet delegimit;
  5. c) delegimi nuk do të cenonte interesat publikë apo të drejtat e interesat e ligjshëm të personave, ndaj të cilëve ekziston detyrimi për shërbimin publik;

ç) delegimi nuk do të cenojë kryerjen e vazhdueshme dhe efektive të shërbimit publik të deleguar;

  1. d) autoriteti delegues ka kapacitet të mjaftueshëm për të monitoruar dhe mbikëqyrur zbatimin e detyrave të deleguara.”

 

Ndërkohë që ligji nr. 126/2020, nuk respekton asnjë nga këto kërkesa, pasi në mënyrë arbitrare parashikon “autorizimin” e subjekteve private në ofrimin e shërbimeve publike që i kanë përgjegjësi për t`i kryer vetë.

 

Jo vetëm kaq, por duket qartësisht se ka qenë e qëllimtë zgjedhja e qeverisë dhe e Kuvendit që duke shmangur rregullat e legjislacionit në fuqi për dhënien e një shërbimi me koncesion apo partneritet publik privat, anashkalon dhe kryerjen e analizës paraprake nëse,

  • realizimi i shërbimit nga subjekti privat justifikohet ekonomikisht, ose jo; apo dhe
  • nëse do të jepet autorizimi kundrejt një tarife periodike që do të paguhet nga subjekti privat që pajiset me autorizim, apo jo. Për këtë fakt, ligji nuk parashikon asnjë rregullim, duke lënë interesat financiarë të shtetit në varësi të vendimmarrjes së një Drejtorie.

 

Për më tepër, edhe në rastin kur autorizimi do të jepet përkundrejt një tarife, përveç rregullimit të procedurës për negocimin e saj që duhet të ishte e normuar në nivel ligji, ky negocim dhe përcaktimi i tarifës duhet të garantojë dhe objektivitetin e tarifave që do të rëndojnë më pas për marrësit fundorë të shërbimit.

 

Ky ligj rëndon edhe më shumë pozitën e vetë miratuesve të tij dhe lehtëson pozitën e zbatuesve, kur përmes parashikimeve ligjore shmang tërësisht përgjegjësinë për monitorimin e subjektit të cilit i është deleguar ushtrimi i shërbimit.

 

Të gjitha këto gjetje dhe të dhëna shumë shqetësuese, janë ta pajustifikuara në relacionin e Këshillit të Ministrave që shoqëron projektligjin, por dhe në raportin e Komisionit përgjegjës apo raportet e komisioneve parlamentare që kanë dhënë mendim mbi nismën. Të gjitha këto të meta dhe problematika në procesin ligjbërës mbulohen me slogane propagandistike të përdorura për mbushjen e relacioneve dhe shmangien e vëmendjes se përmes këtij ligji të ri, tashmë po realizohet përafrimi i kuadrit ligjor me disa direktiva të sektoriale të BE-së për metrologjinë.

 

Nëse ky sektor ka patur dhe ka shfaqur problematika gjatë zbatimit në praktikë nga autoritet publike përgjegjëse, me këtë ligj të ri, këto të meta nuk po regullohen, por po krijohet një kuadër ligjor që çdo fenomen negativ dhe abuziv, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të jetë shumë e vështirë ta konsiderosh të paligjshëm dhe të dënueshëm.

 

 

  1. Qëllimi real i ligjit nr. 126/2020, nuk është rregullimi i sistemit të njësisë së matjes dhe kontrollit metrologjik, por privatizimi i shërbimeve të detyrueshme publike, pa asnjë kriter dhe pa asnjë kontroll. Edhe pse pa u shprehur në titullin e ligjit, ai në dispozitat të veçanta të tij e realizon në mënyrë të fshehur këtë qëllim real.

 

3.1 Pika 1, e nenit 22, përcakton se:

Të gjitha instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, i nënshtrohen verifikimit që mund të jetë fillestar, pasardhës, periodik i rregullt, i kryer në intervale kohore specifike dhe jashtë radhe. Në varësi të analizës së riskut dhe problematikave të tregut, por në çdo rast jo më pak se 5%, periodiciteti i verifikimeve të lartpërmendura do të jetë të paktën objekt dyfishimi. Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, bëhet jo më pak se dy herë në vit dhe përfshin kontrollin dhe sigurimin e regjimit automatik.

 

Ndërkohë që, verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara të hidrokarureve dhe gazit të lëngshëm është dhënë me koncesion[2], tashmë ky ligj shkon më tej, duke normuar me ligj, që ky verifikim të kryhet jo më pak se dy herë në vit. Dhe në këtë lloj shërbimi të dhënë me koncesion, përfshin përveç kontrollit, edhe sigurimin e regjimit automatik, që përfaqëson sigurimin dhe certifikimin metrologjik të tërësisë së kushteve në të cilat kryhet transferimi automatik i rezultateve të siguruara nga një instrument matës ligjërisht i kontrolluar.

 

Natyrshëm lindin disa pyetje që ligjvënësi duhet t`i kishte vlerësuar paraprakisht dhe pasqyruar në praktikën parlamentare. Në këtë rast:

 

  • Sa lidhet verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm me shërbimin e regjimit automatik?

 

  • A klasifikohet regjimi automatik si instrument apo sistem matës? Apo është një sistem që ndihmon vetëm për qëllime fiskale?

 

  • A do të përkthehet kjo në kosto shtesë për marrësin e këtij shërbimi të detyrueshëm ligjor?

 

  • Çfarë impakti ka kjo kosto më pas te përdoruesit fundorë të produkteve?

 

  • Përmes këtij ligji nr. 126/2020, a po i jepet përfituesit të ndonjë koncesioni, një shërbim shtesë, në shkelje të çdo procedure konkurrueshmërie dhe transparence?

 

Nga ana tjetër, propozimi fillestar nga Këshilli i Ministrave për përmbajtjen e dispozitës së pikës 1, të nenit 22, ishte:

 

“Të gjitha instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, i nënshtrohen verifikimit që mund të jetë fillestar, pasardhës, periodik i rregullt, i kryer në intervale kohore specifike dhe jashtë radhe. Shtimi i frekuencës së verifikimeve të lartpërmendura bëhet në varësi të analizës së riskut në treg. Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, bëhet jo më pak se dy herë në vit dhe përfshin kontrollin dhe sigurimin e regjimit automatik.”

 

Ndërkohë që, referuar Raporit të Komisionit përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, pa asnjë argumentim ligjordhe/apo të mbështetur në të dhëna konkrete, shtimi i frekuencës së verifikimeve, rritet në mënyrë arbitrare duke përcaktuar se:

Në varësi të analizës së riskut dhe problematikave të tregut, por në çdo rast jo më pak se 5%, periodiciteti i verifikimeve të lartpërmendura do të jetë të paktën objekt dyfishimi.”

 

Ky parashikim, i kombinuar me detyrimin e përcaktuar në paragrafin 2, të nenit 22, që sanksionon se kontrolli ligjor nëpërmjet verifikimit të të gjitha instrumenteve matëse, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm kryhet ekskluzivisht nga një person juridik privat, duket se shkon pikërisht në favor të interesave ekonomikë të subjektit privat që e ka tashmë ekskluzivitetin e ushtrimit të këtij shërbimi.

 

Ligjvënësi ka detyrimin që, të verifikojë paraprakisht se si qëndron ky parashikim i propozuar gjatë diskutimeve në komision në mënyrë të paargumentuar, në raport me parashikimet në kontratën koncesionare për periodicitetin e kryerjes së verifikimeve.

 

Nëse përqindja është e njëjtë, ose më pak, atëherë kjo është një e dhënë tepër shqetësuese se si ligjvënësi përdoret dhe vendos të ligjërojë detyrimin që rëndon mbi përdoruesit e shërbimit dhe përfituesit fundorë të produkteve, pa u mbështetur në asnjë analizë paraprake.

 

Për më tepër, kur një shërbim është dhënë tashmë me koncesion, bërja taksative e detyrimit për të paktën dyfishimin e këtij periodiciteti, duket se shkon direkt në interes të subjektit privat koncesionar dhe mund të përbëjë ndryshim thelbësor të kushteve të kontratës, që duhet të ishte shoqëruar me ndryshim të termave financiare të saj në favor të shtetit. 

 

Gjithnjë nëse shteti vlerëson intesfikimin e verifikimeve për qëllime të mbrojtjes së konsumatorit.

 

3.2 Nga ana tjetër, nocioni i privatizimit të shërbimit publik, shkon edhe më tej, me parashikimin e pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr. 126/2020, kur përcaktohet se:

 

“Me përjashtim të shërbimit të kontrollit ligjor, nëpërmjet verifikimit të të gjitha instrumenteve matëse, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, kryerja e të cilit bëhet ekskluzivisht nga një person juridik privat, i autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, shërbimet e tjera të verifikimit të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, e cila mund t’ua delegojë këtë shërbim personave juridikë privatë, sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit 39 të këtij ligji.”

 

3.3 Pra ky ligj, kontrollin ligjor, që tashmë të paktën për instrumentët matës nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm është dhënë me koncesion, e ligjëron që në vazhdimësi, përtej çdo afati kohor, të kryhet vetëm nga një subjekt juridik privat! Por, abuzivizmi i një rregullimi të tillë ligjor, kuptohet qartë nëse ligjvënësi nuk ndërmerr nismën për t`i kthyer përgjigje këtyre pyetjeve:

 

  • A ka kryer ligjvënësi një analizë teknike?

 

  • A ka kryer ligjvënësi një analizë financiare?

 

  • A ka kryer ligjvënësi një analizë ekonomike?

 

  • A ka kryer ligjvënësi një analizë ligjore?

 

  • A ka vlerësuar ligjvënësi interesin publik për një parashikim të tillë?

 

  • A ka vlerësuar ligjvënësi ndikimin në mjedis dhe mbrojtjen e mjedisit?

 

  • A ka vlerësuar ligjvënësi qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë financiare, treguesit e vlerës së parasë, harmonizimin e ofrimit të këtij shërbimi të detyrueshëm ligjor nga subjekte private, me objektivat kombëtarë dhe sektorialë strategjikë, për të vendosur/ligjëruar që gjithmonë, kontrolli ligjor do kryhet nga subjektet private? Rikujtojmë këtu se kontrolli ligjor është pikërisht ajo pjesë e metrologjisë që ka të bëjë me aplikimin e matjes në prodhim e procese të tjera dhe përdorimin e saj në shoqëri, duke siguruar përshtatshmërinë e instrumenteve matëse, kalibrimin e tyre dhe kontrollin e cilësisë.

 

  • A ka vlerësuar ligjvënësi risqet direkte dhe indirekte financiare dhe ndikimet në buxhet?

 

  • Si mundet ligjvënësi të përcaktojë, apo më saktë ligjërojë dhënien përjetësisht privatit të një shërbimi publik, pa patur asnjë ide mbi vlerësimin e risqeve të drejtpërdrejta financiare dhe vlerën e parashikuar të kontratës së mundshme?

 

  • Si mundet ligjvënësi të përcaktojë, apo më saktë ligjërojë dhënien përjetësisht privatit të një shërbimi publik, pa vlerësuar paraprakisht koston e efektivitetit, dhe çmimin e shërbimit për përfituesit fundorë, pa patur asnjë ide mbi vlerën e mundshme të tarifave që do të rëndojnë mbi përfituesit e shërbimit?

 

Këto të dhëna kërkojnë domodoshmërisht hetim dhe vlerësim të thelluar parlamentar nga Kuvendi i Shqipërisë.

 

Nëse kjo nuk do të kryhet prej tij, atëherë është e qartë se në Kuvendin e Shqipërisë po normohet përmes ligjit mbrojtja e interesave të subjekteve të caktuar në mënyrë preferenciale, në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin aktual në fuqi. Në këtë mënyrë është momenti që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të fillojë kryesisht hetimet pasi kemi të bëjmë me rastin më flagrant të keqpërdorimit të procesit legjislativ.

 

3.4 Po kështu, edhe pika 3, e nenit 39, ligjëron privatizimin e shërbimit të riparimit të instrumenteve matëse, me të njëjtin abuzivitet, duke parashikuar se:

 

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë autorizon persona juridikë apo fizikë për shërbimin e riparimit të instrumenteve matëse. Shërbimi i riparimit të instrumenteve matëse ndalohet të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe persona juridikë privatë, të autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi për verifikimin e instrumenteve matëse.”

 

Pra me ligj, ndalohet që një veprimtari detyruese për t`u kryer nga organi shtetëror, të mos kryhet prej tij, por të autorizohet kryerja nga subjektet private.

 

  1. Nga ana tjetër, dispozita e nenit 39, të ligjit, shoqëruar dhe me parashikimet në dispozita të veçanta që referojnë vazhdimisht në shprehjen “në përputhje me këtë ligj, aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij, dhe për aq sa lejohet dhe mundësohet nga ligje, kontrata koncesionare dhe instrumente të tjera që kanë forcën zbatuese të ligjit, ligjëron në mënyrë abuzive ekskluzivitetin për kryerjen e veprimtarisë së metrologjisë ligjore nga subjekti privat, e që sot mund të jetë dhënë me koncesion.

 

  • Të njëjtën gjë, bën dhe parashikimi i pikës 2, të nenit 39 të ligjit, kur parashikon se:

 

Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë autorizon persona juridikë, që plotësojnë kushtet e përshkruara, për të realizuar verifikimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara, kur kjo drejtori nuk ka kapacitete teknike t’i realizojë vetë këto detyra dhe për sa është e lejueshme nga legjislacioni apo kontrata dhe instrumente të tjera në fuqi, që kanë forcën zbatuese të ligjit.”

 

Dhe pikërisht për subjektet që kanë përfituar apo do të përfitojnë këtë herë përmes autorizimit ofrimin e një shëbrimi sipas këtij ligji, ligjvënësi nuk kujdeset të përcaktojë rregulla dhe kritere të detyrueshme për zbatim në mbrojtje të interesit publik, por kujdeset që të mos cenohen “kontratat koncesionare”, të cilave u jepet forca zbatuese e një ligji.

 

Nëse këto kontrata përmbajnë parashikime në kundërshtim me parimet dhe procedurat e sanksionuara në ligj, tashmë ligjërohen, duke i krijuar terren dhe fitimit të të drejtave ekskluzive në ushtrimin e këtij shërbimi publik nga subjekti privat, edhe në të ardhmen.

 

  1. Ligji nr. 126/2020, shkon në një zhbalancim total të mënyrës së kontrollit mbi veprimtaritë/shërbimet e deleguara. Kjo duke filluar që nga parashikimet e këtyre dispozitave:

 

  • Neni 15, përcakton se:

 

Transmetimi i njësive të matjeve tek instrumentet matëse sigurohet me anë të kalibrimit ose nëpërmjet përdorimit të materialeve referuese të certifikuara. Në rastet kur shërbimet, objekt i këtij ligji, kryhen nga subjekte të autorizuara me një nga format e parashikuara në ligj, gjurmueshmëria realizohet vetëm nga këto subjekte.

 

Gjurmueshmëria metrologjike është cilësia e rezultatit të matjes ose vlera e etalonit të matjes, e arritur nëpërmjet një zinxhiri të pashkëputur të dokumentuar kalibrimesh, ku secili kontribuon në pasigurinë e matjeve. Dhe në këtë rast, këtë lloj matjeje të cilësisë mund ta bëjë vetëm subjekti që ka përfituar autorizimin vetë, pa kaluar filtër kontrolli, qoftë dhe periodik, nga organi publik.

 

  • Neni 34, pika 1, përcakton se:

 

Ekspertiza metrologjike konsiston në testim të jashtëzakonshëm dhe matje zyrtare të një instrumenti matës në bazë të një vendimi gjykate, kur rezulton e nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për shërbimet, objekt i këtij ligji. Në rastet kur shërbimet, objekt i këtij ligji, kryhen nga persona juridikë privatë, të autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, çdo ekspertizë metrologjike do të kryhet nga trupa ndërkombëtarë të akredituar.”

