Kuçovë / Infektohet me Covid-19 edukatorja dhe vajza e saj 5 vjeçare, në karantinë edhe 12 fëmijët e grupit

09:59 21/09/20202min146
covid-test-1

Rastet e reja me Covid-19 kanë njohur rritje edhe në qytetin e Kuçovës, ashtu sikurse në të gjitha qytetet e vendit.

Kështu, pas konfirmimit të 6 rasteve pozitive disa ditë më parë, që rezultuan të ishin pensionistë, tashmë rastet janë shtrirë edhe në institucionet publike.

Së fundmi, një edukatore në një kopsht në Kuçovë dhe fëmija e saj 5-vjeçe që është e regjistruar në po të njëjtin kopsht, kanë rezultuar të prekura me Sars-Cov-2.

Edukatorja ka qenë në punë deri në momentin e shfaqjes së shenjave të para dalluese të infektimit dhe pas kryerjes së tamponit, ajo dhe vajza e saj e kanë rezultuar pozitivë.

Edukatorja është karantinuar së bashku me familjen e saj, ndërkohë që janë karantinuar edhe 12 fëmijët e grupit ku ajo punonte, të cilët do t’i nënshtrohen testimit.

Ndërkohë, mësohet po ashtu se edhe një punonjëse fasonerie po në këtë qytet ka rezultuar e prekur me Covid-19.

Ajo e ka ndërprerë marrëdhënien me punën vetëm ditën që ka bërë tamponin,duke vënë në alarm koleget e saj më të afërta dhe gjithë punonjëset e repartit ku ajo punonte.

Sipas Drejtorisë së Higjienës, është kryer dezinfektimi i kopshtit dhe fasonerisë në Kuçovë si dhe janë mbyllur dy reparte të fasonerisë dhe grupi i fëmijëve ku punonte edukatorja e infektuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *