Hapja e PD-së/Ristani: Duhet bërë më shumë për frontin kundër së keqes me emrin “Rilindje”

arben-ristani-1

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani shprehet në një intervistë për ‘Descript.al’ se përveç aksionit politik të opozitës, Shqipëria gjendet në një situatë të tillë ku duhet të bëhen bashkë të gjithë elementët opozitarë në një front kundër së keqes me emrin “Rilindje”, siç e quajti ai.

Duke iu referuar sistemit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike dhe skandaleve të shumta qeveritare, Ristani shpjegon se opozita ka mundësi reale për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021.

Z. Ristani, si e cilësoni nismën e liderit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të rikthyer në selinë blu disa prej kontribuuesve në vite në këtë forcë politike?

Partitë politike në përgjithësi dhe PD në veçanti, nuk mund të mirëfunksionojnë, nëse nuk mbështeten fort në sisteme të tilla si sistemi i karrierës, vlerësimi i kontributeve, gara e ndershme për pozicione, ndërthurja e përvojës me vrullin dhe guximin e të rinjve etj. Në këtë pikëpamje edhe më shumë mund të bëhet për të bërë bashkë, në një front kundër së keqes me emrin “Rilindje”, çdokënd që ka kontribuar për PD në vite, apo ata që duan t’i bashkohen PD-së sot.

Procesi që po ndodh sot në PD, për t’u finalizuar më një trupë zgjedhore fituese, është një hap shumë i mirë në drejtimin e duhur.

Me ftesë të kryedemokratit Basha janë rikthyer për të dhënë kontributin e tyre në Partinë Demokratike emra si Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli, që kanë qenë kritik të z. Basha. Po ju z. Ristani, si ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, a keni marrë një ftesë për të qenë pjesë e Partisë Demokratike në strukturat drejtuese të saj?

Unë vërtet jam ish-sekretar i përgjithshëm i PD, por aktualisht jam kryetar i komisionit të apelimit në PD, dhe anëtar i organeve më të larta drejtuese të partisë.

Si e gjykoni procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga ana ë Partisë Demokratike duke qenë së në zgjedhjet e kaluara, z. Basha u kritikua për mënyrën sesi i hartoi listat e kandidatëve?

Çdo vendimmarrje që bazohet mbi një proces transparent, demokratik dhe sipas rregullave të bazuara në statutin e partisë, është ajo që duhet dhe ajo që pritet të ndodhë. Aktualisht procesi është në shinat e duhura dhe janë të gjitha gjasat që të përfundojë ashtu si duhet.

Për më tepër edhe modeli që kemi zgjedhur dhe konsulta që kemi marrë, është prej konservatorëve anglezë. Kandidaturat janë propozuar në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur, seleksionimi do bëhet mbi bazën e rregullave të përcaktuara nga udhëzimi i kryesisë së PD dhe nga një komision dinjitoz dhe jashtë konfliktit të interesit, anëtarësia do e kalojë në votim dhe përfundimisht kryesia e partisë dhe këshilli i saj kombëtar do i vënë vulën përfundimtare.

A keni pritshmëri që baza e Partisë Demokratike të propozojë emrin tuaj për t’u vendosur më pas në listat e kandidatëve për deputetë?

Sot që ne po zhvillojmë këtë intervistë, kjo fazë e procesit është përmbyllur dhe unë jam ndër propozimet e bazës së partisë në disa degë.

Nisur nga lëvizjet e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, nisur nga skandalet  e qeverisjes së kryeministrit Rama dhe ndryshimet kushtetuese për Kodin Zgjedhor, a ka mundësi reale Partia Demokratike për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e vitit 2021?

PD ka drejtuar me sukses këtë vend në dekadat e demokracisë dhe mbetet alternativa më e mirë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe qenies pjesë e Evropës.

E majta në Shqipëri, kurrë s’ka sjellë zhvillim, vetëm e ka varfëruar në ekstrem vendin, e ka vjedhur dhe grabitur për interesat e individëve në krye të saj.

Sërish nga Anglia vjen një shprehje për të majtët kudo në botë: të majtët i duan aq shumë të varfrit saqë, sa herë vijnë në pushtët, i shtojnë më shumë ata.

Ndryshimi dhe rotacioni politik, jo vetëm është kusht i demokracisë, por edhe domosdoshmëri për shqiptarët që të heqin qafe të keqen dhe të vazhdojnë rrugën e prosperitetit.

Mundësitë e PD-së janë të plota dhe të gjithanshme për të rimarrë drejtimin e vendit. Fryma e fitores mbi të keqen e Rilindjes ka nisur të përfshijë jetën e vendit.

Intervistoi: B.Quku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto