Intubimi i vret pacientët me Covid-19; japin alarmin ekspertët

10:08 03/11/20209min143
1000x563_cmsv2_66e72a44-d55c-5a87-b8f8-67fc68f6eba0-4666124

Gjatë muajit maj, ekspertët dhe mjekët italianë hodhën dyshime se përdorimi i tepërt i oksigjenit mund të jetë shkak i një pjese të fataliteteve gjate valës së parë të Covid-19.

Edhe pse ende nuk është provuar, ajo që dihet me siguri është se pompimi i tepërt i oksigjenit te pacientët shkakton efekte edhe më të rënda shëndetësore se sa niveli i ulët i oksigjenit në gjak.

Niveli optimal i oksigjenit në gjak shkon nga 95 deri në 98%. Kjo vlerë korrespondon me përqindjen e molekulave të hemoglobinës që transportojnë oksigjen në proporcion me numrin total të molekulave të hemoglobinës.

Testimet sugjerojnë se oksigjenimi në nivele të larta tek pacientët shkatërron molekulën e një elektroni të vetëm, duke krijuar ato që njihen si radikale të lira. Radikalet e lira janë përgjegjëset e plakjes së shpejtë dhe kanë ngarkesa të larta reaktive me molekulat e tjera, përfshirë të ADN-së dhe proteinave. I gjithë ky proces do të thotë shkatërrim i qelizës.

Pra, mjekët reanimatorë po përballen me dilemën e oksigjenimit, pasi si pompimi i pakët, si dhe i tepruar, mund të çojë në vdekjen e pacientit. Për këtë arsye, A-ja e leksioneve për mjekët reanimatorë është gjithmonë nisja e trajtimit të pacientëve me oksigjen në nivelet më të ulta dhe më pas në varësi të reagimit të tij është shtimi i tij.

Mjekët që u përballën të parët me pandeminë e Covid-19 ishin gjithashtu të parët që u vunë masivisht përballë kësaj dileme. Në fund të prillit, Reuters sillte një raportim special me intervistimin e 30 mjekëve nga Kina, Italia, Spanja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë në atë kohë ishin dakord për rëndësinë e ventilatorëve mekanikë për të shpëtuar jetë, por njëkohësisht vunë në dukje edhe rrezikun e përdorimit shumë shpejt, shumë shpesh, ose nga persona jospecialistë dhe të patrajnuar.

Pjesa më e madhe e ventilatorëve përdorin maskat për të injektuar oksigjen në mushkëritë e pacientëve. Shqetësimi kryesor i doktorëve të pyetur nga Reuters lidhej me ventilatorët mekanikë, që përfshin futjen e tubave në aparatin frymëmarrës të pacientëve dhe pompimin e oksigjenit në mushkëri. I gjithë ky proces njihet si “intubim”. Pacientët që vendosën nën këtë procedurë u injektuan me qetësues të fuqishëm për të qetësuar muskujt e aparatit frymëmarrës që kundërshtojnë makinerinë.

Intubimi si procedurë zbatohet vetëm tek pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore ose ata me nivele tejet të ulta oksigjeni në gjak. Dilema është se nuk ka një kufi fiks për nivelin e ulët të oksigjenit në gjak, nën të cilin duhet përdorur intubimi. Në Kinë, mjekët e përdorën në fillimet e pandemisë kur ai zbriste nën 80%, me një mundësi mbijetese gjysmë për gjysmë për pacientët.

Të dhënat e analizuara nga Reuters në fund të muajit prill tregonin se pacientët e infektuar me Covid-19 dhe të intubuar kanë rrezikshmëri shumë herë më të lartë vdekjeje sesa pacientët e intubuar për sëmundje të tjera të mushkërive.

Sipas një studimi të publikuar në revistën “The Lancet”, në Kinë 86% e pacientëve të vendosur në intubim nuk mbijetonin. Normalisht, pacientët e vendosur nën të njëjtën procedurë, por për sëmundje të tjera kishin deri në 50% mundësi mbijetese. Në Britani, deri në fund të prillit dy të tretat e pacientëve që përfundonin në intubim nuk mbijetonin, ndërsa në të njëjtën periudhë situata në Nju Jork paraqitej edhe më dramatike, ku 88% e 320 pacientëve të vendosur në intubim kishin vdekur.

Në Gjermani, mjekët tregohen më të vetëpërmbajtur për të vendosur pacientët në intubim. Udhëzimi i autoriteteve shëndetësore është që kjo procedurë të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur. Në vend të intubimit, spitalet gjermane përdorin ventilatorët me maskë dhe morfinë për t’i mbajtur sa më gjatë nën këtë procedurë, deri kur trupi të reagojë kundër infeksionit. Pikërisht kjo praktikë vlerësohet si një prej arsyeve kryesore se përse Gjermania ka numër më të vogël viktimash në krahasim me vende të tjera të Europës, pavarësisht numrit të lartë të të infektuarve.

Thomas Voshaar, pulmonolog gjerman ka qortuar në fillim të muajit shkurt kolegët e tij në pjesë të tjera të botës për intubimin e hershëm të pacientëve me Covid-19. Voshaar deklaronte se intubimi dhe injektimi i oksigjenit të pastër në përmasa të mëdha, më shumë dëmtonte se sa ndihmonte pacientët.

Efektet anësore të oksigjenimit të tepërt në organizëm janë vënë re që në një studim të Universitetit të Teksasit në 2008-ën, i cili provoi se pompimi i oksigjenit të pastër tek minjtë që ndodheshin në reanimacion shkaktonte dëmtime më të mëdha të trurit në krahasim me minjtë që ndodheshin po në reanimacion, por merrnin frymë vetë.

“Rezultatet tona shkojnë kundër perceptimit. Shumë mendojnë se oksigjeni nuk dëmton dhe se mund të pompohet sa më shumë që të jetë e mundur. Studimi ynë tregon se ky nocion është i gabuar”,- deklaronte në atë kohë, Steven Kerne, biolog dhe udhëheqës i këtij studimi.

“Mjekët zakonisht pompojnë nga 21% deri në 60% oksigjen tek pacientët. Kjo ngre shqetësimet se po veprojnë gabim”,-deklaronte Lance Becker, profesor i urgjencës mjekësore në Universitetin e Mjekësor të Pensilvanisë dhe drejtor i Qendrës Shkencore të Reanimacionit.

Becker është autor i një studimi të kryer në 2004-ën, sipas të cilit qelizat kishin më shumë gjasa që të vdisnin kur riekspozoheshin përballë sasive të mëdha të oksigjenit, se sa kur ishin me sasi të reduktuar të tij. Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Becker shpjegon se për mjekët është e vështirë që të kuptojnë se “sa shumë është shumë”.

Por si mund të shmangin mjekët efektet toksike të oksigjenimit në organizëm? Një ide është terapia e hipotermisë, që do të thotë ulja e temperaturës së trupit të pacientit për të reduktuar nevojën për oksigjen të tij. Kjo është ajo që propozon Hasan Alam, kirurg në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçustesit.

Kjo teknikë përdoret gjerësisht në ruajtjen e organeve për transplant dhe gjatë operacioneve të zemrës për të reduktuar nevojën për oksigjenim të gjakut, shkruan TiranaNews.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto