I vihet flaka flamurit grek në Prishtinë, ngrihet në këmbë Policia

09:31 29/08/20203min191
25EE3AF4-F290-4D96-B27B-D9C36A11E96A_w1023_r1_s-780x405

Ministria e Punëve të Jashtme dhe për Diasporën në Kosovë dënoi djegien e flamurit të Greqisë nga disa tifozë në Prishtinë. Të enjten në mbrëmje tifozët e klubit të futbollit të Gjilanit, “Ultras Skifterat”, dogjën flamurin grek pas humbjes në ndeshjen e parë parakualifikuese të Ligës së Evropës me ekipin nga Qipro, “Apoel”.

Ndaj këtij veprimi reagoi të premten Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duke e dënuar fuqishëm djegien e flamurit të Greqisë në një nga sheshet e Prishtinës.

“Dënojmë fuqishëm çdo lloj akti fyes të simbolit kombëtar të cilit do shtet, në rastin konkret të Greqisë. Kosova dhe Greqia kanë vendosur dialog praktik, kanë zyra ndërlidhëse në kryeqendrat e tyre dhe të dyja palët punojnë për të thelluar dialogun edhe më tej”, thuhet në komunikatë duke iu referuar ministres Meliza Haradinaj Stublla.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhej gjithashtu se“pret që organet e rendit të reagojnë shpejt dhe të vendosin para drejtësisë autorët e këtij akti, pasi konsideron se shprehja e pakënaqësisë duke djegur flamurin e një vendi në një ndeshje sportive, është akt i shëmtuar dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe idealet e përqafuara nga populli i Kosovës, si shoqëri demokratike”.

Grupi i tifozëve “Ultras Skifterat” nga Gjilani bëri të ditur të premten nëpërmjet një reagimi të publikuar në Facebook se:“akti i grupit tonë erdhi si pasojë dhe përgjigje e veprimeve të tifozerisë qipriote të cilët vazhdimisht në ndeshjet e tyre paraqesin parulla kundër Kosovës dhe mesazhe prosllave në stadiumet e tyre! Të gjithë ata që na gjykuan për këtë akt le të kursehen për flamurin e radhës!”.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe klubi i futbollit Gjilani, i cili përmes një komunikate dënoi aktin e ndërmarrë nga një grup tifozësh.

“Vepra të tilla nuk kanë vend në sportin më popullor në botë, e aq më pak tek ne si komb që duhet të jemi shembull i mikpritjes e ekspeditave në vendin tonë”, thuhet në reagimin e klubit. (VOA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto