
Zyrtarja e lartë për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, ka deklaruar se rasti i helmimit të liderit të opozitës ruse, Alexei Nvalny duhet të hetohet, pasi ekspertët gjermanë thanë se ata kishin “prova të qarta” se agjenti nervor i kategorisë ushtarake Noviçok ishte përdorur për ta helmuar.
Bachelet i bëri thirrje Rusisë të kryejë ose të bashkëpunojë në një “hetim të plotë, transparent, të pavarur dhe të paanshëm”.
“Është detyrë e autoriteteve ruse të hetojnë plotësisht se kush ishte përgjegjës për këtë krim shumë të rëndë që u krye në tokën ruse”, tha ajo në një deklaratë.
Aktivisti 44-vjeçar, një nga kritikët më të ashpër të presidentit, Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi muajin e kaluar dhe u trajtua në një spital në Siberi para se të transportohej në Berlin.
Përkrahësit e tij dyshojnë se helmi ishte hedhur në një filxhan çaji që ai piu në aeroportin në Tomsk.
Ai fillimisht u trajtua nga mjekët rus, të cilët u shprehën se sëmundja e tij ishte shkaktuar nga një çrregullim metabolik i shkaktuar nga sheqeri i ulët në gjak.
Më pas ai u transferua në Gjermani në Spitalin Charite, i cili u shpreh se “provat klinike tregojnë helmim përmes një substance që i përket grupit të kolinterazës”.
Rusia i mohon akuzat.
Mjekët në spitalin e Siberisë, që trajtuan fillimisht Navalny, thanë se ata kishin shpëtuar jetën e tij, por “nuk kishin gjetur gjurmë helmi në trupin e tij”.