Kapedan Sali Vranishti, monument i trimërisë së Labërisë

16:27 28/08/202037min45

Sali Vranishti

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Përgjatë viteve 1800 dhe deri në Luftën e Dytë Botërore, në trevën e Labërisë ka një numër të konsiderueshëm të figurave popullore, të cilat përveç fatit të tyre të pjerrët, morën në fuqinë, shpirtin burrërorë dhe veprimtarinë e tyre atdhetare përfaqësimin e krahinave, fshatrave dhe më gjerë, ku shpesh herë populli iu ngjiti nga pas tipare dhe karakteristika të cilësueshme të këtyre krahinave si elementë të rëndësishëm të identifikimit të tyre kohorë dhe historik. Sali Vranishti në të vërtetë është Sali Murati, një derë e njohur për burrëri nga Vranishti, i cili mund të mos njihet për pasuri të shumta, por njihet për burrëri dhe fisnikëri, për atdhetari dhe sakrificë burrërore.

Sali Vranishti (Murati) lindi në vitin 1880, një kohë absolutisht me trazira të mëdha kombëtare, kur Shqipëria dhe shqiptarët në një dakordërsi kombëtare kërkonin të shkëputeshin nga Perandoria Otomane, për t’u pavarësuar, një periudhë që në tokën e Labërisë kishte “mbjellë” një brez të rinjsh dhe luftëtarësh të cilët shpejt do t’i dilnin zot jo vetëm Labërisë a Vlorës, por gjithë Shqipërisë dhe kombit. Sali Vranishti është njëri prej tyre. Duke trashëguar dhe rritur me kujtimet e babit të tij Muratit, një luftëtarë i njohur në luftë kundër pushtuesit otoman, Sali Murati (Vranishti) dhe pse në një mjedis në të cilin jeta sigurohej me punët e blegtorisë, dhe më pak me të bujqësisë, u edukua me ndjenjën e lartë të atdheut dhe të lirisë, ku çdo pushues shihej si pushtues, si një diçka të cilën shqiptarët nuk e kishin pranuar dhe as do të mund ta pranonin kurrë. Ky ishte thelbi shpirtërorë i thellë që gjithë jetën mbijetoi në shpirtin rebel dhe të bukur të Sali Muratit.

Mjedisi epik, kujtimet familjare, rrëfimet, trashëgimia historike, varfëria në fshatin e tij, ku një pjesë të saj e përbënte sundimi i egër i osmanëve, kujtimet për burrat e njohur si Balil Sefer Hasanaliaj, Zenel Çelo Shakohoxhaj, Limo Karafil Limaj, Rahit Miftar Skëndomemaj, Dervish Sinani dhe të tjerë përbënin një bazë të mirë për kapedanin e ardhshëm, i cili e adhuronte shpirtin liridashës tradicional dhe atë bashkëkohorë, i cili tashmë kishte marrë karakter kombëtar pas daljes në skenë të Rilindjes Kombëtare dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Sali Muratit i takoi fati, që të përballet me një nga aksionet më të rënda dhe të të ashpra që pushtuesi osman kishte kërkuar që të vepronte në trevat shqiptare, atë të të marrit nizamë. Është momenti që kapedani i ardhshëm del në skenën shoqërore, me një lloj ndjesie përfaqësuese për Vranishtin, kur iu kishte kërkuar bashkëfshatarëve të tij që të mos japim nizamë. Për perandorinë e kohës, e cila ishte në rrënim të brendshëm të pandalshëm, kjo ishte një diçka e rëndë, nga cilido që e kundërshtonte një gjë të tillë.

Vranishti ishte në një gjendje të vështirë ekonomike, ai paguante vergjinë, të dhjetën, xhelep dhe detyrime të tjera të rënda. Ndërkohë si çdo vend tjetër ai ishte i ekspozuar ndaj sëmundjeve dhe epidemive të kohës, çka kishte nxjerrë në pah paaftësinë e shtetit otoman për të krijuar kushte jetike jetese për shqiptarët. Kjo kishte krijuar një ndjenjë armiqësie dhe revolte tek shumë njerëz atdhetarë dhe patriotë të kohës, siç ishte dhe Saliu. Duke pasur në thellësi këtë armiqësi të thellë bazike të Sali Vranishtit, përplasja me një kalorës të armatosur të perandorisë, do të shndërrohej në një konflikt të thellë të tij me përfaqësuesit e perandorisë të Sali Vranishtit me përfaqësuesit otoman dhe të vetë perandorisë.  Në këto kushte Sali Vranishti detyrohet të largohet komit në mal. Largimi i tij komit në mal është i njohur nga të gjithë, për t’u ngjitur Malit të Çikës dhe në ato lartësi ku kishin bujtur dhjetëra luftëtarë të tjerë të njohur të Labërisë.

***

Sali Vranishti, pavarësisht presionit të madh që pushteti i kohës ushtroi mbi vranishtiotët, ai nuk u braktis kurrë prej tyre. Ata thoshin përballë përfaqësuesve të pushtetit otoman:”Edhe nëse i kemi dhen bukë, e kemi gjakun tonë!” Pas disa kohësh nëpër male dhe shpella, Sali Vranishti (Ahmeti) kaptoi malet dhe zbriti në Janinë. Janina ishte një shkollë e madhe për kapedanin e Vranishtit. Janina lidhej dhe kumtonte histori të rëndësishme për burrat, luftëtarët, për kapedanët dhe princërit.

I punësuar në Janinë, ku ai shërbente për të ruajtur pasuritë e një njeriu të pasur dhe patriot të Janinës, ai mbeti me armë në sup si një komit. Janina e mbushte me krenari. Vendi i Ali Pashë Tepelenës, vendi i “bilbilenjëve”, vendi i kujtimeve të çmuara të Marko Boçarit, histori që i përcillte kënga dhe kujtimet, e bënin të fuqishëm, burrërorë dhe më të guximshëm djaloshin nga Vranishti. Në një moment, anës së liqenit të Janinës, ku zakonisht këndoheshin perla trimërie, ku mblidheshin zakonisht shqiptarët, kishte shkuar dhe Sali Vranishti. Por në kënaqësinë që këto këngë i jepnin të tjerëve dhe atij, një zabit turk dëgjohet të thotë ”Pis arnaut, këto s’janë këngë, janë kuje!” Sali Vranishti nuk e përballoi fyerjen e turkut, e godet atë për vdekje.

Pas një rrugëtimi të gjatë, trimi nga Vranishti kthen në vendlindje, pritet me nderime dhe respekt, por si në çdo vend tjetër, spiunët turq njoftojnë për të dhe kapet tradhtisht, për t’u dërguar në burg. Por një trim dhe komit si Sali Vranishti nuk kishte bur që mund ta mbante brenda. Ai u arratis nga burgu, për të shkuar përsëri në malet e Labërisë, ku kishin gjetur strehë dhjetra luftëtarë të tjerë nga Labëria.

Siç dhe dihet, jeta e Sali Muratit ishte e mbushur me ngjarje të natyrës personale, familjare dhe kombëtare. Përplasjet qe ai kishte krijuar me perandorinë osmane deri në armiqësi dhe përndjekje hapa pas hapi të saj, kishin shtuar brenda tij jo vetëm atdhedashurinë dhe trimërinë, por dhe emrin që ai po i linte Vranishtit dhe vranishtiotëve trima. Ngjarjet historike po çonin drejt një epoke të madhe, atë të Pavarësisë, ku në skenën politike kishte dalë Ismail Qemali. Revolucioni xhonturk i vitit 1908 kishte krijuar një dimension tjetër për lëvizjen atdhetare, patriotike dhe të për Pavarësi në Shqipëri. Plaku i Vlorës komunikonte me të gjithë faktorin politik të Evropës, duke pasur një aftësi të rrallë prej politikani, diplomati dhe atdhetari të regjur.

Në momentin kur Ismail Qemali ishte propozuar për të qenë deputet në Parlamentin turk, ai u kthye në Vlorë. Në Skelë Vlora  priti si asnjë njeri tjetër, jo vetëm si një vlonjat i dëgjuar dhe me peshë në aktualitetin politik të kohës, por dhe si një shpresë për të ardhmen, të cilën shqiptarët po e ushqenin me luftëra, protesta, proklamata, memorandume dhe kuvende, ku bëhej thirrje për t’u pavarësuar nga perandoria otomane. Dhe në këtë rast Ismail Qemali u dëshmua për të ardhmen bashkë të shqiptarëve, për progres ekonomik dhe përparim kombëtarë.  Të shkuarit të Ismail Qemalit në Vranisht është një ngjarje e shënuar për këtë vend të betuar për liri dhe pavarësi. Sali Murati nuk e humbi këtë rast që vinte njëherë në jetën e çdo vranishtioti. Populli i kësaj krahine, por i gjithë malësisë së Vlorës, Mesaplikut dhe të Vranishtuit nuk i kanë harruar kurrë këto momente, rrugëtimin e plakut të Vlorës, tek i cili ai shihte të ardhmen dhe mbështetjen për aksionin e tij politik- diplomatik ndërkombëtar për Pavarësisnë e vendit. Sali Murati kishte ardhur nga Vunoi me këtë rast.

Në kuvendin e burrave dhe të odës së Vranishtit, ku Ismail Qemali foli dhe dëgjoi foli dhe Sali Murati (Vranishti) me një pjekuri të veçantë dhe me një  fuqi mbështetëse ndaj Ismail Qemalit. Takimi me Ismail Qemaln dhe në Vranisht është treguar dhe rrëfyer me shumë dashuri brez pas brezi nga njerëzit e Vranishtit, pasi ai përbën një ngjarje jo të zakonshme, pasi ai ngjalli shpresë dhe besim tek këta njerëz që mbijetonin për shkakun e varfërisë, e cila vinte dhe për keqqeverisjen e osmanëve.

***

Aksioni politik dhe lëvizja për Pavarësi ishte kuptuar dhe gëzonte mbështetje të madhe në popullin e gjithë Shqipërisë. Veriu dhe Jugu ishin përfshirë në lëvizje të armatosura, ku çetat patriotike kishin filluar të krijoheshin në të gjithë vendin. Çeta e njohur “Firarët” gëzonte një simpati të jashtëzakonshme tashmë në Jugun e vendit. Çerçiz Topulli gati po mitozohej dhe pse ishte një realitet i gjallë, mes njerëzve të thjeshtë. Burra të dëgjuar të kësaj krahine mbanin lidhje dhe bashkëpunonin me Topullin si shprehje e një revolte në rritje, ku jo pak luftëtarë kërkonin një mundësi ku të jepnin kontributin e tyre prej luftëtarësh.

Luftëtarë të tillë si Ibrahim Abdullahu dhe Beqir Velo kanina kishin ndikuar në krijimin e disa çetave në Labëri. Mbledhja e Shushicës (prill 1909), organizuar nga (Klubi Labëria) , sjellja e armëve nga Prevesa nga Shahin Haruni , apo Sali Murati nga Himara çoi në krijimin e një çete patriotike luftarake , e cila u mbush shumë shpejt me luftëtarë. Çeta është thirrur me emrin “Firarët e Sali Kapedanit”. Në veprimtarinë e çetës së njohur dhe të drejtuar nga Sali Murati (Vranishti) ka një motiv interesant, të cilën e ai e kishte të rëndësishëm dhe mjaft domethënës për kohën në rrethanat e zhvillimeve politike të kohës, kur thoshte, se autonomia sigurohej vetëm me armë në dorë, ajo fitohej me luftë e përpjekje kundër pushtuesve osmanë.

Çeta luftarake që drejtoi Sali Murati zhvilloi beteja me ushtrinë osmane të kohës. Në majin e vitit 1912 çeta e Sali Muratit u rrethua në Buzuk të Tërbaçit të Vlorës. Ndërsa luftëtarët respektoheshin dhe mbushnin me gëzim njerëzit e këtyre anëve, çeta pasi spiunohet, kur Sali Vranishit gjenden në shtëpinë e Selam Abazit, një patriot i njohur, merret veshtë se Sali Vranishtit ishte rrethuar. Sali Vranishtit i thuhet se kanë urdhër për ta arrestuar. Luftëtarët nuk pranuan. Shtëpia e Sela Abazit u kthye në istikam lufte, ku të shtëna me armë u dëgjuan deri në mëngjes. Një pjesë e çetës ishin larg këtij grupi. Kështu iu desh motrës së Selam Abazit të ndërmerrte një akt heroik për të krijuar komunikimin me luftëtarë të tjerë të çetës. Vajza trime Alime doli me buzelë për të shkuar me mbushë ujë dhe për të njoftuar. Luftëtari i njohur Hito Dalani sapo mësoi ç’kishte ndodhur me Sali Vranishtin rrethoi shtëpinë e Selam Abazit. Sali Vranishti këtu ishte dhe me Abedin Kananin nga Mesapliku. Ngjarja u përcoll dhe nga konsujt e kohës në njoftimet që ata iu bënin shteteve të tyre në Evropë. Kënga për këtë ngjarje i thotë të gjitha.

Vera e vitit 1912 ishte e ngarkuar me tensione të madha diplomatike për Shqipërinë, veçmas Ismail Qemalin. Shqipëria rrezikohej nga fqinjët shovinistë. Populli shqiptar ishte ngritur në luftë. Çetat patriotike ishin përfshirë në aksionet luftarake të vazhdueshme për ta goditur ku nuk  priste perandoria. Ajo duhej të çoroditej patjetër. Sali Vranishti kishte një ide gjeniale. Krahas luftërave dhe përplasjeve fitimtare që çeta e tij kishte bërë nëpër zona, ajo nuk kishte ndërmarrë një aksion në qytetin e Vlorës. Ky rast ishte i rëndësishëm për kohën. Mendimi i tij u pëlqye menjëherë. Në burgun e Vlorës kishte të arrestuar. Ata besonin në një aksion të tillë, sepse sipas tij, në çdo rast çdo derë vlonjate do të hapej për to.

Sali Vranishti, Axem Sulo, Mehmet Beqo, Ymer Bega, Sulo Murati, Tahir Miftari, nga Kanina, Remzi Janji mha Kallarati dhe Abedin Kanani nga Smoktjina përbënin bërthamën e çetës dhe të aksionit. Duke ecur nëpër natë nëpër ullishta, në mesnatë grupi rrethon burgun. Sali Vranishti iu foli rojeve, të cilët nuk kishte dëshirë t’i vriste, duke iu thënë:”Të dalë dikush jashtë! Unë i siguroj jetën. Jam Sali Vranishti me çetën…!’ Përfundimisht ai iu kërkon të lirohen të burgosurit. Pas kundërshtimit nga ana e rojeve të burgut, kur u dëgjuan dhe zërat e të burgosurve, që thërritnin “Liri! Liri!”, Sali Vranishti shkreh i pari pushkën, pastaj dhe nëntë të tjera, por ai duke njohur artin e luftës dhe në këtë rast kumton me zë:”Thirrni shokët, të vijnë të 100-tët shpejt, ju të tjerët hidhni shkallët!…”

Pas pak , përgjegjësi i rojeve hapi derën dhe foli:”Urdhroi kapedan, nxirri të burgosurit!”. Pasi luftëtarët i çarmatosën rojet dhe i lidhën, njëri prej tyre hapi dyert e burgut, aksioni rezultoi i suksesshëm. Ngjarja mori përmasa kombëtare. Njoftimet për të kapërcyen vendin n perandori dhe vendet e tjera të Evropës, ndërsa populli i përjetësoi në këngë. Rrugëve të Vlorës, tellalli njoftoi popullin.

Vjeshta e dytë e vitit 1912 e gjeti Sali Vranishtin në pellgun e Delvinës, ku duhej të luftonte kundër agjentëve shovinistë Thimo Lolit dhe Jani Potecit. Agjenturat vorio-epiriote po eliminonin me mjetë dhe forma të ndryshme patriotët dhe udhëheqësit e klubit të Janinës. Lufta e qarqeve shoviniste greke kishte bërë një dëm të madh në rrethet atdhetare patriotike të jugut, qoftë përmes vrasjeve në pritë, por dhe  vrasjet pas shpine. Këto ngjarje shqetësuan personalitetet shqiptare të kohës, madje dhe vetë Ismail Qemali, për të cilin thuhet se çeta e Sali Vranishtit kishte shkuar atje me urdhër të tij. Ismail Qemali kishte njohje të plotë për këtë terren të vështirë, të cilin grekët e kishin mbarsur me pabesi për shqiptarët.

Çeta e Sali Vranishtit bëri një rrugëtim të gjatë: Kurvelesh i Poshtëm, Kallarat, Kuç, Qafë e Dërrasës, Fterrë, Qafa e rrëmullës, Tatzat, Kalasë, Vergo, Kopançes dhe kodrat mbi Delvinë, ku prisnin dhe luftëtarë të tjerë.  Kjo është një ngjarje nga më të rëndësishmet e kohës. Thimo Loli ishte një agjent në shërbim të shovinizmit grek, i cili qe bashkuar me bandat e Jani Potecit dhe Grigor Farmaqit, rreth të cilëve ishin afruar 200-300 avazorë. Bandat e tyre grabisnin, krijonin armiqësi, terrorizonin, kërcënonin dhe kërkonin të aneksonin Delvinën si territor grek. Çeta e Sali Vranishtit e përgatiti betejën në varësi me kushtet, rreth të cilës u bashkuan dhe luftëtarë të tjerë.

Sali Vranishti zuri një nga pozicionet më të ngritura të terrenit, ngaqë mendonte se aty ishte strehuar Thimoi Loli, i cili përpiqej të mashtronte luftëtarët e tij. Dhe pse  Loli mendohej si i zgjuar dhe dinak, me Sali Vranishtin nuk i funksionoi aspak. Çeta e Vranishtit kishte emër dhe njohej në të gjithë Jugun. Pasi iu bë thirrje që të gënjyerit nga radhët e Lolit, Potecit dhe Farmaqit të largoheshin, se nuk do t’i vriste askush beteja filloi. Thimio Lolit iu kërkua të dorëzohet, se po bën luftë me trimat e Sali Vranishtit, që ka ardhur nga Vlora, ndërsa Delvina është ngritur në këmbë. .

Banda e shovinistëve tenton të çajë rrethimin, duke tentuar të ikë në drejtimin e kodrave të Çukës, por trimat e Sali Vranishtit e ndjekin nga pas dhe në katundin Çukë e rrethojnë. Jani Poteci dhe nipi i tij Grigor Farmaqi vriten në përplasjen me trimat e Sali Vranishtit. Ngjarja u bë e njohur në të gjithë vendin. Për të shkruajtën gazetat e kohës që nga “Drita” (Manastir), “Atdheu” (Konstancë, Rumani), pa harruar përjetësimin në këngën popullore të Jugut.

Një aktivitet të rëndësishëm luftarak çeta e Vranishtit bëri në luftën kundër shovinizmit të Jugut, që nga Thimoi Loli, Jani Poteci e deri tel renegati Spiro Milo, të cilët pretendonin për territore greke dhe inspironin një luftë fetare në jugun e vendit. Kjo situatë e rëndë tashmë po shqetësonte qeverinë e Ismail Qemalit i cili në dhjetor të vitit 1912 thirri Sali Vranishtin bashkë me 40 luftëtarët e tij, për të shkuar në frontin e Lumit të Vlorës, pasi forcat greke të kryesuara nga Spiro Milo kishin kaluar Himarën. GJtë kësaj kohe, Sali Vranishti ishte në luftimet e Gurrës, i cili deklaronte:”Do ta bëjmë që Spiro Miloja të mbajë vrapin në Strakëna!”Dhe pse luftimet në Gurrë ishin të vështira, forcat shoviniste- kundërshtare nuk arritën ta kalonin dot Gurrën gjatë këtyre luftimeve. Çeta e Sali Vranishtit kishte lënë posta shërbimi në fshatrat si Gjothonas, Gurrë, Çikë Llogara,  etj.

Viti 1913 ishte një vit i tmerrëshëm. Shovinistët grekë ushtronin terror në jug. Ismail Qemali kishte thirrur parinë e vendit për situatën e rëndë në Kuç, Bregdet dhe malet e Vetëtimës. Çeta e Sali Vranishtit bëri luftime në vitin 1913, kur forcat greke pushtuan Kuçin, në luftimet e prillit të vitit 1914, ajo gjatë kësaj kohe mbante kalanë e Lumit të Vlorës nën komandën e Sali Vranishtit, por në luftime për dy muaj. Sali Vranishti dhe Çeta e Vranishtit mori pjesë në të gjithë luftimet e kohës në borsh, Tatzat, Qafën e Skërficës, krahas çetave të Çerçiz Topullit e popullit luftëtar të jugut. Kronikat e këtyre luftërave kishin shkuar në të gjithë kancelaritë e Evropës.

Pjesën më të madhe të jetës Sali Vranishti e kaloi në luftëra të ashpra dhe në beteja, ku shquan karakteri atdhetarë patriotik lokal dhe kombëtarë. Ngjarjet e rëndësishme të kohës ai i priti në frontet e luftërave me armiqtë e vendit të tij. Pas shpalljes së Pavarësisë dhe vitet më pas, ku ra në sy lufta për të vazhduar copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare në jug dhe në veri, Sali Vranishtit iu desh të qëndronte në gatishmëri bashkë me çetën e tij. Mitingu i Vlorës i 28 nëntorit 1919 dhe ngjarjet e Konferencës së Paqes në Paris shpjegonin se vendit i duhej të mbrohej me luftë. Kështu Sali Vranishti në vitin 1918 e riorganizoi çetën e tij, e cila pati një gjerësim dhe në Lumin e Vlorës, Kurvelesh apo Tepelenë, pasi ajo gëzonte një emër të madh në historinë  e luftërave në Jug. Sali Vranishti mori kontakte të shumta gjatë kësaj kohe në pjesën më të madhe të trevës së Vlorës.

Pas Kongresit të Lushnjës pati një dimension tjetër të këtyre lëvizjeve. Sali Vranishti merr pjesë në luftime të ndryshme deri në Mezhgoran, ndërsa përfshihet në kontaktet me parinë e Vlorës si Osman haxhiu, i cili ishte përfshirë në një lëvizje kombëtare për çështjet e atdheut. Çeta e Sali Vranishtit vihet në mbrojtje të Kuvendit të Barçallanës, ku u mur vendimi historik për Luftën e Vlorës.

Aksioni i parë i Çetës së Vranishtit në këtë rast ishte ajo e sulmit mbi postëkomandën në Vranisht, dhe pas takimit në pllajat e Beut me Osman haxhiun (kryetar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare”) asaj i caktohet fronti në betejën e Gjormit, një betejë e fituar nga luftëtarët. Ndërsa më 3 qershor 1920 çeta e drejtuar nga kapedani Sali Vranishti i drejtohet Drashovicës, grupi i të cilit sulmoi nga rruga Lapardha- Vodicë. Siç dhe dihet, forcat italiane, pas dy orë qëndresë u dorëzuan.  Rrugën ku mund të përparonin forcat italiane e kishin bllokuar forcat e çetës së Sali Vranishtit, një nga frontet më të vështira dhe më delikate. Shtypi i kohës ka të dhëna të shumta për një luftë të tillë ndër më të rëndësishmet për kohën. Pas luftës së Drashovicës, çeta e Sali Vranishtit u vendos në malin e Shashicës. Ajo u përqendrua në Frengovec, nën Marko, mbi Miminaj, te Gorrica. Bëhej fjalë për të sulmuar Kalanë e Kaninës. Kjo ishte një sprovë e re për të si luftëtar i sprovuar. Çeta qëndroi këtu deri më 10 qershor 1929, tri ditë e tri net. Në orën 23.00 filloi sulmi mbi Kalanë e Kaninës. Ishte një sulm i befasishëm dhe i mirë-organizuar, ku çeta e Sali Vranishtit luajti një rol të madh. Pavarësisht armëve të shkrehura, ku kalaja ngjante me një vullkan, disfata qe e shpejtë mbi forcat italiane, ndërsa çeta e Sali Vranishtit u tërhoq nga fronti vetëm me urdhër të Komisionit Ushtarak.

Një betejë tjetër ishte dhe ajo e luftimeve në Vreshtat e Mëdha, me ç’rast Sali Vranishti drejtonte tashmë një front të madh luftarak, krahas çetës së atij dhe ata të luftëtarëve të Rrëzës dhe në Kalanë e Kaninës, deri në afërsi të Babicës. Ky ishte sulmi i tretë, ku në ballë të tij qëndronte Sali Vranishti, ku dhe u plagos. Dhe pse i plagosur jo pak, ai kërkonte të qëndronte në front, por e detyruan ta dërgojnë në spitalin e Kotes, i cili gjatë gjithë kohës qëndroi me shqetësimin e luftës, bashkë me të plagosurit e tjerë. Lufta e Vlorës u fitua nga luftëtarët, por Sali Vranishti thonjte se akoma nuk ka mbaruar lufta, koha do t’i kërkojë përsëri energjitë tona.

Sali Vranishti mori përmasat e një luftëtari popullorë. Është i njohur si kapedan, çka tregon një respekt të madh që ai kishte në popullin e Vlorës dhe të Jugut. Pavarësisht se më së shumti shkëlqeu si një luftëtar i sprovuar, i pagabueshëm, trim, largpamës, kurajoz, inteligjent, ai ishte dhe një njeri i sprovuar në situatat që kishte përjetuar, qofshin ata historike, politike apo diplomatike. Një luftëtari i tillë është i suksesshëm pasi i kupton dhe i njeh mirë dhe këto fusha. Lufta e Vlorës kishte krijuar një dimension jashtëzakonisht të vlerësueshëm për popullin e Vlorës, luftëtarët parinë e vendit, njerëzit e dëgjuar, burrat e mençur, çetat luftarake etj. Sali Vranishti ishte në mesin e këtij nderimi.

Vitet 1920-1922 kanë zhvillimet e veta në Shqipëri. Luftërat, marrëdhëniet feudale, pushtuesit, taksat dhe detyrime të tjera kishin krijuar një gjendje të rëndë në ekonominë e krahinave të Vlorës dhe të Labërisë. Vranishtiotët njihen për një besë-dhënie të vitit 1921 për të mos dhënë taksa, të cilët qeverinë e kohës e quajtën antipopullore. Sali Vranishti ishte në qendër të kësaj besë-dhënie të vranishtiotëve, të cilët i detyruan xhandarët të largohen nga Vranishti. Politikisht Sali Vranishti ishte kundër feudalizmit dhe kërkonte që ai të shembej, duke mbështetur rendin demokratik. Duke qenë një mbështetës i madh i Avni Rustemit, ai mbështeti shoqërinë “Atdheu”, e cila qe ngritur nga demokrati i shquar Avni Rustemi. PO ashtu ai mbështeti organizatën “Bashkimi”, e cila politikisht fliste për një Shqipëri demokratike, me ç’rast takoi dhe demokratin dhe atdhetarinë  shquar Halim Xhelo. Bashkë me vranishtitotë të tjera ai aderoi në këtë organizatë. Sali Vranishti ra në sy për idetë e tij demokratike, dhe në zgjedhjet për Ansamblenë Kushtetuese të vitit 1922-1923 Sali Vranishti nuk u pranua, por politikisht ai ishte mjaft i fuqishëm dhe me ndikim në Vranisht, Lumin e Vlorës dhe gjetkë.

Vrasja e Avni Rustemit e pikëlloi, por shtoi brenda tij urrejtjen për praktikën që rregjimi i kohës ushtronte për të zhdukur kundërshtarët e vet. Avni Rustemi ishte shfaqur kundërshtari i hapur i Ahmet Zogut dhe klanit të tij. Vdekja e Avni Rustemit u kthye në revoltë në Vlorë. Ai u nderua nga gjithë vlonjatët dhe përfaqësuesit e periferisë së Vlorës. Sali Vranishti, Bajram Hallko, Sali Hallko, daut Seferi, Xhevit Aredini, Mersin Zoto Metaj dhe të tjerë morën pjesë në varrimin e tij.

Sali Vranishti kërkoi t’i përgjigjeshin me protestë vrasjes së Avni Rustemit. Ai ishte mbështetësi kryesorë i Revolucionit Demokratik. Në këto rrethana rreth tij u bënë 100 luftëtarë. Ai ishte i gatshëm të përfshihej përsëri në luftë në emër të një rendi demokratik, prandaj e konsideroi veten ushtar i Revolucionit të Qershorit. Pas fitores së Revolucionit (Sali Vranishti kishte ardhur me forcat e tij kishte arritur në Tiranë dhe Ahmet Zogu kishte ikur), ai qëndroi me forcat e tij në mbrojte të Revolucionit Demokratik), ai i kërkoi Fan Nolit ndryshime rrënjësore në vend. Gjatë kësaj kohe Sali Vranishti pensionohet, por ai qëndroi në Tiranë deri në tetor të vitit 1924.

S’kaloi shumë kohë dhe Revolucioni i Qershorit dështoi. Kundërshtarët e Zogut ikën jashtë vendit, Sali Vranishti kthen në Vlorë, shkon në Kallafet të Kaninës te bashkëluftëtari i tij Mersin Karafili dhe në vitin 1925 i rënë shpirtërisht kthen në Vranisht. Nga plaga që kishte marrë në luftë zë shtratin, e nuk mundi të ngrihet më, duke mbetur një burrë dhe kapedan i dëgjuar, një luftëtarë dhe një njeri me ndikim shoqërorë, politik dhe një nga figurat e shquara të Vranishtit, Vlorës dhe vendit.

Gjithë veprimtaria e tij luftarake, bëmat, ngjarjet dhe jeta e tij është derdhur në këngë, tregime dhe krijimtarinë popullore të Vranishtit, Vlorës dhe të Labërisë. Në këto krijime, kryesisht këngë të kënduara nga polifonia labe spikat karakteri i një burri të shquar, një trimi, i cili gjithë jetën e tij e ka lidhur me atdheun, me lirinë dhe luftën kundër pushtuesit dhe forcave të errëta të kohës. Në këto krijime spikat aftësia prej luftëtari, inteligjenca, lidhja e tij me të kaluarën heroike të vendit të tij, spikat Vlora, Lumi i Vlorës, malet dhe fshatrat, betejat, spikat Lufta e Vlorës spikasin ngjarje të caktuara ku zëri i Sali Vranishtit duhet dëgjuar. Për Sali Vranishtin kanë shkruar poetë popullorë dhe poetë të tjerë, rapsodë dhe vjershëtorë, si Xhemil Vel Duka, Haxhike Beqaj, Lefter Çipa, Zonje Jonuzaj, Muhamet Tartari, Mehmet Karabolli, Muço canaj, Irfan Bregu, Avni Varfi, Shaban Seferi, Badhosh Gaçe, Lavdosh duka, Mustafa Rumani, Maman saliu, Ilir balili etj, duke e bërë këtë kapedan të vërtetë një njeri jo vetëm të dimensionit historik, por dhe të dimensionit artistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto