
Një pushues nga Kosova humbi jetën pasditen e sotme në plazhin e Velipojës, ngjarje, e cila ka revoltuar jo pak qytetarët e tjerë të pranishëm.
Ata kanë shpërthyer në thirrje për shkak se sipas tyre Ambulanca ka vonuar më shumë se një orë nga momenti kur u kërkua ndihmë.
Klan Kosova ka publikuar një video kur autoambulanca mori trupin e tij teksa pushues të shumtë u shprehën të revoltuar, duke e quajtur të turpshme vonesën e autoambulancës, e thërrisnin “marre, marre”, “o të q… zoti fare”.
Një tjetër pushues me profesion infermier kishte tentuar që të ndihmojë atë pas nxjerrjes nga uji, pasi ambulanca raportohet të jetë vonuar për një orë.
Sipas dëshmitarëve, i moshuari sapo ka hyrë në ujë për t’u larë, ka pësuar infarkt.
Trupi i të ndjerit është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës, me ambulancën e këtij qyteti, pasi në Velipojë shërbimi i ambulancës është mbyllur në datën 31 gusht.