 

Pra, në praktikë ligji që deklarohet nga Kuvendi se ka për qëllim “mbrojtjen e konsumatorëve; përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, duke ju garantuar nëpërmjet intrumenteve matës ligjërisht të kontrolluar në treg, jo vetëm një ekonomi të konkurrencës së ndershme, por edhe mbrojten e interesave të tyre ekonomikë”, në fakt, kur këtë shërbim e ofron privati, synon ta lërë privatin aq të pakontrolluar në ushtrimin e aktiviteti të tij, sa që veprimtarinë e tij në ushtrimin e funksionit publik, mos t`ia nënshtrojë dot as kontrollit me vendim gjykate. Por në këto raste, do të kërkohet ekspertizë nga trupa “ndërkombëtare të akredituara”! (!!)

 

Praktikisht, organi publik heq dorë nga monitorimi i subjektit privat që ushtron një shërbim të deleguar publik, dhe i mbyll rrugën çdo qytetari të dëmtuar nga aktiviteti i tij, të kërkojë verifikimin qoftë dhe përmes rrugës gjyqësore.

 

Kjo do të thotë në praktikë, që çdo subjekt që ndihet i abuzuar nga një veprimtari publike e dhënë përmes këtij ligji, do të duhet të durojë e të pranojë frustrimin apo dëmtimin e interesave të tij, dhe për këtë nuk ka të drejtë t`i drejtohet as gjykatës.

 

Duke përjashtuar sistemin gjyqësor dhe regjimin juridik vendas, ky ligj jo vetëm bie ndesh me nenet 4, 11, 15, 16, 17, 18, 43, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por krijon një koracë/ombrellë mbrojtjeje ligjore për përfituesin shfrytëzues të shërbimit publik, për të mos i krijuar atij asnjë shqetësim edhe në rast se ai do të abuzojë me të drejtën e shërbimit publik që i është dhënë.

 

Është evidente se këtu kemi të bëjmë jo vetëm me shkelje me dashje të Kushtetutës, por me veprime të kundraligjshme që po kryhen brenda Kuvendit të Shqipërisë përmes miratimit të këtij ligji që shkon kundër interesit të çdo shtetasi në Republikën e Shqipërisë.

 

Rikujtojmë këtu se, ekspertiza metrologjike është testim i jashtëzakonshëm dhe matje zyrtare e një instrumenti matës në bazë të një vendimi gjykate, kur rezulton e nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për shërbimet objekt i këtij ligji, dhe kjo përcaktohet në pikën 23, të nenit 3, të vetë ligjit. Por po ky ligj, në dispozitën e nenit 34, bën një trajtim preferencial për shërbimit që ushtrohen nga subjektet private të “autorizuara”.

 

  • Neni 41, i ligjit përcakton se:

 

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë monitoron aktivitetin e subjekteve të autorizuara prej saj për kryerjen e veprimtarive në metrologjinë ligjore, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e ministrit të miratuar për këtë qëllim, me përjashtim të rasteve kur funksionet monitoruese të performancës së personave juridikë privatë, të autorizuar për kryerjen e veprimtarive në metrologjinë ligjore, u janë caktuar autoriteteve të tjera shtetërore me ligj ose kontratë të miratuar me ligj.

 

Pra, ligji shkon edhe më tej, kur parashikon deri në mundësinë e heqjes dorë nga monitorimi i aktivitetit të subjekteve private që janë autorizuar të ushtrojnë shërbimin publik.

 

  • Neni 48, pika 2, përcakton se:

 

“Në rastet kur kryerja e shërbimeve, objekt i këtij ligji, realizohet ekskluzivisht nga persona juridikë privatë, të autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, inspektimi metrologjik përfshin vetëm ekzaminimin fizik dhe dokumentar të produkteve apo proceseve objekt të këtij ligji. Vetëm në raste përjashtimore dhe gjithmonë me vendim gjykate, inspektimi metrologjik mund të përfshijë edhe ekzaminimin laboratorik për të realizuar kontrollin e përcaktuar në pikën 1 këtij neni.

 

Pra, sipas vetë kësaj dispozite, gjatë inspektimit metrologjik, një inspektor kontrollon:

 

  1. a) përdorimin e njësive ligjore të matjeve;
  2. b) konformitetin dhe përdorimin e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara;
  3. c) konformitetin e parapaketimeve dhe të shisheve enë matëse me masat e këtij ligji dhe me aktet nënligjore në zbatim të tij;

ç) mënyrën se si mbahen dhe përdoren regjistrimet dhe dokumentet e përshkruara.

 

Por në rastet kur kryerja e shërbimit realizohet ekskluzivisht nga subjekti privat (siç është aktualisht, për ilustrim, në rastin e “Shërbimit të kontrollit ligjor të instrumeteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”), inspektori sipas këtij ligji nuk ka më të drejtë, pa një vendim gjykate, të kryejë inspektim të thelluar dhe ekzaminim laboratorik.

 

Pra, përmes këtij ligji, subjektit privat që autorizohet (apo çdo subjekt privat që ka aktualisht një  shërbim të tillë me koncesion dhe/apo ai që do ta ketë në vazhdimësi më pas), mund të operojë i pashqetësuar nga çdo kontroll i thelluar i autoriteti shtetëror.

 

Ndërsa është e paqartë nëse parashikime të tilla, shkojnë në përputhje me përcaktimet e bëra në vetë kontratat e lidhura mes autoritetit kontraktues dhe koncesionarëve, kur pjesë të këtyre kontratave janë detyrimisht dhe parashikimet për monitorimin e veprimtarisë së subjektit privat në ushtrimin e shërbimit të deleguar me kontratë.

 

Ndërkohë që, ky parashikim është edhe më i dëmshëm në raport me interesin publik, kur kontratave koncesionare tani i jepet përparësi absolute në raport me parashikimet e të drejtave themelore kushtetuese dhe ligjore.

 

Kushtëzimi i kryerjes së kontrollit vetëm me vendim gjykate, humbet efektivitetin e çdo lloj kontrolli të mundshëm dhe të nevojshëm, në rastet e abuzimeve të subjektit privat në ofrimin e shërbimit publik, e aq më tepër, në rastet e marrëveshjeve me subjekte të tjera private që u ofron shërbimin, në dëm direkt të interesave të konsumatorëve!

 

Për më tepër, ky lloj parashikimi shtrembëron rëndë parimet e inspektimit metrologjik shtetëror dhe të mbikëqyrjes së tregut, të përcaktuara në ligjet e tjera në fuqi, si ligji nr. 10433, datë 16.6.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe ligji nr. 10489, datë 15.12.2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar.

 

Për më tepër, delegimi i ofrimit/kryerjes së shërbimeve publike nga subjekti privat, duhet të karakterizohet nga një monitorim edhe më i rreptë nga ana e institucioneve shtetërore.

 

Në fund, duhet ritheksuar sërish se, të gjitha këto autorizime nuk do të jepen sipas një procedure të përcaktuar me ligj, por sipas një rregulloreje të nxjerrë nga ministri përgjegjës për ekonominë, siç parashikohet në pikën 4, të nenit 39 të ligjit.

 

Pra, rregullat që do të normojnë dhënien e shërbimeve publike për t`u kryer/operuar nga subjektet private, nuk do të mund të respektojnë as parimin e sigurisë juridike, duke u bërë lehtësisht të ndryshueshme kohë pas kohe, nga vullneti i një autoriteti politik si ministri.

 

 

 

 

  1. Përcaktimet e sipërcituara dhe tepër problematike të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë” bien ndesh me parimet kushtetuese për funksionimin e tregut të lirë të parashikuara në nenin 11 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sjellin ligjërimin e konkurrencës së pandershme, vendosjen në treg të monopoleve, si dhe shkaktojnë diskriminim duke cenuar barazinë përpara ligjit.

 

Të gjitha parashikimet e mësipërme, çojnë në:

 

  1. Kufizimin e lirisë ekonomike, të sanksionuar në nenin 11 të Kushtetutës që përcakton se:

 

1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike.

  1. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj.
  2. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.”

 

  1. Cenonojnë barazinë e subjekteve para ligjit, të sanksionuar në nenin 18/1, të Kushtetutës, që përcakton se:

 

1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.

 

  1. Cenojnë sigurinë juridike, duke parashikuar që rregullat që lidhen me vlerësimin e kërkesave për autorizim për ofrimin e shërbimeve publike nga subjekte private, dhe vetë nevojën e këtij delegimi të ushtrimit të funksionit publik nga privati, të përcaktohen mbi bazën e një akti të nxjerrë nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe financat, dhe jo të jenë përcaktuara në ligj. Duke shmangur kësisoj edhe zbatimin e legjislacionit në fuqi që normon dhënien e punëve/shërbimeve publike për ndjekje/ofrim nga subjektet private.

 

  1. Dëmtojnë konsumatorin dhe nuk ofrojnë garanci për mbrojtjen e interesave të tij.

 

  1. Cenojnë buxhetin e shtetit, duke qënë se ligji nuk parashikon asnjë rregullim për mënyrën e negocimit apo përcaktimit të tarifave për subjektin privat të autorizuar apo për marrësit e shërbimit të detyruar, dhe nuk shoqërohet me ndonjë analizë për koston e transferimit/delegimit të këtij shërbimi publik pranë privatit.

 

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 10, datë 19.3.2008, ka shpjeguar qartë se:

 

Liria e veprimtarisë ekonomike nënkupton kryesisht të drejtën për të lidhur kontrata, individualisht ose kolektivisht, lirisht dhe mbi bazën e vullnetit personal, të drejtën për të zgjedhur aktivitetin që dëshiron të ushtrojë individi, të drejtën për të pasur një punë sipas preferencës, etj.

 

Gjykata Kushtetuese nënvizon se lira e veprimtarisë ekonomike është një liri negative për aq kohë sa lidhet me vullnetin e individit për të zgjedhur fushën e ushtrimit të kësaj veprimtarie duke hyrë lirisht në marrëdhënie ekonomike me subjekte të tjera. Përveç kësaj, liria e veprimtarisë ekonomike ka dhe aspektin e saj pozitiv. Ai përmban detyrimin e shtetit që, nëpërmjet ligjvënësit, të ndërhyjë në rregullimin e kësaj lirie, me qëllim që krahas lirisë së veprimtarisë ekonomike të garantohet edhe parimi i shtetit social dhe i të mirës së përbashkët. Ky detyrim për rregullim i ligjvënësit shprehet nëpërmjet nxjerrjes së normave konkrete juridike, me anë të të cilave synohet disiplinimi i ushtrimit të veprimtarisë së lirë ekonomike në sektorë apo fusha të caktuara. Në këtë rast, shteti duhet të luajë rolin e katalizatorit për realizimin efektiv të lirisë ekonomike nga njëra anë dhe mbrojtjes së kësaj lirie, nga ana tjetër. Vetëm shteti mund të arrijë të krijojë mjedisin e vërtetë dhe optimal për ushtrimin e kësaj lirie vetjake, prandaj ai duhet parë si rregullator me qëllim mbrojtjen e tregut nga deformimet që natyrshëm mund t’i mbart me vete zhvillimi i lirë i veprimtarisë ekonomike

 

Kufizimet e lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.

 

Hartuesi i Kushtetutës ka preferuar ta konsiderojë lirinë e veprimtarisë ekonomike së pari, si parim bazë të sistemit ekonomik të Republikës së Shqipërisë dhe së dyti, si pjesë e katalogut të lirive dhe të drejtave të shtetasve.

 

Ndërkohë që, me ligjin nr. 126/2020, janë vendosur kritere që orientojnë në dhënien e shërbimeve publike për operim subjekteve private, pa përcaktuar asnjë kriter ligjor dhe pa normuar një procedurë që garanton transparencën dhe barazinë e palëve që dëshirojnë të konkurrojnë.

 

Këto rregullime ligjore, prekin të drejtat dhe liritë themelore, dhe këto kufizime  nuk janë bërë të justifikuara nga nevoja për mbrojtjen e një interesi publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Kësisoj, është cenuar direkt dhe parimi i proporcionalitetit të ndërhyrjes legjislative, mbrojtur nga neni 17/1 i Kushtetutës.

 

Parimi i ekonomisë së tregut dhe lirisë e veprimtarisë ekonomike, i cili është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike dhe shkelja e tij, sidomos kur çon në rëndimin e konsumatorit fundor me masa që nuk janë të argumentuara mbi nevojën dhe analizën faktike, përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për konstatimin e antikushtetutshmërisë së një ligji, ç’ka legjitimon Presidentin e Republikës për kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim, duke mos lejuar kështu që një ligj me një nivel të tillë antikushtetutshmërie të bëhet pjesë e legjislacionit vendas.

 

 

 

 

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

 

Përmes këtij ligji shteti heq dorë nga një shërbim tërësisht publik. Jo vetëm që heq dorë nga përgjegjësia e tij publike, por kufizon çdo mundësi kontrolli dhe të subjekteve private që do të jenë përfitues të ushtrimit të këtij funksioni me karakter publik.

 

Përmes këtij ligji:

 

  • Një shërbim shtetëror, pa konkurrim, pa kritere të përcaktuara në ligj, pa studim fizibiliteti, ekonomik, social e mjedisor, me vendim të një Drejtori, mund t`i jepet lehtësisht me autorizim një privati.

 

  • Ky shërbim është i detyrueshëm për t`u marrë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në një fushë të caktuar.

 

  • Subjektet private në vijim duhet të shkojnë të marrin shërbimin/verifikimin pranë subjektit “të autorizuar” privat.

 

  • Ndaj subjektit privat “të autorizuar”, nuk ushtrohet asnjë kontroll i mirëfilltë në rastet e abuzimeve.

 

  • Subjekti “i autorizuar” privat nuk kalon dot asnjë kontroll të plotë, edhe nëse në marrëveshje të ndaluara me subjekte të tjera private, nuk e ushtron siç duhet funksionin e deleguar, në dëm të interesave të konsumatorëve.

Për ilustrim:

Në praktikë, dëmi që shkakton parashikimi i këtij ligji për mungesën e procedurës së kontrollit mund të jetë më i qartë duke u ilustruar me shembullin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse, si psh. të karburantit dhe gazit të lëngshëm, që kryhet nga një subjekt privat:

 

Nëse subjekti privat “i autorizuar”, kryen marrëveshje të pandershme me subjektin tjetër privat që ofron direkt (me pakicë apo shumicë) për qytetarët karburantin apo gazin e lëngshëm, dëmi është kolosal në kurriz të qytetarëve, që do të paguajnë përmes taksave indirekte:

          -pagat për Drejtorin dhe stafin e Drejtorisë (DPM) që funksionin e tyre shtetëror ia delegojnë me autorizim për t`u kryer nga subjekti privat;

         -kostot financiare në buxhet të shkaktuara nga “autorizimi” i subjektit privat dhe operimi i shërbimit publik prej tij; por mbi të gjitha,

         –në rastet abuzive e thuajse të pamundura për t`u kontrolluar, do të paguajnë edhe për karburantin që e blejnë më pak në sasi e cilësi, por e paguajnë sikur kanë blerë më shumë.

 

Ky akt synon të ligjërojë një skemën për qëllime klienteliste, dhënien me koncesion te një subjekt privat, në mënyrë të pakontrolluar të shërbimit shtetëror, dhe pa negociuar asnjë interes shtetëror.

 

Shmang konkurrencën e lirë. Dëmton interesin publik. Cenon interesat e shtetasve dhe të konsumatorit. Cenon financiat publike. Krijon shteg për abuzim me të drejtat e konsumatorit në tërësi. Prodhon kosto shtesë për një shërbim që duhet të kryhej nga shteti.

 

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur  kthimin në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë, pasi ky ligj jo vetëm që bie ndesh me parimet themelore të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por ai në mënyrën më flagrante,

 

  • sanksionon konkurrencën e pandershme dhe rrezikun e shtimit të praktikave korruptive;

 

  • ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; dhe

 

  • është shembulli se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

 

Presidenti konstaton se, përveçse ky ligj ka nivel të lartë antikushtetutshmërie, nga përmbajtja e tij reflekton qartë se fenomeni i korrupsionit legjislativ ka përfshirë edhe këtë nismë ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Në këtë mënyrë si President i Republuikës, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend.

 

 

 

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

 

Ilir Meta

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *