Këtë herë ka dorë Sandër Lleshaj / Ardi Veliu ngel sërish ‘thatë’, i marrin një tjetër kompetencë të rëndësishme!

12:43 02/10/20208min111
download (14)

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka njoftuar sot në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare se projektligji për Policinë e Shtetit do të ndryshojë sërish.

Teksa ka bërë publike disa nga pikat që pësojnë ndryshime, ministri Lleshaj u shpreh se këto janë reflektuar në bazë të diskutimeve dhe komenteve të ardhura nga institucionet e tjera.

Ndërkohë, duke u ndalur tek një nga pikat më të diskutuara që është cilësuar si ndërhyrje në Ligjin e Përgjimeve nga vetë Prokurori i Përgjithshëm, ministri Lleshaj thotë se kjo është rishikuar duke zëvendësuar fjalën “përgjim ambiental”, me “mbikëqyrje”.

Ndërkohë me ligjin e ri parashikohet se miratimi i strukturës së Policisë së Shtetit tashmë do të bëhet nga ministri me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm , ndërkohë që më herët të dy kishin kompetenca të barabarta në vendimmarrje.

Lleshaj u shpreh më tej se, ky ndryshim është bërë në mënyrë që të shmanget krijimi i strukturave që nuk koordinojnë mirë me njëra-tjetrën.

Referuar ndryshimeve të ndodhura, tashmë punonjësit e policisë do kenë mundësi të ngrihen në detyra shtetërore, me kushtin për të hequr dorë nga statusi për t’u punësuar si civil.

Këto ndryshime janë miratuar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Pjesë nga fjala e ministrit Lleshaj në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare:

“Që nga takimi i fundit lidhur me ligjin për Policinë e Shtetit, ne jemi marrë, kemi reflektuar në respekt të diskutimeve që u bënë në këtë Komision dhe të komenteve të ardhura nga agjencitë e tjera, nga institucionet e tjera, me qëllim që drafti i ligjit të arrijë në atë trajtë që të gjejë konsensusin e përgjithshëm dhe miratimin e këtij komisioni.

Në thelb janë bërë ndryshime sa i përket terminologjisë, për arsye se pati disa keqkuptime që besoj që ishin të argumentuara sa i përket terminologjisë. Për arsye se shumë veta e keqkuptuan si një ndërhyrje në ligjin e përgjimeve, dhe për dhënie atributesh, kompetencash policisë për të kryer përgjime, me iniciativën e vet dhe nën përgjegjësinë e vet.

Është rishikuar terminologjia duke zëvendësuar fjalën “përgjim ambjental”, me “mbikëqyrje”. Kjo besoj e ka zëvendësuar në thelb shqetësimin e disa kolegëve të komisionit dhe të disa përfaqësueseve të institucioneve. Thelbi i këtij ndryshimi në ligj është neni 131, i cili flet për masat e veçanta.

Sa i përket  Komitetit Kombëtar të Politikave për Parandalimin në luftën kundër krimit të organizuar, ai është lënë pak a shumë siç ka qenë. Një komitet i cili harton, kontrollon, monitoron zbatimin e politikave shtetërore në luftën kundër krimit të organizuar dhe në parandalimin e tij, me përbërje që tashmë është e njohur.

Ky Komitet ndërkohë është një fakt juridik për arsye se në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, dt. 31.01.2020, ky Komitet është konstituuar dhe funksionon krejt normalisht, komiteti është funksional.

Një ndryshim tjetër në këtë draft lidhet me faktin e strukturës së Policisë së Shtetit, miratimit të saj. Në ligjin aktual kompetenca e miratimit të strukturës së Policisë së Shtetit është e ndarë në dy duar, mes Drejtorit të Përgjithshëm dhe Ministrit. Ministri miraton strukturën qendrore ndërkohë që drejtori miraton strukturat vendore.

Në këtë propozim është unifikuar kjo duke e lënë të gjithë strukturën të miratohet  nga ministri me propozim të drejtorit në mënyrë që të shmanget krijimi i strukturave nganjëherë që edhe nuk koordinojnë mirë me njëra-tjetrën, për arsye se duke qenë kompetencat në dy duar dalin edhe struktura nganjëherë paralele. Për t’u konsoliduar kjo strukturë është bërë ky propozim.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me hapjen e një mundësie ligjore, që punonjësit e  Policisë së Shtetit të mund të transferohen nga Policia e Shtetit në struktura të tjera shtetërore nëse kjo kërkohet. Pra në funksionet shtetërore ku ata kanë kualifikimet dhe për të cilët ka një nevojë.

Në momentin që punonjësi i policisë transferohet drejt një vendi tjetër në administratë publike, kryesisht në Ministrinë e Brendshme, apo tek Hetimi Tatimor, apo në struktura të tjera ku ka profil për të, ai nuk i vazhdon t’i gëzojë më atributet e policisë gjyqësore, apo të punonjësit të policisë, pra vjen si civil.

Propozimi i fundit, i katërt, që në fakt nuk është propozimi jonë. Por që mendoj të bashkohet me këtë proces që lidhet me nevojën e paraqitur në kuadër të diskutimeve politike për reformën zgjedhore dhe Kodin Zgjedhor.

Ku është propozuar në dijeninë time, ose është rënë dakord sipas një shkrese që kam nga Komisioni i Ligjeve edhe me opozitën, në mënyrë që të parashikohet një amendament në ligjin e Policisë së Shtetit ku i jepen detyra kësaj për të mbështetur procesin e zgjedhjeve, duke ndjekur detyrat që i çohet nga autoritetet që administrojnë procesin zgjedhor.

Bëhet fjalë për një amendament të përgjithshëm i cili vetëm sa i shton më tepër përgjegjësitë e Policisë së Shtetit për të marrë dhe për të zbatuar detyra nga autoritet përgjegjëse që administrojnë procesin zgjedhor, për mbarëvajtjen e tyre.

Megjithatë ky amendament i fundit do të paraqitet nga Komisioni i Ligjeve por po e përmend meqenëse është nevoja, në vend që të bëjmë dy ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit të bashkohen të dy iniciativat.

Në kuadër të një iniciative dhe në fund të dalim me një ndryshim të ligjit sepse janë në të njëjtën kohë”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij, ministri Sandër Lleshaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto