Kurti takohet me Szunyog: Kosovës i nevojitet vizion dhe lidership më i fortë i BE-së

16:29 10/09/20202min34

Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog.

Ambasadori Szunyog e njoftoi liderin e LVV-së mbi synimet e tij gjatë mandatit të tij katërvjeçar, e të cilat synime kanë për qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Ai tha se e ardhmja e vetme për Kosovën është në Bashkimin Evropian, dhe se kjo duhet të konsiderohet si përfundim i pashmangshëm, e jo si alternativë.

Tutje ai paralajmëroi planin e ri të investimeve të BE-së në Kosovë, duke filluar nga tetori i këtij vitit.

Në anën tjetër, kryetari Kurti e njoftoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, bashkë me shtetin e së drejtës që lufton korrupsionin, përbëjnë boshtin e platformës qeverisëse, e cila është synuar gjatë Qeverisë Kurti, e që sipas tij, do të jetësohet gjatë Qeverisë Kurti 2.

“Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë tejet të rëndësishme dhe duhet të trajtohen ashtu, pra si prioritet kryesor. Ajo është diga që parandalon migrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë jashtë Kosovës dhe në të njëjtën kohë është ura që mundëson rikthimin e trurit në Kosovë”, tha ai.

Kurti shprehu përkushtimin për integrim evropian dhe reforma të gjithanshme. Megjithatë, sipas tij, për Kosovën sikurse dhe për pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor nevojitet një vizion dhe lidership më i fortë i BE-së në këto kohëra dinamike e të krizave të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto