KE nxjerr raportin për Shqipërinë: Vendi ka bërë progres por ka ngecur te Gjykata Kushtetuese

12:23 06/10/20205min123
bevvv1-1

Komisioni Evropian në raportin e tij i cili pritet të bëhet publik gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se Shqipëria ka shënuar progres të mirë në reformat kyçe, por ka ngecur te Gjykata Kushtetuese.

Sipas KE-së, Gjykata Kushtetuese mbetet i vetmi kusht ende i paplotësuar për Konferencën e parë të anëtarësimit.

Klima politike gjithashtu mbetet problem dhe në raport citohet si shumë e polarizuar.

Reformat

Pavarësisht nga rezultati pozitiv i marrëveshjes së arritur në 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj.

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në reformën e administratës publike. Përpjekjet vazhduan në disa fusha. Këto arritje të prekshme kanë nevojë për konsolidim të mëtejshëm.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë është i përgatitur mesatarisht. Zbatimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në progres të mirë. Institucionet e reja për vetëqeverisjen e gjyqësorit kanë kryer detyrat e tyre, duke përfshirë menaxhimin e proceseve për të mbushur vendet e lira në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka përparuar në mënyrë të vazhdueshme, duke vijuar të prodhojë rezultate të prekshme, duke përmbushur kushtin për KPGJ-në e parë. Më shumë se 286 dosje janë përpunuar deri më tani, duke rezultuar në 62% shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara ose dorëheqje.

Korrupsioni

Shqipëria ka një nivel  të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë në periudhën raportuese. Autoritetet shqiptare forcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për KPGJ-në e parë.. Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.

Megjithatë, në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz.

Krimi i organizuar

Shqipëria ka një nivel mesatar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet.

Si në vitet e kaluara, Shqipëria tregoi gjithashtu në 2019 një angazhim të fortë, të vazhdueshëm për të kundërshtuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Përpjekjet duhet të vazhdojnë, për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimet përfundimtare, si dhe luftimin e pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga krime dhe pasuri të tjera të pajustifikuara.

Pronat

Nevojitet progres i shpejtë për avancimin e procesit të regjistrimit të pronave. Shqetësimet janë ngritur nga qytetarët që i përkasin pakicës greke në lidhje me të drejtat e pronës në rajonin bregdetar jugor.

Media

Sa i përket lirisë së shprehjes, vendi është mesatarisht i përgatitur. Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias. Ndryshimet nuk janë në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, dhe rreth pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend. Përfaqësuesit nga shumica qeverisëse u angazhuan publikisht për të ndjekur udhëzimet e opinionit të Komisionit të Venecias. Projektligji për mediat aktualisht po rishikohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto