Kodi Zgjedhor votohet në 1 tetor, po ku preket pakti i 5 qershorit? Drafti i PS propozon që…

21:20 24/09/20206min153
Bylykbashi-Vasili-Keshilli-POlitik1111

Maxhoranca socialiste nuk humb kohë dhe ka çuar para punën për të ndryshuar Kodin Zgjedhor si përshtatje e ndryshimeve kushtetuese që u bënë në seancën e 30 korrikut në Kuvend.

keshillipolitik

Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve është marrë vendimi që votimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor të bëhet në seancën e datës 1 tetor. Ky vendim i Konferencës së Kryetarëve në Kuvend i hap rrugën që puna e grupit të ngritur në Komisionin e Ligjeve për të hartuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor të avancojë me ritme të shpejta.

AFATET

Në Komisionin e Ligjeve, në mbledhjen e parë të këtij sesioni të ri parlamentar, pasi u ngrit grupi i punës me Damian Gjiknurin, Klotilda Bushkën dhe Korab Litën, u vendos edhe një afat për sjelljen në Kuvend të draftit zyrtar për ndërhyrjen në Kod. Në mbledhjen e dy javëve me parë u vendos që të ishte 30 shtatori afati për grupin e punës që të depozitonte në Kuvend projektligjin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Por me vendimmarrjen e djeshme në Konferencën e Kryetarëve, ky afat që i është lënë Gjiknurit, Bushkës dhe Litës shkurtohet, pasi e gjithë procedura parlamentare do të duhet të jetë ezauruar deri në 1 tetor.

Kështu, pritet që pas seancës së sotme plenare, ose maksimalisht në Kuvend të depozitohet drafti zyrtar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ato do të diskutohen në Komisionin e Ligjeve dhe pasi të marrë dritën jeshile, ato do të mund t’i kalojnë seancës plenare të datës 1 tetor për shqyrtim dhe votim.

KU PREKET 5 QERSHORI

Drafti që u prezantua nga Damian Gjiknuri në Këshillin Politik, dhe që me shumë gjasë pritet t’i dërgohet Komisionit të Ligjeve për diskutim dhe më pas edhe seancës plenare për votim, e prek marrëveshjen e 5 qershorit në një nen. Drafti i Partisë Socialiste propozon heqjen e pikës 5 në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, që u miratua në Kuvend në 23 korrik. Neni në fjalë thotë: “Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”

DEBATI PËR DRAFTIN

Që nga momenti kur Damian Gjiknuri prezantoi në Këshillin Politik draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që propozon maxhoranca, kundërshtitë nga opozita, por edhe një pjesë e gjerë e opinionit publik kanë qenë të mëdha. Dhe pikat në të cilat është përqendruar më shumë debati kanë të bëjë me mënyrën se si parashikohen koalicionet parazgjedhore, formula për shpërndarjen e mandateve, hapjen e listave dhe pragu zgjedhor. Për koalicionet, opozita e bashkuar është shprehur kundër për formën si ato janë parashikuar në draftin e PS-së, duke deklaruar se ato duhet të mbeten sipas modelit tradicional që janë aplikuar në zgjedhjet e mëparshme. Debate ka pasur edhe për mënyrën se si në draftin PS parashikohet formula e shpërndarjes së mandateve, për të cilat gjithashtu opozita është shprehur kundër. Sakaq për hapjen e listave kundërshtitë kanë qenë më të forta në opinionin publik, duke i cilësuar ato si lista të hapura, por me votën preferenciale që humbet vlerën sa i përket përcaktimit të kandidatëve që marrin mandatin e deputetit. Edhe për pragun zgjedhor që është propozuar 3 për qind në rang kombëtar nga PS, ka pasur debate. Nga ata që e kanë kundërshtuar, ky prag është cilësuar si absurd dhe se penalizon ndjeshëm partitë e vogla.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto