
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha të martën se Evropa duhet të tregojë solidaritet praktik me Greqinë mbi çështjen e emigrantëve.
“Është koha që mbështetja e Evropës të kalojë nga fjalët në veprime, për t’u shprehur në solidaritet të prekshëm”, tha Mitsotakis pas një takimi me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.
Kampi Moria në ishullin Lesbos, i cili u shkatërrua nga një zjarr javën e kaluar “i përket së kaluarës”, tha Mitsotakis, duke shtuar se një ndërtesë e re do të ndërtohet për ta zëvendësuar atë, me më shumë mbështetje dhe përfshirje nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri konservator gjithashtu tha se çështja e emigracionit ka nevojë për një përgjigje evropiane dhe një politikë të re të azilit.
Përpara një takimi të nivelit të lartë të BE këtë muaj i cili do të diskutojë tensionet në Mesdheun lindor, Mitsotakis tha se Athina është e gatshme të hyjë në bisedime me Ankaranë “menjëherë” për zonat detare nëse Turqia përfundonte provokimet në rajon.